Një replikë e para tridhjetë vjetëve mes Ridvan Dibrës dhe Frederik Rreshpjes

    Kryeredaktori i gazetës “Shkodra”, Ridvan Dibra i përgjigjet kryeredaktorit të gazetës “Ora”, Frederik Rreshpja

    Përgatiti Andreas Dushi

    Gjatë darkës në Ulqin, për të cilën kam shkruar në artikullin Tradita dhe e sotshmja në Panairin XXI të Librit në Ulqin (“ExLibris”, 193, fq. 21), me ish profesorin tim, shkrimtarin laureat të çmimit Liburnia, Ridvan Dibrën folëm, mes të tjerash, edhe për poetin e dashur e mikun e tij, të ndjerin e të madhin Frederik Rreshpja. Kisha lexuar se si në numrin e fundit të gazetës “Ora”, qershor ’92, Rreshpja ironizonte Dibrën për mënyrën sesi ky i fundit drejtonte gazetë rivale, “Shkodra”. Profesori më tha se historia ishte më e gjatë, fillonte kohë më para, por pa më dhënë detaje. Ata i kërkova unë, dhe zbulova këtë replikë që në vijim po botoj.

    E gjitha fillon me një intervistë të dhënë nga Rreshpja në gazetën drita më 3 nëntor, 1991. Mes të tjerash, ai shprehet se Të tërë bëjnë politikë, Ramiz Alia bën art. Dibra, atëherë gazetar pranë “Shkodra” (15 nëntor, 1991, fq. 1) boton artikullin me titull: “Arti” i presidentit po e çon Shqipërinë në greminë, zoti Reshpja! Përmbledhtazi, duke hequr pjesë dytësore, Dibra thotë:

    As që ma kishte marrë mendja se do të replikoja ndonjëherë me poetin e talentuar, mikun tim, Frederik Rreshpja. Shkak për këtë u bë intervista e tij dhënë gazetës “Drita” […] Ndoshta nuk do të ma kishin tërhequr vëmendjen po të kishin dalë nga goja e ndonjë prej atyre kalemxhinjve ordinerë që i ndesh përditë në gazetat tona të shumta. Por në gojën e një poeti të talentuar dhe intelektuali si F. Rreshpja, ato marrin peshë të veçantë dhe meritojnë gjykim.

    […]

    Sinqerisht që nuk e marr vesh ku konsiston arti i presidentit tonë, kur vendi po rrëshqet me shpejtësi skëterrë drejt greminës. Po, po, drejt greminës! Mos harro, i dashur mik, se poetët e nuhasin të ardhmen më saktë se 100 politikanë të marrë së bashku.

    […]

    Besoj se e kuptoni, zoti Rreshpja, që në këto momente është ndezur më ashpër se kurrë lufta mes Rrugës dhe Demokracisë. […] Me këtë rast dua të kujtoj thënien e një filozofi që ti e ke për zemër (e kam fjalën për Spinozën): “Nëse puna e bën kafshën njeri, uria e bën njeriun kafshë.” Dhe ti e kupton fort mirë, zoti Rreshpja, se me “kafshë” demokracia nuk ndërtohet, por vritet. E pikërisht në këto kushte, sipas jush, R. Alia bën art… Mjerë arti për artistët!

    […]

    Nëse e admiroja R. Alinë deri më 31 mars që shmangu gjakderdhjen finale, më pas e akuzoj që lejoi gjakderdhjen graduale. Mos harro, zoti Reshpja, që në Shqipëri çdo ditë vritet një njeri! Sepse nuk kemi Qeveri, nuk kemi shtet e, më duket, nuk kemi as president…

    RIDVAN DIBRA

    Dibra atëherë akoma nuk ishte bërë kryeredaktor i gazetës, pozicion që e mbante David Luka, profesori i nderuar shkodran. Gjithashtu, atmosfera e pas zgjedhjeve të ’91 ku doli fituese Partia e Punës ishte tepër e gjallë, sidomos në Shkodër, po të kemi parasysh edhe tragjedinë e tre prillit të atij viti kur humbën jetën katër të rinj shkodranë në protesta për demokratizimin e vendit.

    Gjithsesi, Rreshpja nuk ktheu një përgjigje, të paktën jo replikë të qartë kundër këtij shkrimi. Ama, mesa duket, nuk e harroi.

    Në janarin e vitit të ardhshëm, dega e Partisë Socialiste në Shkodër fillon të botojë organin e vet të shtypit me titull “Ora”. Kryeredaktor i saj, gjatë atyre shtatë numrave kur u botua, ishte Frederik Rreshpja.

    Në një krahasim të shkurtër mes saj dhe “Shkodrës”, vërejmë disa gjëra:

    Së pari, periodiciteti. “Ora” doli një herë në muaj, ndërsa “Shkodra”, një herë në javë;

    “Shkodra” kishte si logo një skicë të kalasë së Rozafës, ndërsa “Ora”, një foto të hyres së saj;

    Të dyja kishin nga katër faqe, me letër dhe format të ngjashëm, por jo të njëjtë;

    “Ora” identifikohej hapur me të majtën, Partinë Socialiste dhe, paçka se doli pak numra, në dy prej tyre shtrihet një intervistë e Ramiz Alisë, atëherë ish president, dhënë Rreshpjes, ndërsa “Shkodra” identifikohej pa vështirësi si e lidhur me krahun tjetër, të djathtin, Partinë Demokratike.

    Në “Ora”, në numrin 6, fq. 2, kryeredaktori Rreshpja boton një replikë me Ramiz Memçën që e pyeste nëse ka dieni për vjershat për të cilat ishte dënuar?. Në atë shkrim, pas përgjigjes së shkurtër, shkruan edhe dy fjalë për gazetën “Shkodra”.

    … Unë ndrysho nga ti [Ramiz Memça] pasi jam i burgosur i ndërgjegjes. Unë kam bërë burg për këtë popull mosmirënjohës, e kam kryer detyrën time dhe tani dua të deklaroj: se jam penduar përfundimisht që e shkatërrova jetën time kot, sepse kjo nuk është demokracia.

    Pra, që sot e tutuje, unë nuk jam më disident, sepse disidencën e kanë pushtuar vagabondet letrarë, prokurorët dhe komunistët e djeshëm.

    Dy fjalë për gazetën “Shkodra”: ajo fillimisht u shtyp mbi kontratën e gazetës “Jeta e Re” (organ i PPSH të rrethit), më vonë i erdhi liçensa. Është shtypur mbi letrën rezervë të “Jetës së re”. Dy gazetarët i mori nga “Jeta e re”: Ridvan Dibrën, Zhaneta Lazrin. Gazeta “Shkodra” ka bërë një punë të lavdërueshme kundër bolshevizmit dhe korrupsionit, por krahas bashkëpunëtorëve të ndershëm dhe demokratë, në të kanë botuar Akil Kurbini, Fadil Kraja etj, që më kanë dërguar në duar të sigurimit. Nuk kam shkruar ndonjëherë kundër “Shkodrës”, as kundër PD-së, se unë predikoj paqe në këtë qytet.

    […]

    Si artist dhe njeri i popullit unë jam i majtë, por mund të punoj në çdo gazetë. E dini zotërinj të PD-së se Preç Zogaj (që atë kohë ishte ministër i kulturës, shënim i imi, A.D.) më rekomandoi mua si kryeredaktor i gazetës “Shkodra” por ju e uzurpuat këtë gazetë dhe e kthyet në një organ monist. E pra, unë kisha 17 vjet pa punë.

    […]

    Me modesti po shënoj se unë kam pritur më tepër respekt nga lexuesit, por “Asnjëri nuk bëhet profet në vendin e vet”, – ka thënë Krishti.

    Unë kam lindur në këtë qytet, por mjerisht kjo gjë nuk më bën të lumtur. Ditën kur u arrestova kundër komunizmit, e kam ditur se edhe kockat e mia do të përfundojnë në Dri, pikërisht nga komunistët e konvertuar. Unë nuk mallkoj njeri, por jam i neveritur nga kjo përdhosje morale.

    Por duarkryq nuk do të rrimë në këtë luftë të re klasash, zotërinj inkuizitorë. Po vjen një kohë kur gjysma e gazetarëve do të burgosen për armëmbajtje pa leje.

    Edhe një herë po deklaroj publikisht se jam penduar përfundimisht që e shkatërrova jetën time kot; nuk ishte kjo demokracia që kemi ëndërruar.

    20 vjet kam qenë i internuar në këtë qytet si armik i E. H, i urryer nga servilët e PPSH-së. Po këta servilë, sot, me parulla edhe kundër Presidentit.

    […]

    Unë vetë jam ca radikal dhe e pëlqej luftën.

    Kush e do fjalën?

