Nga të huajt i nderuar dhe nga të huajt i vajtuar

    – Pasthënia e librit “Angelus Novus” (2023) të Xhevdet Bajraj, botim i Klubit Letrar “De Rada” –

    O Zot
    Më fal që ëndërrova aq shumë
    Dashuria ishte tepër larg
    E jeta ishte tepër e shkurtër.
    (Xhevdet Bajraj)

    Agron Shala

    Kur në qytetin e Meksiko Sitit, më 2, 3, 4, 5 maj të vitit 2023, për katër ditë me radhë mbahej homazhi poetik për poetin tonë Xhevdet Bajraj – prej më të mirëve shqiptarë e më të njohur ndërkombëtarisht – mu kujtua studimi i Pol Xhonsonit për dramaturgun e njohur norvegjez, Henrik Ibsen. Sa më shumë që shtohej fama e Ibsenit, aq më shumë ai fiksohej për mirënjohje. Kërkonte dëshmi të tilla prej pothuajse çdo emisari të çdo shteti që takonte. Përfshirë Egjiptin, pa çka që në kohën kur Ibseni jetoi, nuk kishte teatër në Egjipt. Ndërkaq, sa më shumë që pasurohej, bëhej më dorështrënguar dhe më pak ndihmonte. Hezitoi ta ndihmojë edhe vëllanë e vet, Nikollai Aleksandër, i cili vdiq si invalid në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I zhgënjyer, ky i fundit kërkoi që në gurin e varrit të tij të shkruhen këto fjalë: “Nga të huajt i nderuar dhe nga të huajt i vajtuar”.

    I tillë është realiteti i Kosovës. Njerëzit, të etshëm për çmime dhe për poste, piketojnë terrenin e vet dhe si grabitqarë rrinë gati dhe e shfrytëzojnë çdo mundësi për të sulmuar. Xhorxh Sajmon, në veprën bestseller të quajtur “Ujku në lëkurën e qengjit”, të tillët i ka cilësuar si agresivë të maskuar, qëllimi i të cilëve është pushteti dhe dominimi ndaj të tjerëve. Mirënjohja është njëri mjet për ta arritur qëllimin. Por, për dallim nga talenti dhe fama ndërkombëtare të cilën Ibseni me të vërtetë e meritoi, mirënjohjet e shumicës së atyre që jetojnë këtu e që thurin mite për veten, nuk i tejkalojnë kufijtë e Kosovës si provincë e parëndësishme e skenës globale kulturore. Ky realitet më ka shtyrë të reagoj edhe në vitin 2015, me shkrimin me titullin “Mbrojeni artin nga ‘artistët’ e Kosovës”, sepse ajo që quhej dhe merrej si art, dhe ata që zinin titujt e gazetave, ishin pasqyrë e shoqërisë së Kosovës dhe e shtetit pa vizion: shterp si ekonomia, të korruptuar si drejtësia, pa moral si politika. Kështu, shumë “artistë” të “mëdhenj” krijuan monopol dhe një të vërtetë virtuale rreth artit. Por, ajo që i identifikon më shumë është gënjeshtra. Përderisa arti është tentimi për të sjellë rendin nga kaosi, siç ka thënë kompozitori i njohur amerikan Stivën Sondhajm, monopolizuesit e artit dhe kulturës së Kosovës e thelluan kaosin, si mënyrë më e lehtë për ta mbrojtur delirin e madhështisë, duke shkruar e duke u krekosur për suksese që nuk ekzistojnë, për pjesëmarrje në festivale e ekspozita lokale, për çmime të parëndësishme. Sepse, Kosova është zona erogjene ku lehtë shfryhen epshet e “suksesit”, dhe kjo fatkeqësisht me fondet që vilen nga taksapaguesit dhe nga populli që jeton kryesisht në mjerim.

    Ky realitet e ka shqetësuar edhe Xhevdet Bajrajn. Jo se kishte nevojë për mirënjohje nga Kosova, aq më pak për fonde, por sepse si artist dhe krijues i mirëfilltë shquhej për dashurinë e madhe, për dëshirën për ta parë përparimin e vendit të vet. Detyra e çdo artisti të mirëfilltë është që ta luftojë të keqen,  për të vërtetën, që ta bëjë rendin nga kaosi, të udhëzojë për më të mirën për të krijuar edhe vizionin më të shëndetshëm për të ardhmen. Sepse, aty ku nuk ka art e vizion, siç ka thënë presidenti amerikan Lindon Xhonson, populli mbaron. Por, fatkeqësisht, rendi shkakton tronditje të kaosit. Rendi i thyen mitet e rrejshme. Prandaj, emri, vlera dhe nami i Xhevdet Bajrajt has në rezistencë të shumë qarqeve kulturore dhe arsimore të Kosovës. Sepse, duke e njohur sa më shumë Bajrajn, shihet edhe shëmtia që ka kaptuar vendin tonë.

    Ky realitet mund të lidhet edhe me këtë përmbledhje të poezive, që para vdekjes Bajraj ia ka lënë në dorëshkrim studiueses dhe kritikes Zyrafete Shala. “Angelus Novus” fjalë për fjalë do të thotë engjëlli i ri. Ky është edhe titulli i monotipit të artistit gjerman Pol Kle. Miku i tij, kritiku dhe filozofi Uoltër Benxhamin që e bleu këtë vepër, ka thënë se vepra flet për engjëllin e historisë, fytyra e të cilit kthehet kah e kaluara. Aty ku ne perceptojmë një zinxhir ngjarjesh, ai sheh katastrofën që vazhdon të grumbullojë rrënojat. Engjëlli dëshiron të zgjojë të vdekurit dhe të shërojë atë që është shkatërruar. Por, një stuhi fryn nga Parajsa; engjëlli mbërthehet aq fuqishëm sa nuk mund t’i mbyll krahët dhe një stuhi e çon tek e ardhmja. Stuhia është progresi, por engjëlli ia ka kthyer shpinën. Pra, është metaforë që përshkruan ndërlidhjen mes progresit dhe katastrofës. Duke parë vetëm rrënojat, ne mbase jetojmë në gënjeshtrën e përparimit. E, për gazetarin amerikan Sidni Heris, armiku i përparimit nuk është ngecja; është përparimi i rrejshëm. Ky përparim i rrejshëm njerëzit i bën jo vetëm mendjengushtë, por edhe mendjeshtrënguar, sepse nuk është në gjendje të thyejë muret e iluzioneve dhe as ta pranojë të vërtetën për veten dhe për të tjerët.

