“Janë do rrugë në qytetin tim”

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA

    Kujtim Shabani

    Rrugët në Tetovë kanë nga dy emra: Një emër me të cilin i thërret shteti dhe një tjetër komuniteti. Rrugën “Ilindenska” s’e dinë as taksitë, të gjithë i thonë “Rruga e Gostivarit”. Janë pastaj ato që quhen Rruga e Shkupit, Rruga e Zhelinës, Rruga e Porojit, Rruga e Pirokut, Rruga e Lisecit… Kështu është nga të katër anët e Tetovës. Ato kryesisht marrin emrin e vendit më të madh ku të çojnë.

    Në Tetovë ka tri rrugë që të nxjerrin në Kosovë, po asnjëra s’e mban këtë emër. S’i thonë kështu as shteti, as komuniteti! Të gjitha rrugët e Tetovës shpien në Kosovë! Njëherë është ajo e Porojit, e cila pas një çerek ore me veturë përfundon në Kosovë. Pastaj është ajo e Shkupit, e cila për gjysmë ore të lidh me autostradën “Arbën Xhaferi”… Dhe është ajo e Sharrit që tenton të dalë në Kosovë. Kjo  nuk ka qenë një shteg për në Kosovë vetëm gjatë 2001-shit. Para Luftës së Dytë Botërore malësorët e Tetovës shkëmbenin dendur me “Perzerenin”. Mes njërës rrugë luhet biznesi, mes tjetrës ruhet miqësia, kurse mes së tretës: të dyja!

    Një rrugë në Tetovë ka tri emra! Emrin zyrtar s’ia di njeri! Si të ishte ilegale. Edhe pse është ndër rrugët më të mirëmbajtura të qytetit, me ndriçim të mirë dhe frekuentim të shtuar. Komuniteti e quan “Rruga e Banjës”. Kohëve të fundit këtë rrugë e rrahin burra e gra për të ecur, për një shëndet më të mirë. Mu si ata në Perëndim, që të tejkalojnë papritur duke vrapuar me kufjet në vesh. Vetëm se këtu njerëzit e kanë më me nge.

    I njoh të katër këto rrugë me sy mbyllur. Nga Sharri vij, si origjinë; nga Shkupi shkoj, si mërgimtar; nga Poroji kaloj, si mik; në ujërat e banjës e kam mësuar notin si fëmijë.

    Së fundmi dëgjoj se këtë rrugë e quajnë edhe “Infarktstrasse”! Nuk mund të ankohemi për kreativitetin. E gjetën në gjermanisht “Rrugën e Infarktit” ata që jetojnë andej? Etiketa nuk e nënkupton, sikurse e sugjeron, rrugën ku e fiton infarktin, po ku e lufton atë. Kësaj rruge gjithsesi nuk ngjiten mërgimtarë me shëndet të rrënuar të zemrës nga vendet gjermanishtfolëse. Ata kanë kujdesin më të mirë shëndetësor në këto vende. Këta s’i shqiten më Zvicrës, a Gjermanisë!

    “Rruga e Infarktit” tingëllon plumb! Ajo ka një theks pezhorativ. Stereotipizues. Me siguri dynden andej edhe njerëz me shëndet të ligë. Me zemër të rënduar. Nuk i di statistikat për këto raste në krahasim me vendbanimet e tjera brenda dhe jashtë vendit. Si janë prirjet në vetë qytetin e Tetovës? Si është puna e rasteve të vdekjes nga këto sëmundje…? Dëgjoj vetëm me keqardhje: “Filanit i vunë stentë!”, “Fistekut i vunë kaq stenta”… Aq shpesh. Po bëhet nami!

    S’e merr vesh robi, nëse përhapja e stentave është tregues i stërkeqjes së situatës me sëmundjet e zemrës apo i rritjes së aftësive të sistemit shëndetësor në Tetovë? Mungojnë disiplina e pacientëve, edukimi shëndetësor, kualifikimi i mjekëve amë, medikamentet e mira për kësi lëngatash, repartet e specializuara për trajtimin e përshtatshëm apo stenta është protokoll i detyrueshëm mjekësor në Tetovë dhe Maqedoninë e Veriut për ankimet nga zemra?

    Edhe në Perëndim vënë stenta. Një “nder” të tillë e kanë pasur njerëz të mi të afërt. Është e ditur që stentën nuk e kanë shpikur në Tetovë. Sëmundjet e zemrës ekzistojnë ku ka njerëz. Për këto – na mësojnë specialistët – ka arsye të ndryshme, siç janë ato trashëguese, për shembull. Problemet e zemrës i favorizojnë edhe shprehitë e të jetuarit, kultura e të ushqyerit ose raporti me cigaren. Këtu ndotja e mjedisit dhe ajo akustike në gjithë këtë trafik të stërngarkuar kanë një kontribut të madh. Ose edhe të tjerat, më të përgjithshme, si papunësia, padrejtësia, pamundësia… Dhe pa- e pa- të tjera.

    Më bën përshtypje se me sa lehtësi në Tetovë përshkruhen antibiotikët. Barnatoret t’i japin pa recetë! Më kujtohet koha e Koronës, he mos u kujtoftë kurrë! “Protokolli” i trajtimit të virusit në Zvicër: Vetëm çaj! Sigurisht nëse nuk kishe ndërlikime. Në Tetovë, sido që të ishte, jepnin nëntë a dymbëdhjetë barëra. Antibiotikët – në krye të listës. Të vinte të arratiseshe në Tetovë! Po kujto vetëm që Zvicra është vendlindja e dy nga shtatë koncernet më të mëdha të industrisë farmaceutike në botë… Tani mësoj se mërgimtarët furnizohen në Tetovë me antibiotikë dhe i përdorin përkundër udhëzimeve të mjekëve ku jetojnë në Perëndim!

    Me kaq lehtësi kohët e fundit u përhapën infuzionet. Për pak e për shumë: serum! Pa një pa dy tetovarët i përveshin llërët dhe zgjatin krahun në ordinancën më të afërt për një infuzion. “Sapo mora një ‘veshtaçki!’”, do t’i dëgjosh shpesh të shprehen të lehtësuar ata. Ai është bërë pothuaj rutinë, dje ishte një terapi për të shtrirët në spital, kur njeriu vuante nga një dergjë më agresive.

    Mëkat të heqë Tetova kaq nga këto vuajtje, sa rrugët të marrin emrin e sëmundjeve. Qyteti që rrethohet me male dhe fusha, ku ka bjeshkë dhe ajër të pastër, ku ka lumë dhe ujë termal. Tetova që e ka kaq afër Shkupin. Që nga t’ia mbajë del në Prishtinë. Dhe nga ana tjetër në Tiranë. E cila ka dy universitete dhe parti që nuk sfiliten duke pohuar se mendojnë vetëm për mirëqenien e njerëzve të saj.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Pandemia, koha dhe konfuzioni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë