Për Enesën dhe mjellmat e saja

    Xhemazije Rizvani / Fotografia: Nistori

    Xhemazije Rizvani
    Publiciste

    Nga Enesa Memeti, para një dekade, kur ndanim orë mësimore bashkë dhe biseda të shumta në një shkollë, mësova më shumë për mjellmat, jo nga librat, as nga enciklopeditë, por nga pikturat që ajo pikturonte me shpirtin e saj siç fëmijët pikturojnë dashurinë pa fjalë.

    Në një nga ato bisedat që mbeten në kujtesë dhe që ia thash në natën e ekspozitës ishte se akoma i kujtoj kur më pati treguar se mjellmat krijojnë çiftet më besnike, dhe kur njëri partner shuhet, tjetra kurrë nuk çiftëzohet më.

    “Nuk këndojnë si zogjtë, më tha, por kur ndjejnë se koha ka ardhur që më nuk durojnë pa partnerin e tyre, nxjerrin tinguj që s’janë melodi, por ca zëra e zhurma të pakuptimtë. Kjo është kënga e tyre e fundit. Mendova, një teatër i dhimbshëm, pa duartrokitje.

    U magjepsa nga kjo çiltërsi dhe ky përkushtim, u rrënqetha nga ideja se një shpend mund të dojë kaq thellë dhe s’di pse, më pas, kjo dashuri u bë metaforë për njerëzit. A denjojnë njerëzit për një të tillë krahasim. Pastaj, si në një përrallë që rikthehet, mu kujtua edhe historia e dhimbshme e “rosakut të shëmtuar”, që në gjykimin e turmës u quajt i huaj, por në një liqen larg gjeti dikë si vetja dhe pa se ishte një mjellmë. Sepse ndonjëherë duhet të ikësh nga turmat që të kuptosh bukurinë tënde.

    Mbrëmë, sërish mësova prej Enesës. Vetëm se kësaj here, pikturat e saj më treguan se ekziston edhe mjellma e zezë. Nuk është mit, as vetëm simbol, por dhimbje që ka marrë ngjyrë, pikëllim që është shndërruar në formë. Enesa i kishte trupëzuar 39 ndjenja, të gjitha të pagëzuara me emra që s’të lënë të ikësh pa reflektuar:

    “Dashuria”, “Foleja”, “Përkrahja”,
    “Trungu familjar”, “Shpresa”, “Krenaria”,
    “Kujtimet e mjellmës”…

    Ajo i njihte të gjitha si nëna që njeh frymën e fëmijës. Secila pikturë ishte një copëz nga ajo vetë, një ndjenjë, një reflektim mbi burimin e dashurisë dhe lumturisë së saj. Asnjë dashuri nuk ka mbaruar me largimin e tjetrit, por janë forcuar më shumë. Si dikush që humbet një shqisë por i mrehen më shumë tjerat.

    Ajo e kishte shpërndarë madhështinë e të qenit nënë në çdo telajo, herë si engjëll që zgjatet mbi fëmijën, herë si mjellmë që shpalos krahët për të mbrojtur të vegjëlit, herë si ngrohtësi që të përfshin pa të pyetur nga vetëm ideja se ajo ekspozitë i kushtohet një nëne që kishte sjellur në jetë një grua si Enesa.

    E njihja çiltërsinë e saj dhe e dija se çdo ngjyrë vinte nga thellësia e dashurisë, që edhe të zezën, vuajtjen, “zinë” siç themi ne, ajo e kishte rikthyer në jetë.

    Sepse dhimbja është pjesë e jetës, na e kujtonte edhe Anton Pashku: “Pa një ‘oh’ nuk krijon dot.” Dhe Dostojevski, që prej dhembjes së vet shkroi kryevepra.

    Enesa është një grua që pikturon me dhimbje, por nuk ndalet aty, ajo fluturon mes bardhësisë dhe hijes dhe mes këtyre qëndron kozmosi që e ushqen artistin.

    Mes shumë fytyrave dhe luleve që pashë mbrëmë, më e veçanta ishte ajo e zonjës Nurije Kadriu e veshur bukur, kushërirë e nënës së Enesës. Prej rrëfimeve të bijës së saj, gazetares së njohur Lindita Kadriu, e njoh më shumë atë figurë të heshtur, të fortë dhe të ndjeshme. Zonja Nurije nuk e mori veten për një kohë të gjatë pas humbjes së kushërirës së saj, e cila kishte banuar te ajo gjatë studimeve në Shkup.

    E dija që pas Enesës qëndronte një nënë e tillë – e mençur, e përkushtuar, që kishte ditur t’ia mëkonte dashurinë për mjellmat.

    Ajo përmes këtij mëkimi flet me ngjyra, jetën nuk e thotë me fjalë, por me dritë, formë dhe heshtje. Dhe ka mjellma që, edhe pse të zeza, janë më të bardhat që kemi parë ndonjëherë, këto janë mjellmat e Enesës.

    Lajmi Paraprak

    Urbanizimi i egër kërcënon liqenin e Ohrit dhe të Strugës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë