Gazetar: Blerona Jakupi Zylbehari
Piktori i njohur tetovar Nevzat Bejtuli Kica, me një përkushtim mbi 30 vjeçar në artin figurativ, në një bashkëbisedim me Nistorin, na ndihmoi të kuptojmë thellësinë e krijimtarisë së tij, mendimet e tij mbi artin, elementet që e frymëzojnë dhe veprat që aktualisht po realizon.
Rininë e tij e kaloi në Visoko të Bosnjë dhe Hercegovinës, një qytet i njohur për artin dhe kulturën, dhe siç pohon edhe vetë Kica, ky qytet ka ndikuar në formësimin e tij.
“Shumë gjëra, ëndrra, përgatitje për jetën varen shumë nga mesi social ku jeton, me çfarë ballafaqohesh dhe takohesh. Edhe natyra e komunikimit në atë qytet është art në vete” thotë ai.
Por edhe pse ka jetuar jashtë, Kica thotë se mendjen e ka pasur gjithmonë në vendin e lindjes.
“Unë këtë vend e dua. Edhe kur kam jetuar në Bosnjë mendjen e kam pasur në këtë vend. Unë kam lindur në katund, e dua katundin, i dua njerëzit dhe më vjen keq që gradualisht janë duke shkuar njerëzit që i kam njohur për së afërmi dhe ata njerëz më nuk ekzistojnë dhe atë e kam humbjen më të madhe. Frikësohem se një ditë nuk do mund t’i takoj ata që dua t’i takoj. E them me siguri se ky vend do më mungonte nëse nuk do kisha këtë rrjedhojë jetësore.”
“Çdo art ka porosinë e tij,” thotë Kica, duke theksuar se piktura nuk është vetëm një zbukurim, por përcjell mesazhe dhe shpirtshmëri. Akti i pikturimit, sipas tij, është një lojë që ndihmon të shfaqësh botën e brendshme.
“Kultura figurative nuk është vetëm dekor. Shpeshë herë në nocionin e komunikimit të njerëzve flitet se piktura është “thjeshtë e bukur”. Piktura nuk është e bukur, është filozofi në vete, pa e pasur filozofinë e saj, porosinë, domethënien e saj, ajo është vetëm dekor i rëndomtë” -shprehet Kica.
Për Kicën, ekspresionizmi është një element kyç i identitetit të tij artistik. “Ekspresionizmi më mban gjallë në kulturën figurative dhe jam munduar që asnjëherë të mos ta heq prej penelit tim” thotë ai.
Një simbol i veçantë për Kicën është kali, që e konsideron një kafshë të shenjtë dhe simbol të bukurisë dhe fuqisë. Kali zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Ai tregon edhe se hipizmi vazhdon të ngelet pasion dhe frymëzim për të.
Aktualisht, Kica është duke punuar për një cikël të ri rreth legjendave dhe kulturës së arbëreshëve të Italisë. “Arbëreshët janë inspirues; folklori i tyre më duket më tepër se modern,” shprehet ai, duke shtuar se planifikon të sjellë në jetë rreth 50 piktura për të treguar historinë e tyre të veçantë.
“Shumë pak kultura shqiptare është marrë me arbëreshët e Italisë. Ka ndikime të ndryshme politike, kohore, pa dashje i kemi lënë pas dore por ata e kanë ruajtur vetveten” – thotë Kica për Nistorin.
Pavarësisht se ka realizuar shumë piktura, ai veçon “Porositësit”, një pikturë e inspiruar nga filmi “Porosia”. Një pikturë e gjatë, realizuar në katër copa.
“Aty i kam katër kalorës të cilët nisen në katër anët e botës të dëshmojnë se Kurani ka zbritur” – tregon Kica.
Kica inkurajon artistët e rinj të besojnë në vetvete, të vazhdojnë të punojnë me pasion, sepse siç thotë “95% e suksesit është punë ndërsa 5% është talent.”
“Nuk duhet dorëzuar, nuk duhet futur në politikat ditore, duhen ndjekur ateljet edhe duhet besuar vetvetes. Nëse nuk i besoni vetvetes asnjë punë nuk ka vlerë, sepse 5% ka vlerë talenti, 95% puna” – porosit Kica.
Nevzat Bejtuli – Kica ka lindur në vitin 1962 në fshatin Gjurgjevisht të Gostivarit. Aty e ka filluar shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme, e ka kryer në Visoko të Bosnjë e Hercegovinës.
Akademinë e Arteve të Bukura e ka kryer në Shkup, në vitin 1993, kurse studimet pasuniversitare në Prishtinë. Nga themelimi i Universitetit të Tetovës është angazhuar si pedagog. Në Fakultetin e Arteve e ligjëron lëndën Nudo, Kërkimi dhe studimi i trupit të njeriut në artin figurativ. Ka thirrjen më të lartë akademike – profesor ordinar.
Kica ka realizuar shumë ekspozita personale në RMV por edhe në SHBA, Paris, Itali, Austri, Bosnjë, etj. /Nistori/