Autor
David Bellos
Përktheu nga anglishtja
Aristidh Shqevi
Duke lexuar Kadarenë, David Bellos zbulon një botë të tërë
në formën e saj letrare: një gërshetim mjeshtëror të mitit dhe
folklorit, me përshkrime të mendjeve moderne dhe realiteteve
vendore, që përfshijnë një lloj humori finok dhe nënqeshës.
Arsyeja parësore përse duhet ta lexojmë Kadarenë është se ai është një shkrimtar i madh. Kadareja rrëfen histori të mrekullueshme, dhe madje, shumë të tilla.
Në njëfarë mënyre, ai është si Balzaku. Në të vërtetë, Balzaku e kufizonte veten në një vend, të quajtur Paris, dhe në një periudhë kohore të caktuar, vitet 1820-të (me përjashtim të disa daljeve në provincat franceze, dhe periudhës së Rilindjes), ndërsa Kadareja na çon kudo: në Egjiptin e lashtë, Kinën moderne, në një pikë pushimi turistik në brigjet e Balltikut, në Moskë, Austri, si edhe në Perandorinë Otomane. Kapaciteti i tij për të udhëtuar nëpër botë është thuajse i ngjashëm me atë të Zhyl Vernit.
Po ta lexoni Kadarenë, do të kaloni nëpër epoka që të shpien në kohën e lindjes së shkrimit: nga ndërtimi i Piramidës së Madhe të Keopsit, te debatet se kush duhej të ishte trashëgimtari i Enver Hoxhës në vitet 1980-të, ngjarjet që ndodhën, si edhe situatat e pranishme në Evropën perëndimore mbas rënies së komunizmit.
Pjesa dërrmuese e shkrimeve të Kadaresë lidhet me ngjarje të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të njëzetë. Prilli i Thyer vendoset në vitet 1930-të, Kronikë në Gur në vitet 1940-të, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur në vitet 1950-të, ndërsa Vajza e Agamemnonit në vitet 1970-të. Tematika e larmishme e këtyre librave i jep mundësi lexuesit të njihet me historinë e Shqipërisë dhe atë të botës, nëpërmjet prizmit të letërsisë fiktive (fiction). Kjo është një arsye shumë e mirë për ta lexuar Kadarenë, gjë që unë e bëj me shumë kënaqësi. Ai ka krijuar, le ta themi, një univers paralel që ndërlidhet thellë me atë në të cilin ne jetojmë. Bëhet fjalë për tërësinë e botës në formë letrare.
Ai ka krijuar, le ta themi, një univers paralel që ndërlidhet thellë me atë në të cilin ne jetojmë. Bëhet fjalë, për tërësinë e botës në formë letrare.
Natyrisht, Kadareja është më shumë sesa një shkrimtar. Ai është, njëkohësisht, dramaturg eseist dhe botues, pa harruar se për një periudhë ka punuar, gjithashtu, si gazetar. Në fillimet e karrierës së tij të gjatë, ai shumë shpejt u bë i famshëm si poet, në fakt, si një poet i ri me dimensione të mëdha në Shqipërisë moderne. Gjithsesi, për lexuesit në gjuhën angleze, ai njihet vetëm si shkrimtar që lëvron në prozën fiktive, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij, përfaqësohet me zhanrin e romanit.
Pavarësisht nga kjo, Kadareja nuk krijon vetëm një lloj romani. Disa nga historitë që ai shtjellon, përbëhen vetëm nga disa faqe, si për shembull, Pallati i Ëndrrave; të tjerat janë saga të gjata që shkojnë deri në pesëqind faqe, madje edhe më shumë. Mes tyre, ka tregime të gjata, si Vajza e Agamemnonit, pastaj ka edhe novela, të cilat Kadareja i quan “mikronovela”, si Ikja e Shtërgut. Nga ana tjetër janë romanet e një gjatësie standarde, si Prilli i Thyer, romanet e gjata të ashtuquajtura romans-fleuve, ku përfshihen Koncert në Fund të Dimrit dhe Dimri i Vetmisë së Madhe. Kësisoj, në lidhje me strukturën formale, si lexues, keni mundësi të eksploroni një larmi të madhe brenda një vepre që vetë eksploron mbarë botën.
Është e zakonshme që Kadarenë ta lexosh si një shkrimtar që, në të vërtetë, flet për jetën e tij në Shqipërinë e regjimit të E. Hoxhës. Sigurisht që ka diçka të vërtetë në nocionin se të gjitha vendet dhe kohët e ndryshme të universit të Kadaresë janë imazhe të zhvendosura të një vendi dhe kohe të caktuar. Gjithsesi, si lexues të tij, ju nuk jeni të detyruar që të keni dijeni për këtë fakt, dhe as ta vini re atë. Rrëfimet e Kadaresë mund t’i lexoni thjesht si rrëfime. Ai mund t’jua ngjallë interesin për fantazmat, nuset që udhëtojnë me mijëra kilometra mbi një kalë fluturues, kufoma që ngrihen nga varri . . . dhe shumë gjëra të tjera që nuk janë domosdoshmërisht tërheqëse për një lexues racional dhe modern si vetja ime. Sidoqoftë, gërshetimi i mitit dhe folklorit me portretet e mendjeve njerëzore dhe realiteteve vendore është aq mjeshtëror, saqë unë e ndiej forcën magnetike të tij, dhe shpresoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ju. Universi i Kadaresë ka shumë nivele, në fakt, ai përfshin të pashpjegueshmen, të jashtëzakonshmen dhe të çuditshmen.
Universi i Kadaresë ka shumë nivele, në fakt, ai përfshin të pashpjegueshmen, të jashtëzakonshmen dhe të çuditshmen.
Një nga veçoritë më mahnitëse dhe të pandryshueshme të botës së Kadaresë është prania kanosëse e disa miteve nga Greqia e lashtë: jo tërësia e mitologjisë greke, por vetëm ato mite që dramatizojnë urrejtjen familjare dhe ndikimin dehës, korruptues dhe të frikshëm të afërsisë me pushtetin.
Gjëja e dytë, që është gjithmonë e pranishme në veprat e Kadaresë, janë legjendat popullore ballkanike. Unë i quaj “ballkanike” dhe jo thjesht shqiptare, sepse ato ekzistojnë gjithashtu në shumë gjuhë të tjera të rajonit. Në të vërtetë, Kadareja dramatizon pikërisht çështjen e origjinës etnike të kulturave ballkanike në Dosja H, një nga rrëfimet e tij më magjepsëse, që bazohet në arritjet e bujshme historike të folkloristëve amerikanë, në viset shqiptare, gjatë viteve 1930-të.
Veçoria e tretë mbizotëruese që dua të përmend, është se Kadareja eksploron, thuajse në të gjitha rrëfimet e tij, marrëdhënien midis personales dhe politikes. Jo politikës në kuptimin vendor apo të çështjeve partiake, por politikës në kuptimin më të gjerë të saj, domethënë, mënyrës sesi grupet dhe individët i manipulojnë të tjerët dhe ushtrojnë pushtet mbi ta.
Një karakteristikë tjetër e botës së Kadaresë, le ta quajmë Kadaria, është moti, i cili, siç janë shprehur të tjerët, funksionon si një personazh me të drejta të plota. Moti te Kadaria është gjithmonë aq i kobshëm, saqë po të krahasohet me klimën e Skocisë, e bën këtë të fundit të duket si moti i rivierës italiane. Lexuesi e kupton menjëherë dimensionin thuajse komik të simboleve klimatike të Kadaresë (mjegulla, shiu i imët, shiu, bora, të ftohtët, qielli me re), meqë klima e Shqipërisë, në fakt, ngjan më shumë me rivierën italiane, sesa bregun e liqenit Lomond në Skoci. Ato janë mjedise jo bindëse për të shërbyer si një skenë e vërtetë, por janë gjithsesi simbole të gjendjes shpirtërore, që paralajmërojnë se nuk bëhet fjalë për një histori të lumtur. Sidoqoftë, ndihmesa e tyre shkon edhe më tej: ato ju parapërgatitin se në vepër nuk do të ketë vajza bionde, që ulen hapakëmbas teksa traktorët e rinj sjellin të lashtat e pjekura nën diellin e nxehtë, dhe se vepra do t’i refuzojë normat e imponuara në letërsinë shqiptare nga doktrinat sovjetike të realizmit socialist. Kjo është një mënyrë tepër e zgjuar që përdoret për të mundësuar një pozicionim kritik dhe shumë të veçantë brenda një shoqërie, ku kritika le ta themi, nënvleftësohej në mënyrën më të keqe të mundshme.
Shumë nga personazhet njerëzore të Kadaresë nuk janë të sigurt nëse janë zgjuar apo në gjumë. Paraqitjet tipike të jetës së brendshme të protagonistëve fillojnë me: “atij i dukej sikur . . . ,” “ai nuk ishte shumë i sigurt nëse . . . ,” dhe kështu me radhë. Kufiri midis të qenit në gjendje për të parë qartë dhe të mos qenit në gjendje për të vepruar ashtu, nuk ndahet pastër. Për këtë arsye, kur mbaroni së lexuari një roman të caktuar, qoftë ai rrëfimi i radhës së një legjende, si ai i The Ghost Rider, apo ristrukturimi thuajse historik, siç ndodh te Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, nuk mund të jesh kurrsesi i sigurt nëse ke qenë duke ëndërruar apo jo. Kadareja na shtyn lehtas drejt dyshimit të ndryshimit mes të qenit zgjuar dhe ëndërrimit, dhe na detyron që të reflektojmë mbi mënyrën sesi jeta i ngjan ëndrrës, dhe se si llahtarat mishërojnë vetë jetën.
Kësisoj, nuk është aspak çudi që Pallati i Ëndrrave (fillimisht titulluar Punonjësi i Pallatit të Ëndrrave) është shtylla kryesore e botës fiktive të Kadaresë, dhe zhvillimit të saj të ndërlikuar: është fjala për një roman që vendos, në qendër të një shoqërie të ligë dhe tepër autokratike, një institucion që i përkushtohet manipulimit të ëndrrave, dhe që në qendër të vetë atij institucioni, vendos një djalë të përhumbur, i cili vërtet nuk e di se çfarë është duke bërë, ose pse pikërisht ai, është personi që përfundon së luajturi rolin e protagonistit.
Më së fundi, nëse gjithçka deri këtu ju ka trembur, meqë juve nuk ju tërheqin mendjet e mjegullta që enden brenda dhe jashtë imazheve të ëndrrave, ku bie shi e dëborë, e ndiej për detyrë t’ju them, madje këmbëngul për këtë, se Kadareja ka shumë humor. Thjesht duhet t’ia lejoni vetes që të zhyteni në këtë univers paralel, dhe me ta bërë këtë, do të zbuloni një humor tepër të hollë dhe një shpoti sa rrethanore, po aq gojore. Çuditërisht, ka gjasë që batutat e forta të Kadaresë të ndodhin edhe nëpërmjet përkthimeve të shumëfishta.
Kadareja është shprehur në më shumë se në një rast të vetëm, se lexuesit dhe kritikët e tij, nuk duhet t’i kushtojnë shumë vëmendje kontekstit. Në mbështetje të një leximi të këtillë që mund t’i bëhet Kadaresë, unë do të nënvizoja faktin se, mënyra se si Kadareja i rrëfen historitë e tij, si edhe natyra e historive që ai tregon, nuk ka ndryshuar asnjë grimë në gjashtëdhjetë vitet e shkuara, edhe pse konteksti shoqëror, gjeografik dhe politik i autorit, ka ndryshuar në masën që nuk mund ta njohësh më. Është sikur bota imagjinare e Kadaresë, në tërësinë e saj, lindi e plotësuar krejtësisht që në fillim, dhe se të pesëdhjetë apo gjashtë dhjetë tregimet dhe romanet që ka shkruar që atëherë, nuk janë gjë tjetër veçse fragmente të një tërësie të gjigande, të logjikshme dhe të pandryshueshme.
Ajo çka thekson logjikën e veprës së Kadaresë është ripërdorimi sistematik i lokacioneve, objekteve, historive dhe referencave. Te Muri i Madh, për shembull, ka një simbol që përsëritet drejtpërsëdrejti te Ura me Tri Harqe; te Dosja H, flitet për një han, i cili përmendet në shumë vepra të tjera; te Urdhri Verbërues, flitet për një djalë të ri, i cili më vonë, bëhet protagonist i Pallatit të Ëndrrave, dhe në atë roman shfaqet një epikë gojore që na çon menjëherë te Dosja H . . . . Atëherë, ky mekanizëm është i ngjashëm me atë të Balzakut, “rishfaqja e personazheve” në Komedinë Njerëzore, por sipas meje, është akoma më i stërholluar, pasi nuk lidh aq shumë subjektet e romaneve, sesa lidh tërësinë e fazmës së aluzioneve dhe referimeve. Kjo është një arritje e admirueshme, që njëkohësisht do të thotë se çdo histori që lexon nuk është thjesht një histori, por edhe një ndihmesë për kujtesën tuaj dhe mënyrën e të kuptuarit të historive që keni lexuar. Ajo i shtohet ndjesisë së përgjithshme se ndodheni në një botë të mistershme që i ngjason ëndrrës.
Natyrisht, sa më shumë të lexoni, aq më shumë do t’i kuptoni ato mijëra fije që e mbajnë veprën e Kadaresë së lidhur. Për fat të keq, deri tani, në anglisht është përkthyer vetëm një e treta e veprave të tij. Kjo është një arsye e fortë për t’iu futur frëngjishtes, në rast se nuk jeni të gatshëm për ta mësuar shqipen, me qëllim që ta lexoni në origjinal këtë mjeshtër të madh të letërsisë moderne evropiane. Le të shpresojmë se kjo është një arsye e mjaftueshme që botuesit britanikë dhe amerikanë të porositin një numër përkthimesh të reja, madje edhe duke i nxitur ato më shumë, me dhënien e Çmimit Neustadt.
Shënim i përkthyesit:
David Bellos është profesor i gjuhës frënge dhe i letërsisë krahasuese në Universitetin Princeton. Ai ka përkthyer një numër të madh autorësh nga frëngjishtja. Pas diplomimit në Oxford, ka shkruar librat biografikë për Georges Perec dhe Jacques Tati, një studim mbi Romain Gary, dhe një Hyrje Studimesh Përkthimi, të titulluar Peshk Është Ai që Ke në Vesh? Libri i tij i fundit është një studim i kryeveprës së Victor Hugo-it, Të Mjerët. David Bellos ka përkthyer disa libra të Kadaresë nga frëngjishtja në anglisht, si Dosja H, Trashëgimtari, e të tjerë.