NOKTURNO

    Bardhyl Zaimi

    Duhet të ngadalësojmë Imzot
    gjithçka po ngutet drejt fundit të vetë
    gjithçka po vdiret në qenësi shkurresh
    gjithçka struket në pafuqi madhështore
    Në thelbet njerëzore myku ushqehet prajshëm
    jeta jonë nuk është më e jona
    hijet e kërcënimit të padukshëm zgjaten
    na prekin me andje pavetëdije
    na tulatin në qoshin e ekzistencës sonë
    Mbramjet nuk janë mbramje
    as agimet s’janë agime
    por re të verdha, gogësima toke
    Netët nuk janë net
    por pirgje vetmish të strukura në kolltuqe
    as ditët s’janë ditë
    janë ngutje të pavërejtshme në shiritin kohës
    Duhet të ngadalësojmë Imzot
    frymë thellë t’i marrim lules
    në saksinë prej dheu të pjekur fort nga dielli
    të prekim me maje gishtash të dashurit
    t’i ndjejmë sërish pranë
    aq pranë sa për të thithur
    gjithë nektarin e ekzistencës
    gjithë afshin që përfaqëson njeriun
    Duhet të ngadalësojmë Imzot
    përsëri të ndjejmë avullin e çajit
    tiktakun e zemrës së ditës
    shpirtin e gjësendeve të harruara
    hapat e ardhjeve dhe ikjeve vetmitare
    Duhet mbajtur shënime
    duhet vizatuar fëmijërisht një botë tjetër
    me rrënjë në zemrën e ditës
    me degë në cepat e universit
    Duhet përgjuar frymëmarrjen e tjetrit
    se gjallnia e qenies kërkon qetësi e heshtje
    Duhet të ngadalësojmë Imzot
    gjersa gjumi ulet si mbramje mbi pemët
    duar të pafajshme lëvaren si degë të njoma
    është koha të mbledhim xixëllonjat e shpresës
    hareshëm të përhumbur në lojën tonë
    në mrizin e zanave
    në atë univers të përjetshëm përrallash njerëzore
    sepse gjithçka duhet ribërë nga fillimi Imzot.

    Lajmi Paraprak

    Fobia nga plakja

    Lajmi i rradhës

    MPB-ja zgjeron hetimin për rastin “Ryshfeti në Bllacë”

    Lajme tjera

    “Obelisku i zi”

    Fragment nga romani fantastik i autorit Erich Maria Remarque “Obelisku i zi”, mendoj se është romani më i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë