Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, sonte në ora 20:00 do të shfaqet në skenën e TIFF ODA – Tetovë. Filmi do të jetë në vigjilje të natës finale ku poashtu edhe bën mbylljen e festivalit, njofton Nistori.
“Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetëveten.
“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV. /Nistori/
Në kuadër të TIFF ODA janë realizuar edhe një sërë projektesh, si punëtori, ligjërata, trajnime, etj edhe atë nën ombrellën e OPEN AIR CINEMA/CINE MOBILE – KINEMAJA SHËTITËSE
Ideja kryesore e këtij projekti është që nëpërmjet kinemasë shëtitëse te krijojmë vetëdijen për repertoar të kinemasë në qytete ku nuk ka kinema, në qytete të tilla siç jane: Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova. Në këto vende nuk ka kinema, nuk funksionon kinemaja si rezultat i mungesës së infrastrukturës.
Qëllimi i OAC
Inicimi dhe zhvillimi i jetës kulturore në strukturat e nivelit lokal si dhe bashkëpunimin në nivel qendror dhe ndërkombëtar.
OAC koordinon dhe përshtat aktivitetet kulturore ne rajon dhe ka për qëllim arritjen e mesazhit artistik dhe detyrave në zhvillimin e shëndoshë dhe cilësor, si ndërtimin e identitetit kulturor.
OAC inicon zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe ngritjen e vetëdijes për të drejtat e tyre, qe ju takojnë me ligj. Nisma për përdorimin e mënyrave te reja, gjegjësisht promovimin e vlerave kulturore.
Rezultatet:
- Aftësimi dhe promovimi i studentëve të rinj nga fusha e teatrit, kinematografisë, muzikës, animacionit, etj;
- Ngritja e vetëdijes së institucioneve dhe publikut të gjëre për fëmijët me nevoja të veçanta;
- Promovimi i kulturave të ndryshme;
- Promovimi i vlerave vendase;
- Promovimi i vlerave filmike/teatrale.
Aktivitetet kryesore
Punëtori në fushën e animacionit: Johan Zhonga;
Punëtori në fushën e teatrit-kukullave: Darko Kovacovski;
Punëtori në fushën e teatrit: Sabedin Selmani;
Punëtori në fushën e filmit: Berat Asani.
“Projeksionimi i filmave për fëmijë dhe moshave madhore në tema të caktuara. Me shpresë se aktivitetet tona nga viti në vit, kryesisht do të zgjerohen në pjesën veriperëndimore si në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë”, thonë nga OAC. /Nistori/