“Dashuria e tmerrshme për luftën”

    Xhejms Hillman, psikolog

    Lufta vazhdon ta prekë njerëzimin. Filozofia dhe teologjia kanë prodhuar shumë reflektime mbi këtë dukuri. Që në fillesat e mendimit perëndimor, Herakliti shkroi se “konflikti është ‘babai’ i të gjitha gjërave”. Por është psikologjia ajo që na bën të kuptojmë origjinën e luftës.

    Kështu Xhejms Hillman, një psikolog i shkollës Jungiane, që u nda nga jeta në vitin 2011, trajton gjerësisht këtë temë në librin e tij të famshëm “Dashuria e tmerrshme për luftën”. Ky libër na ofron një panoramë të plotë mbi luftën dhe mekanizmat e zhvillimit të saj.

    Hillman shkruan: “Në rast se nuk e kuptojmë këtë dashuri të fortë që ka njerëzimi për luftën, nuk do të jemi kurrë në gjendje që ta parandalojmë atë, apo të flasim në mënyrë të arsyeshme për paqen dhe çarmatimin. Nëse nuk e shtyjmë imagjinatën tonë tek gjendja luftarake e shpirtit të njeriut, atëherë s’do të jemi në gjendje të kuptojmë forcën e saj tërheqëse.

    Pra ne duhet të “shkojmë në luftë”, dhe ky libër është menduar të jetë një thirrje nën armë për mendjen tonë. Dhe ne nuk do të shkojmë në luftë “në emër të paqes”, siç pretendon shpesh retorika hipokrite. Përkundrazi ne do të shkojmë në luftë në emër të luftës, ose siç e thekson Hillamn për të kuptuar marrëzinë e dashurisë që kemi ndaj saj.

    Ishte Xhiambatista Viko i pari që u interesua mbi arsyet themelore të ligjit, gjuhës, letërsisë: temat e përsëritura, strukturat dhe forcat e përjetshme, të kudogjendura, emocionale dhe të pashmangshme që veprojnë mbi çdo jetë njerëzore, në çdo shoqëri njerëzore, ndaj së cilës ne duhet të përkulemi.

    Pra janë ato forcat që ne mund t’i etiketojmë si arketipale. Nëse gërmojmë pak më thellë do të zbulojmë se ka forca arketipale që nxjerrin në dritë temat mitike që përshkojnë kohërat dhe që janë të përjetshme. Dhe lufta është një forcë e tillë. Lufta është një temë e përjetshme e ekzistencës njerëzore, e cila merr kuptim nga mitet. Këtu qëndron edhe madhështia e kulturës greke: njohja e tragjedisë.

    Ne e trajtojmë dukurinë e luftës, pa marrë parasysh mitet dhe Perënditë, a thua sikur këto të fundit të kenë vdekur dhe janë zhdukur. Megjithatë, tragjedinë dhe atë bashkim të çuditshëm midis dashurisë dhe luftës, e gjejmë ende sot duke lexuar gazetat e këtyre ditëve mbi luftën në Ukrainë.

    Një luftë e pakuptueshme dhe e paimagjinueshme, ngrihet në nivelin e një situate mitike me Perëndi të gjalla dhe reale. Marsi dhe Afërdita janë gjithmonë mes nesh.

    Duhet reflektuar mbi pyetjen: A është vërtet anormale lufta? Mua më duket se nuk është kështu. Nëse shohim me vëmendje zhvillimet e pas Luftës së Dytë Botërore dhe ato pas konflikteve të mëdha që pasuan. Prandaj, po flasim për normalitetin e luftës duke supozuar një faktor tjetër: “pranueshmërinë” e saj.

    Luftërat nuk do të ndodhnin nëse nuk do të kishte njerëz të gatshëm që të kontribuonin për zhvillimin e tyre. Rekrutët, skllevërit, ushtarakët e karrierës: ka pasur gjithmonë njerëz të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për t’u vendosur nën armë, për t’u regjistruar në ushtri, për të luftuar.

    Por pse lufta është normale? A është kështu sepse i ka rrënjët tek natyra njerëzore, apo sepse është thelbësore për shoqëritë? A është në thelb ajo një shprehje e instinktit të agresionit dhe vetë-ruajtjes së qenieve njerëzore, apo është një zgjatim i sjelljes së tufës?

    Sidoqoftë, në të dyja rastet, gjithçka i referohet nevojës për të pasur imazhin e një armiku. Lufta, shkruan Tomas Hobs, është një situatë në të cilën çdo njeri është armik i çdo njeriu tjetër. Pa armiq është e vështirë të bësh luftë.

    Si një psikoanalist investigativ, Xhejms Hillman na thotë se lufta nuk është çnjerëzore, por njerëzore dhe i përket njerëzimit ashtu si racionaliteti dhe mendimi shkencor. Si mund të themi se lufta na bën të zbresim në nivelin e kafshëve, nëse luftën e bëjnë vetëm njerëzit?

    James Hillman ishte pacifist, ndaj thotë në librin e tij se lufta mund të ndalet vetëm duke e shndërruar në një mit kultin e tij. Nëpërmjet njohjes së miteve si standardizim i së paarsyeshmes, mund të gjendet tek identifikimi virtyti i tyre terapeutik. Kështu, duke depërtuar në sekretet e luftës, ne mund të zbulojmë mënyra të tjera për të kënaqur kërkesat e saj. Mënyra të tjera për të shkuar në luftë, pa e zhvilluar atë vërtet. / Giorgio Boratto, “Il Fatto Quotidiano” – Bota.al/

    Lajmi Paraprak

    Biden akuzon Rusinë për “gjenocid” në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    EKSKLUZIVE: Dosja penale e vrasësit të hendbollistit kroat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë