Shpirti i nji qyteti me shi

    Rozafa Shpuza

    Mirë se t’gjeta qyteti jem,
    me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave,
    strehë t’qindisuna me hej malli,
    gjethnaja t’bame zhubël
    si teshat e dashnorëve ndër oda hotelesh,
    hapa të stërpikun me sekrete rrugicash,
    çadra që flirtojnë me ritëm shtrëngatash,
    gështenja që gërsasin mbi ethe zgarash
    e frymë stërgjyshash t’ngujuem ndër korniza.
    Mirë se t’gjeta qyteti jem…
    M’gjegjet veç nji bubullimë
    që shkapetë dritaret e harrueme çilë,
    teksa zigzagu i vetimës arrnon retë e shkyeme.
    S’ka vransinë që ia shuen etjen qytetit tem,
    anipse shinat s’prajnë tue ia njomë
    buzët zhuritun mallit.
    Litarë shinash e përkundin prajshëm
    e qyteti miklohet si mica afër votrës…
    Por askush s’vëren avullin e mbas-shiut
    kur ngutet me rrokë gjokset e tjegullave
    ku përplasin krahët pëllumbat,
    që nisen saora me shpuplue dashni t’bame qullë,
    bashkë me mirazhe andrrash
    përqafun me tym oxhakësh vetmitarë.
    Nata ka me shprazë prore shi
    e refreni i qytetit ka me nisë sparit… / KultPlus/

    Lajmi Paraprak

    Artriti dhe Artralgia – Sëmundjet që dëmtojnë kyçet dhe nyjat

    Lajmi i rradhës

    Suedia nuk i jep qasje Rusisë në hetimet për rrjedhjet në Baltik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë