Pledoaje për avokatët

    SHËNIME NGA TETOVA

    Kujtim Shabani

    Tetova ka shumë rrugë. Me nga dy emra secila, një të shtetit dhe një të komunitetit, bëhen akoma më shumë. Dhe secila prej tyre është botë më vete. Çdonjëra ka rrëfimin e vet. Dhe prapë secila është pjesë e botës tonë të madhe. Botës tonë të vogël. Çdonjëri është rrëfim i parakalimit tonë këtu.

    E kujtoj një rrëfim për botën, i cili ndodh në një lagje! Fantazia e bujshme e shkrimtarit egjiptian Nagib Mahfuzit – laureat i Çmimit Nobel për Letërsi, e shtjellon atë në romanin “Fëmijët e lagjes sonë”. Dhe fëmijët e kësaj lagjeje s’janë hiç më të vegjël, as më të mëdhenj se profetët e feve monoteiste të botës sonë. Në fund të rrugës, në një kopsht përrallor, pas ca mureve hijerënda banon më i madhi i sojit… Realizëm dhe magji. Oriental dhe universal. Kalërim imagjinar nëpër kohë, mes kurdisjes së dynjasë dhe amshimit.

    Herën e kaluar i ramë vrik vërdallë Tetovës në kërkim të një rruge për Kosovën. Pasi s’e gjetëm në asnjë anë, u ngjitëm Rrugës së Banjës. Rrugës së Infarktit. Në “Infarktstrasse”! Tani propozoj të zbresim pak në Çarshinë e Epërme dhe të kalojmë nëpër Rrugën e Butiqeve në vazhdim. Edhe kjo rrugë ka një emër tjetër zyrtar. Po komuniteti e quan kështu sepse në një segment prej një kilometri, më shumë a më pak, ka vetëm butiqe. Në të djathtë dhe në të majtë.

    Nuk kaloj më andej sepse ata ku ndaloja unë, njerëz të shtrenjtë të mi, kanë kaluar në amshim dhe më trazohet një vrer i madh. Po sa herë që zgjas kokën nga fillimi a fundi i kësaj rruge, nuk duket se ka ndryshuar ndonjë gjë: Butiqe safi! Butiqe me mallra dasmash. Veshje solemne për gra. Fustane të bardha gjithfarë dhe dimi artizanale. “Bikme”! Ky shesh është “kryeqyteti” i Tetovës në verë! Kur ajo tundet nga dasmat. Parajsë e nuseve!

    Traditat ekcesive apo “ekspensive” të shqiptarëve të Maqedonisë kanë hyrë edhe në raportet ndërkombëtare! Sa herë bie llafi te dasmat, më kujtohet një studim i huaj i fillimit të viteve 2000, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, me titullin “Fshati i Ali Ahmetit”. Ai është një “Case Study”, studim për ekonominë politike të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni me objekt një zone të Kërçovës. Pohimet e tij janë reprezentative edhe për viset e tjera të shqiptarëve këtu.

    Tani do të doja të ofroja një imazh pas udhëkryqit në fund të Rrugës së Butiqeve. Në vazhdim të saj ka një spektër lokalesh dhe institucionesh. Po ato që e japin tonin në këtë segment janë zyrat juridike – avokaturat e noterët.

    Noterë e avokatë ka edhe në rrugën që e pret atë të butiqeve dhe të noterëve. Aty u ka hije avokaturave, në këtë segment të Udhës së Gostivarit është i vendosur Gjykata e Tetovës. Këto studio ligjore s’e impresionojnë njeri në afërsi të shtëpisë ku ata i zhvillojnë betejat e tyre. Ajo ku dëshiroj t’i ndez projektorët, është rruga mbrapa gjyqit që shkon paralel me të. Në fund të Rrugës së Butiqeve. Rruga e Avokatëve, kështu e thërrasin ata që e dinë rrugën “Strushka”, domethënë Rrugën e Strugës.

    Aty avokaturat janë ngjeshur më dendur se butiqet në rrugën e tyre. Janë me dhjetëra! Njëra pas tjetrës. Në anën e poshtme dhe të epërme të rrugës. Në një segment të fshehur prej disa qindra metrash, një Mangalem i avokaturave të Tetovës, një geto e studiove juridike. Dhe pyes: gjithë këto avokatura në Tetovë e tregojnë një qytet të shpëtuar, a të mbaruar? Janë shumë, a pak…?

    E kam bredhur këtë rrugë si fëmijë. Dhe e kam shquar vetëm studion fotografike të mësuesit tim të kimisë në fillore, Aliman Saitit. E kam përshkuar atë zonë më pas me një shok shkolle, duke fiksuar me fotoaparat objekte që kishin vlerë historike, kulturore ose arkitekturore, por s’më kujtohet ky reliev avokaturash. Peng e kam si s’i bëmë një foto studios së mësuesit, të cilat po bëhen histori. Një foto fotografit! Tani puna e do ta takoj këtu një mik në një ndër pak adresat “civile” të lagjes dhe çuditem.

    Statistika për dendësinë e avokatëve në Maqedoninë e Veriut nuk gjen. As për vendet tjera në tranzicion, si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Serbia. Vendet e rajonit në Bashkimin Europian – Rumania, Bullgaria, Greqia – kanë një dendësi të lartë: një avokat në më pak se 500 banorë. Vendet perëndimore: një avokat në pak-a-shumë 1000 banorë. Hulumtimet për Turqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të nxjerrin megjithatë shënimin: Ka tregues se dendësia e avokatëve këtu është e lartë.

    Dendësia e avokaturave e tregon njëherë gjendjen “jonatyrore” të shoqërisë, në kuptimin e Leviatanit të Tomas Hobsit. Por dendësia e avokatëve shpreh padyshim një tendosje sociale. Në dosjet e tyre ziejnë çështjet e qytetarëve. Aty është paqja dhe sherri, është dita dhe terri, është veremi dhe vreri, është zhgënjimi dhe dashuria, është besa dhe tradhtia, është braktisja dhe arratia, është ferra dhe trëndafili, është i ligu dhe katili, është mohimi dhe haku, është djersa dhe gjaku, është xhandari dhe hyqmeti, është robi dhe mileti, është qari dhe zarari, është zeheri dhe litari, është fisheku dhe hanxhari… Nga i fundit te i pari!

    Çka i mungon skenës është këshillimi juridik vullnetar me orar për komunitetin nga shoqëri avokatësh. Ose edhe shërbimi juridik falas për segmente të caktuara shoqërore nga shoqëria civile, Kryqi i Kuq, Caritasi ose ndonjë shoqatë lokale.

    Po avokatët mund të përbënin një pasuri për politikën. Për shkak të natyrës së punës, ata e njohin thelbin e problemeve të qytetarëve dhe sfondin e tyre. E njohin mekanizmin e funksionimit të shtetit. I dinë zgjidhjet. Avokatët mund t’i japin politikës tema, kauza dhe rrugë. Këto e bëjnë politikën kreative. Ja për shembull formimi juridik i deputetëve e dominon parlamentin gjerman, francez e atë italian. Nuk i hulumtova të gjithë, besoj këto mjaftojnë.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    “One Stop Shop” në Jazhincë / Paralajmërohet zgjerimi i projektit me Shqipërinë dhe Serbinë

    Lajmi i rradhës

    Mendjemadhësia e politikanëve!

    Lajme tjera

    Fluturimi i Apollos 11

    Myles Burke / BBCPërkthimi: Telegrafi “Nuk ka shumë hapësirë këtu dhe këta kolltukë janë shumë të parehatshëm”, tha…
    Më tepër

    A gjuhen pëllumbat

    Ali Podrimja Pëllumbat a gjuhen bre? Ulem në rend të dytëpse shoh më larg edëgjoj më mirëpse kam…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë