Për të 23-tën herë, grupi fotografik “Çkrap!” nga Tetova organizoi dje ekspozitën vjetore të anëtarëve të tij, përmes së cilës promovon punën dhe krijimtarinë e fotografëve. Këtë vit, në sallën e koncerteve të Muzeut të Rajonit të Tetovës (Shtëpia URM), para publikut tetovar u prezantuan 34 fotografi me tematikë dhe teknikë të lirë, të realizuara nga 15 fotografë, shkruan Tetovinfo, përcjell Nistori.
“Tre nga autorët tanë, Davor Spasovski, Aleksandar Dimitrievski dhe Sasho Ilov, këtë vit kanë fituar çmime të rëndësishme për fotografitë e tyre. Pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat jemi përballur në organizimin e një ekspozite të tillë, ashtu si në vitet e kaluara, arritëm të organizohemi dhe të prezantohemi sërish para publikut tetovar me gjithçka që kemi realizuar gjatë këtij viti”, deklaroi Zoran Andonov, anëtar i grupit fotografik “Çkrap!”.
Sipas anëtarëve të grupit, liria në përzgjedhjen e tematikës dhe teknikës fotografike përbën një përparësi, pasi i mundëson secilit fotograf të shprehë individualitetin dhe vizionin e tij artistik.
“Kohët e fundit, me përdorimin e telefonave celularë, ka ndryshuar mënyra e realizimit dhe e shpërndarjes së fotografive, ndërsa ekspozitat me fotografi të shtypura janë gjithnjë e më të rralla. Nëse i analizoni më thellë fotografitë, do të kuptoni se disa nga anëtarët tanë është dashur të ngjiten në male të larta, të tjerë të udhëtojnë deri në Indi, ndërsa disa të dalin natën, në shi, kur të gjithë ne qëndrojmë në shtëpi. Ndërkohë, edhe brenda dhomës së vet, një fotograf mund të realizojë portrete të pazakonta dhe interesante, siç kam provuar të bëj edhe unë”, theksoi Dragi Nedelçevski.
Në ekspozitën e sivjetme, për herë të parë me fotografitë e saj u prezantua edhe Danijela Bilbiloska, anëtarja e re e grupit fotografik.