    Frederik Rreshpja

    Ridvani, tanimë ndoshta i bezdisur, i lodhur nga gjithë kjo, vendos t’i përgjigjet, për herë të fundit, një ndër të paktat replika të drejtpërdrejta që Dibra ka bërë ndonjëherë. Edhe titulli… titulli është Paqe, miku im! – Sqarim me shkrim Frederik Rreshpjes-. Pas një mbylljeje të detyruar për 20 ditë të gazetës, për shkak të mungesës së fondeve për botim, me datë 28 maj 1992 botohet numri 34 i saj. Qysh në faqen e parë, në dy kolona në të djathtë, është edhe shkrimi i sipërcituar.

    “Kush e do fjalën?” pyesni jo në fund të replikës me Ramiz Memçën, botuar kohët e fundit në gazetën “Ora”. Po e marr unë i pari. Për dy arsye. Së pari, që të mos e marrë një tjetër para meje me synimin qëllimkeq që të të armiqësojë edhe më me qytetin tënd dhe së dyti, sepse të kam mik. Ne të dy nuk kemi spuinuar e futur në burg njëri – tjetrin, veçse kemi pjekur e pirë së bashku raki rrushi. Dhe unë do të vazhdoj të të kem mik përderisa shpirti yt të vazhdojë të prodhojë poezi të mrekullueshme, edhe në u bëfsh fashist a budist. Por për hir të kësaj miqësie nuk mund të toleroj të pavërtetat e tua lidhur me gazetën “Shkodra”. E bëj këtë jo për të mbrojtur nderin tim, por atë të gazetës, si një detyrim ndaj atyre dhjetrëra e qindra qytetarëve të ndershëm e demokratë që djersitën e u lodhën për të. Dy apo tre emra nuk mund ta përlyejnë emrin e mirë të një gazete. Pastaj, sinqerisht, nuk e kuptoj i nderuar mik, se ç’ishte nevoja të përgojonit “Shkodrën” në kuadrin e një replike personale me R. Memçën?Unë asnjëherë nuk kam shprehur kurrfarë paragjykimi për “orën” tënde. E lexoj rregullisht atë, siç lexoj edhe gazetat e tjera. Ju merrni përsipër të bëni “historikun” e “Shkodrës” me trillime e të pavërteta, me përjashtim të një fakti për të cilin do të ndalem në fund. Ku konsistojnë këto të pavërteta?

    1. Ju thoni se gazeta “Shkodra” fillimisht u shtyp mbi kontratën e gazetës “Jeta e re”. Nuk është e vërtetë. Kam në dorë (po të kisha mundësitë dhe teknikën e gazetës suaj, do ta botoja) një VENDIM të Këshillit të Ministrave për lejimin e botimit të gazetës “Shkodra” […]

    2. Ju thoni se gazeta “Shkodra” është shtypur mbi letrën rezervë të “Jetës së re”. Sigurisht, që bëni shaka i dashur mik. Ajo letër nuk ishte as e “Jetës së re” dhe as e “Pravdës”. Ishte letër e shtypshkronjës, e shtetit. Dhe këtë letër shtypshkronja e përdorte jo vetëm për gazeta por dhe për punë të tjera të sajat. Këtë letër ne e pauam deri më një sipas tarifave të atëhershme. Sa për dijeni, me këtë letër u shtypën edhe disa numta të gazetës “Pishtari” dhe një botim i veçantë për të nderuarin At Gjergj Fishta.

    3. Ju thoni se gazeta “Shkodra” u uzurpua dhe u kthye në një organ monist. Nuk është e vërtetë! […]

    4. Ju thoni se Preç Zogaj ju rekomandoi ju si kryeredaktor i gazetës “Shkodra”. Përsëri bëni shaka! Nuk e kuptoj se ç’punë ka një ministër kulture të rekomandojë e caktojë kryeredaktorin e një gazete lokale?

    5. Ju thoni se gazeta “Shkodra” gazetarin Ridvan Dibra e mori nga “Jeta e re”. Këtu po, keni plotësisht të drejtë[…]

    Tani, të lutem për PAQE miku im. Jo se i trembem luftës, por se nuk ia vlen të imitojmë Don Kishotin e të kënaqim të vegjlit. Mbi zjarrin e shpirtrave tanë ata veç kërkojë të nxejnë duart. Le të mendojmë për shtatorin e kazanëve të raksië që nuk është aq larg…

    RIDVAN DIBRA

    Por mesa duket, as pritja për rakinë nuk qetësoi gjakrat, përkundrazi. Numrin e radhës të “Orës”, Rreshpja e ndërtoi në mënyrë të atillë që të krijohej vendi e hapësira për një shënim tepër ironik lidhur me “Shkodrën” dhe vetë Ridvanin. Ishte numri 7, i fundit i Orës, dhe mbyllej pikërisht me shkrimin Në vend të një citati.

    Citati është një gjë e mërzitshme, por në shkrimet e zotit Ritvan Dibra merr një bukuri të veçantë. Mua, ca nga këto citate më kanë vlejtur shumë, aq sa edhe kur dua të flë, shfletoj gazetën “Shkodra”. Kështu kam mësuar shumë gjëra që nuk i kam ditur, të tëra të cituara nga personalitete gamizë

    […]

    Grektë e lashtë kanë qenë qerratenj të mëdhenj. More, po ku i dinin tërë ato citate? Të thuash se janë citate të shpifura, s’e thua dot. Ja ç’lexova një ditë “Vezët i bën pula, – ka thënë Empedokli.” Ta shikosh kështu nga ana praktike, ky Empedokli rezulton një marraq i lezetshëm që e meriton plotësisht atë fund vullkanik. Mirëpo këtu kemi një autoritet tjetër të fortë, kemi z. Ritvan. Dhe një autoritet i tillë s’ja fut kot.

    […]

    Mirëpo na erdhi një ditë që citatet u mbaruan. Pikë! Citate nuk ka më. A mos pandehni që janë gjëra që i sjell tok me fasulet operacioni “Pelikan”?

    Kështu pra, për mugesë citatesh na u mbyll edhe gazeta “Shkodra”. Më erdhi vërtetë keq, se njerëz jemi. Pastaj me z. Ritvan jemi miq dhe ai është shumë kavalier.

    U pa puna, tani e tutje, kafetë e mia do t’i paguaj vetë.

    Nga keqardhja, në krye të javës i dërgova z. Ritvan një pako me citate. Në fillim qenë ca citate të shkrimtarit japonez të shek. të lulëzimit të tankës, Frerikava Rreshiuma. Kuptohet që stili s’qe fort i përkryer e nga kjo ju mbase e kuptoni që demek ky Frederikava deri diku isha unë që për t’i dhënë rëndësi gazetës, z. Ritvan dhe personit tim të thjeshtë, u bëra fund e krye samurai. Punë e madhe! Japonezët nuk janë as grekë as serbë.

    […]

    Sido që zëmë të grindemi përsëri, më erdhi mirë kur mësova që gazeta “Shkodra” do të dalë dhe se citate do të shkruhen deri në ditën e kiametit. Thonë se në krye fare do të ketë një citat të Komietetit Demokratik Ekzektuiv në lidhje me ca para në formë subvencioni apo në lidhje me ligjin. Epo, këtë ka për ta thënë Spinoza!

    Pastaj thonë se në faqen e katërt, në aperturë, do të jetë një citat personal i shkruar nga miku juaj samurai: “O Zot i madh, ndihmoje Shqipërinë, ku jemi kaq të shumtë ne budallenjtë që fare mirë mund të bëhemi ministra!”

    Frederik Rreshpja

    E vetmja përgjigje që u kthye ndonjëherë ishte një katror i vogël në faqen e parë të “Shkodrës” pak numra më pas ku Dibra shkruante se, pavarësisht sharjeve të vazhdueshme të Rreshpjes dhe gazetës “Besa”, nuk do t’u përgjigjej më.

    Në auditor, profesor Ridvani na fliste gjithmonë për Rreshpjen. Aty e kam dëgjuar për herë të parë ekzistencën e këtyre dy gazetave, “Shkodra” dhe “Ora”, prej tij. Por pa përmndur këtë përplasje. Rikthimi i kësaj replike në vëmendje sot, kur Rreshpja nderohet, postum fatkeqësisht, si një ndër majat e lirikës shqipe dhe Dibra e ka konsoliduar vendin e tij në letërsinë shqipe, mendoj se është diçka e këndshme, e bukur. Dhe, veç pse më ngjan e tillë, vendosa ta përgatis dhe botoj. /Exlibris/

    Lajmi Paraprak

    Ky iluzion optik ju ndihmon ta kuptoni më mirë veten

    Lajmi i rradhës

    Të huajt nuk ikin nga Vlora! Plazhet e egra janë të mbushura me pushues perëndimorë

    Lajme tjera

    FËMIJËT …

    Poezi nga: Maram Al MasriPërktheu: Elmaz Fida Fëmijët nuk i kuptojnëedicionet e lajmeverënien, ngritjen dhe luhatjen e bursësmadje,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë