“Armiku i popullit” | Aktorët e Teatrit të Tetovës: Për çudi, vepra e Ibsenit përkon me aktualitetin në RMV (Video)

    “ARMIKU I POPULLIT” ME REGJI TË ARBEN KUMBAROS DHE AUTOR HENRIK IBSEN, EDHE GJATË REPRIZËS SË SHFAQES MBUSHI PLOT ME ARTDASHËS SALLËN E TEATRIT TË TETOVËS. AKTORËT ME MJESHTRINË E TYRE SOLLËN SHFAQEN SËRISH NË NIVELIN QË PUBLIKU TË REAGOJË. VEPRA E VËNË NË SKENË, NËPËRMJET DOKTOR STOKMANIT, PËRPIQET TË NA THOTË SE, TË JESH “ARMIK” ME ÇDO ÇMIM NDAJ KORRUPSIONIT E PARDREJTËSIVE, ËSHTË AKTI MË EMANCIPUES PËR VENDIN DHE POPULLIN TËND, SHKRUAN NISTORI.

    Në rolin kryesor ishte aktori Arsim Fazlija. Ai për Nistorin shprehet mjaft i kënaqur me bashkëpunimin me regjisorin nga Shqipëria Arben Kumbaro. Mundësia për të lozur një rol të madh si doktor Stokman, sa ka qenë kënaqësi, por edhe përgjegjegjësi e sfidë.

    “Ishte kënaqësi që mu dha ky rast dhe falënderoj regjisorin që pati besim. Shpresoj të kishte ngelur i kënaqur. Jam munduar që mos të ikë asgjë nga ajo që kemi bërë. Brenda shfaqes ka ndërrime të emocioneve. Herë duhet të jesh me një energji të plotë, sepse dëshiron ta rëzosh pushtetin dhe nuk e di se çfarë të pret. Për shikuesin është e këndshme, por si lojë për aktorin është që të lëshohet në rrethana dhe të reagojë në situatë” – shprehet Fazlija.

    “Përshtatja me rolin ka qenë e mirë, duke marrë parasysh se kemi punuar me një regjisor me renome, siç është Arben Kumbaro dhe ma ka lehtësuar shumë rrugën…Teksi i Hibsenit vërtetë është i shkruar para 100 e ca vitesh në Norvegji. Por, çfarë t’i bëjmë që është aktual edhe te ne” – deklaron aktori Blerim Ismani.

    “Ajo që mendoj pse ky rol më ka plotësuar është tipi i roleve atraktive që janë brenda teksteve, siç janë të Hibsenit, Çehovit. I gjithë ekipi kemi frymuar bashkë dhe për mendimin tim secili e ka dhënë hakun gjatë procesit. Jo vetë, por bashkë kemi arritur një sukses. Sukses ne e shohim reagimin e publikut” – thotë Petrit Neziri, aktor.

    “Ishte një emocion i papërshkruar. Armikun e popullit e kam lexuar kur kam qenë studente dhe e kam dashuruar si vepër, sidomos rolin tim, sepse e kam parë që është doktor stokmane e dytë. I falenderoj kolegët që më kanë pritur shumë, sepse është shfaqja ime e parë, si punësuar” – vlerëson aktorja Sheqerie Ilazi.

    “Gjithmonë gjatë provave i thoshim profesor Arben Kumbaros, se është për t’u habit se si shfaqja përkon me realitetin tonë në vitin 2022, ndërsa Hibseni e ka shkruar diku në vititet 1880. Shfaqja, besoj e thotë publiku sa funksionon, i përket 99% realitetit në Tetovë dhe në Maqedoni” – shprehet aktori Hasim Memishi – Sopi.

    Sopi shton se shfaqja kurdo që të jepet do të jetë aktuale, sepse edhe pas 30 vitesh tranzicion, realiteti në vendin tonë nuk ka ndryshuar. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: Pa bashkëpunim institucional, nuk mund të zgjidhet problemi me qentë endacakë në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Momenti kur Makhachev rrëzon Oliveiran me një grusht në tokë dhe pastaj e detyron ta dorëzojë luftën

    Lajme tjera

    Ekspertët

    Faik Konica Në një shtet të ri, të çarë nga partitë dhe nga interesat vetjake, siç ka qenë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë