Guendalina Middei
Përktheu: Elon Caslli
Thanë se ishte i çmendur. U tallën me të. Talleshin me të sepse ishte ndryshe. Ai qeshte me ta sepse ata ishin të gjithë njësoj. “Ndodh diçka interesante me njerëzit e zgjuar. Ata në sytë e budallenjve duken si të çmendur”.
Që në moshë të re dashuronte muzikën, filozofinë dhe gjithçka që përflakte shpirtin pasi “Njeriu nuk jeton veçse me bukë”.
Kur ishte 38 vjeç, njohu një intelektuale të re ruse, Lou Von Salomè. Kur e takoi për herë të parë i tha: “Nga ç’yje kemi rënë për t’u takuar këtu poshtë”?
Ishte karakteri i tij pasionant që e tërhoqi Louan dhe po ai karakter e largoi përsëri atë, sepse denduria e emocioneve nuk durohet gjithnjë.
“Vetëm pasi u shoqërova me të, u poqa për Zarathustrën tim, sepse vetëm dashuria të shndërron”.
Pas ca vitesh u dha shtëpive botuese kryeveprat e veta, që nuk ishin thjesht libra, por copa shpirti. Ai i merr fjalët dhe i shndërron në ethe. Në penën e tij ka gjithçka; pyetjet e mëdha të atij që nuk kërkon rrugën që përshkojnë të gjithë, por “guxon”; forcën e dikujt që përshkon ferrin dhe rilind kurajon; forcën e dikujt që sheh brenda humnerës dhe e sheh veten si kundërpërgjigje.
Askush nuk i kuptoi shkrimet d tij. Askush nuk e kuptonte. Kjo ishte vetmia dhe njëkohësisht forca e tij. Disa e merrnin për të marrë, por atij nuk i bëhej vonë. Ai vazhdonte drejt në rrugën e tij. E dinte se koha e tij ishte tepër e çmuar për ta çuar dëm me njerëz që nuk të çmojnë siç duhet.
“Duhet ta heqim qafe shijen e keqe për të shkuar mirë me të gjithë. Gjërat e mëdha për të mëdhenjtë, humnerat për njerëzit e thellë, finesën për të butët dhe gjërat e rralla për të rrallët”.
Një ditë pa një burrë që godiste pa mëshirë kalin e tij sepse ai nuk ecte. Atëherë ai e përqafoi kalin e rrëzuar përtokë dhe filloi të qante. Të gjithë thanë se ishte çmendur.
“Ata që kërcenin u gjykuan si të çmendur nga ata që nuk e ndjenin muzikën”.
Kështu ndodhi me të, por mbi të gjitha ai e dinte që të jesh i lirë nuk është privilegj, por zgjedhje. Quhet shpirt i lirë ai që mendon ndryshe nga sa pritet prej tij krahasuar me origjinën, mjedisin, gjendjen apo funksionin e tij, ose krahasuar me opinionet mbizotëruese të njē kohe të caktuar. Ai është përjashtimi. Shpirtrat e lidhur janë rregulli.
Nëse je i lirë, je ti që krijon botën. Nëse nuk je i lirë, bota të krijon ty. Zgjedhja është juaja.






