Daut Dauti
Ka qenë viti 1997 kur ne në Londër e nxirrnim gazetën ‘Albania’, të cilën e drejtoja unë duke pretenduar se po e vazhdonim traditën e gazetarisë shqiptare që në këtë vend e kishte themeluar Faik Konica. Gazeta, të cilën e botonim në mënyrë periodike (një herë në muaj) dhe pothuaj vullnetarisht, filloi të dilte një vit më herët dhe qëndroi edhe një vit më vonë (1998).
Në vitin 1997 ne (redaksia prej tre vetave) dolëm në një ndërtesë në Kilburn ku e gjetëm një zyre me qira që kishte pothuaj çmim simbolik. Zyra ishte një dhomë e vogël me dritare të metalta dhe dukej si para shkatërrimit. Por, kishim dy kompjuterë dhe internet, e cila gjë atëherë nuk ishte punë e vogël.
Ndërtesa ku u vendosëm ka qenë e madhe (tri katëshe) dhe ishte qendër kulturore latino-amerikane, udhëhqja e së cilës na e lëshoi këtë zyre pothuaj për bëmirësi. Ne nuk kishim këso qendre e nuk kemi as sot.
Sidoqoftë, një ditë në zyrën tonë erdhi një vajzë e zeshkët, me trup mesatar dhe me pamje latino-amerikane. Vajza kishte fytyrë të qeshur prore që ia shtonte simpatinë. U prezantua dhe tha se punonte në administratën e kësaj qendre. Ajo shtoi se ishte nga Meksika dhe kishte dëshirë të bisedonte me mua pasi që në derë e kishte parë “Albania” dhe se ne patjetër duhej të ishim shqiptarë, siç edhe ishim në të vërtetë.
E shikoi zyrën dhe kur e pa një poster të ngjitur në afër dritares, pyeti me dro dhe habi:’ Komunistë jeni, a?”
Unë qesha dhe e sigurova që nuk jemi të tillë. Ajo, pra meksikanja, e bëri këtë pyetje për shkak të pamjes që kishte posteri ku paraqiteshin një grup njerëzish me fytyra nervoze dhe me grushta të ngritur lart që përziheshin me tyta të pushkëve. Përfundi shkruante:”Liri a vdekje”. Posteri ishte një lloj pikture e punuar nga dikush me ndikim të frymës soc-realiste. Më duket se e kishte vendosur aty ndonjë aktivist i LPK-së, por unë nuk e hiqja se nuk më pengonte. Tek e fundit Kosova po shkonte në drejtim të luftës dhe posteri e kishte një rol e një porosi, pa marrë parasyshë ngjyrën ideologjike që e përçonte.
Kur vajza meksikane ia nisi të fliste shqip, unë u drejtova nga ajo dhe fillova ta trajtoja më seriozisht. Natyrisht që nuk dinte shumë, por disa fjalë e fjali i kishte kapur mirë. Shqipen, aq sa e dinte, e kishte mësuar nga i dashuri i saj shqiptar. Më tregoi shumë gjëra për të dhe arsyen pse ishte ndarë nga ai, pas disa muajve sa kishin qenë bashkë.
“Vinte në mbrëmje vonë, sillej keq dhe në mëngjes m’i merrte të gjitha paratë që i kisha. Pastaj, shkonte dikund dhe kurrë nuk e mora vesh se ku e çka punonte. Një ditë vendosa se ishte bërë boll kjo punë dhe e përzuna nga banesa” – më tha meksikanja.
Disa çifte kur ndahen, flasin keq për njëri tjetrin pasi që i kaplon urrejtja e dështimit të lidhjes së dashurisë. Disa edhe ia marrin inati tërë kombit që i takon pala tjetër. Por, meksikanja nuk kishte asnjë lloj urrejtje ndaj ish të dashurit dhe përjetimet e saja i tregonte me humor. E shihte thjeshtë si një gabim të saj që ishte lidhur me një njeri që kishte qëlluar të ishte shqiptar. Meksikanja ishte vajze e çiltër, e zonja e nuk i mungonte as bukuria, sa që mashkujt do të duheshin të kenë dëshirë të kenë gra të tilla. Por, ja që gjërat në këtë rast kishin pëfunduar ndryshe.
Ajo erdhi edhe një ditë tjetër në zyrën time dhe më pyeti nëse e kisha provuar ushqimin latino-amerikan në restorantin e kësaj qendre. Në fakt, unë as që e kisha ditur që në ndërtesë ka restorant. Kjo ishte për shkak se restoranti ishte në hyrjes e pasme të ndërtesës. Restoranti në fakt ka qenë kuzhinë popullore apo ‘Cantina Mexicana’ me pamje modeste dhe çmime të arsyeshme. Por, ushqimi ka qenë për ta mbajtur në mend. Aty shqiptarët, që krekosen se hanë shumë pasul e speca, kompleksohen. Pasuli ishte me dhjetëra lloje, kurse domatet me qindra e specat me siguri me mijëra lloje.
Llojet e salsave (ajo që ne i themi lang) kanë qenë më të prefruarat nga unë. Disa lloje të domateve, specave, hudhrave dhe qepëve të shtypura dhe të përziera me krip, vaj ulliri dhe uthull, që ngjyheshin me një lloj buke në formë të petës, kanë qenë maja e kënaqësisë kulinare për mua.
Sa herë që ha lëng, të shijshëm natyrisht, më kujtohet meksikanja, ish e dashura e një shqiptari.