    Kjo është dhembja që Bajraj shpërfaq edhe në këtë përmbledhje, për progresin dhe vlerat e rrejshme në të cilat jeton shoqëria shqiptare, kudo në Ballkan. Ai flet për realitetin tragjikomik; për historinë e njerëzimit si një pyll i errët ku secili vazhdon ta lëndojë tjetrin; për njerëzit që ngjiten mureve si hardhuca e presin për t’i parë liderët e partive brenda makinave me xhama të nxirë; për shmangien e tjetërsimit, për nevojë për t’i prerë damarët e njeriut të huaj që kemi brenda vetes; për njerëzit që i detyron politika t’i kapërcejnë kufijtë me nga një fëmijë brenda valixhes dhe për gjurmët që lënë vetëm në fytyrat e prindërve të përmalluar; për jetën si personazh brenda një romani monoton; për shtetin ku vrasësit dhe viktimat varrosen në të njëjtat varreza; për vendin ku bixhozçinjtë më shumë i luten perëndisë sesa besimtarët që falen; për mitin e Rozafës që na ndjek, për përbindëshat që ditën e ndërtojnë Kosovën e natën e plaçkitin deri në themele; për tepricën e drejtorive për asgjë, të akademikëve, të shkrimtarëve e të filozofëve, të të vdekurve për së gjalli që nuk nuk duan të zbresin nga pushteti; për etërit e rinj të kombit; për morrat me diplomë që si parazitë jetojnë në pushtet; për shoqërinë e vlerave inverse ku qytetarët normalë trajtohen si kriminelë, kriminelët trajtohen si zotërinj apo edhe si heronj, e vrasësit si viktima e viktimat si fajtorë; për drejtësinë që sheh me një sy; për shqiptarin e Kosovës që vritet nga thashethëma, nga trimat me tastierë në anijen që nuk e drejton njeri, dhe nga injorantët që tallin dhe shkatërrojnë të pafajshmit që detyrohen ta çojnë jetën e ferrit si Reshit Qazim Mulleti …

    Por, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me mllef; jo siç e paraqita në rreshtat më lartë. Vargu i Xhevdet Bajrajt kudo ka bukuri e mendim. Vargjet e kësaj vepre mbartin vulën e mjeshtërisë dhe origjinalitet që do ta xhelozonte shumëkush që vërtet e do artin. Por, edhe dhembjen e artistit. Po për këtë, për Bajrajn nuk vinte pranvera. Në të jetonte vetëm vjeshta – dhimbja për vendin e vet.  Siç u tha më lart, ai nuk kërkonte mirënjohje, aq më pak të mirën personale – këtë ves të keq që është mallkimi më i madh i përparimit. Ishte profesor i çmuar i Letërsisë dhe i Shkrimit Kreativ në Universitetin Autonom të Meksiko Sitit; kishte famë; kishte edhe të mirat materiale. Dhuroi shumë, pa kërkuar asnjë shpërblim; Por, jetoi dhe iku fizikisht nga kjo botë me një dhembje të madhe. Kjo dhembje bëhet edhe më e madhe, kur epitafi i mësipërm i përshtatet edhe atij: “Nga të huajt i nderuar dhe nga të huajt i vajtuar”.

    Mbase ky është fati i krijuesve të mëdhenj, i mjeshtërve të fjalës si Bajraj: e çojnë jetën si Lasgush Poradeci, që me vete mbante një pilulë cianuri të cilën do ta përdorte për ta helmuar veten (nëse arrestohet nga regjimi komunist i Shqipërisë). Bajraj e mbante pilulën e tillë për të vdekur si njeri dhe si artist. Për të mos qenë pjesë e së keqes. Por, a ka vdekur ai? Teksa bëj tërheqje mes jetës së tij dhe të Lasgushit, vlen të ceken fjalët që ky i fundit ia ka thënë së bijës, për servilët e popullit të vet që e përndiqnin dhe nuk e linin të qetë të krijojë dhe ta ketë namin që meriton: “’Unë jam i pavdekshëm. Këta do të ikin, do shkojnë, kurse unë jam i përjetshëm. Unë do rroj, jam i pavdekshëm”. Ashtu sikurse në një letër që i shkruan Asdrenit ku i thotë: “Vjershëtori nuk rron jetën e vet të vdekur, rron jetën e pavdekur të kombit të vet”. Dhe, vërtet, kush i mban sot mend ata që e luftuan Lasgushin? /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Djaloshi 10-vjeçar u bë hit në rrjetet sociale – hartoi një plan financiar se si do ta paguajë shkollimin në kolegj

    Lajmi i rradhës

    Vetëm UEFA mund ta ndalë Real Madridin me strategjinë e re për t’i rritur fondet

    Lajme tjera

    Njeri i vetëm

    Evgenij Evtushenko Ҫ’turp për njeriun e vetëm,që pa një mik,pa një mike,pa grua,shkon te kinemtografët,ku gjithmonë projektimet zgjasin…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë