Donika Hamiti
Para disa ditëve, organizata e angazhuar me ruajtjen e trashëgimisë evropiane Europa Nostra publikoi listën e Shtatë Objekteve më të Rrezikuara të Trashëgimisë Kulturore për vitin 2021 (ky program ekziston nga viti 2013). Vendndodhja e këtyre objekteve varion që nga Austria deri në Kosovë.
Manastiri i Deçanit, referuar në publikim dhe video të Europa Nostra si Dečani Monastery është në mesin e 7 objekteve më të rrezikuara. Përshkrimi që i vihet gjendjes së manastirit është si vijon:
“.(…) i mbrojtur 24/7 nga trupat e KFOR-it që nga viti 1999 ky manastir dhe peisazhi që e rrethon vazhdon të jetë i rrezikuar për shkak të raporteve të pazgjidhura ligjore dhe institucionale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndaj përfshirjes së manastirit në këtë listë reaguan udhëheqësit e presidencës dhe qeverisë së Kosovës. Letra e dërguar nga presidentja dhe kryeministri drejt Europa Nostrës mori kundërpërgjigje nga drejtori ekzekutiv i organizatës. Arsyetimi i organizatës për vendosjen e manastirit në listë ndër të tjera përfshinte praninë e monumentit edhe në Listën e UNESCO-së si trashëgimi në rrezik.
Përpara këtij zhvillimi, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić publikoi një fotografi në rrjetin social Instagram ku në plan të parë gjendej harta e Kosovës, ndërsa në prapavijë ngjyrat e flamurit të Serbisë. Mesazhi u kap menjëherë. Shkrimi në këtë fotografi nxiti shqetësim si në opinionin publik në Kosovë por edhe përtej saj.
Referenca kryesore e shkrimit ndërlidhet me historinë e prezencës serbe në Kosovë dhe mitizimin e Kosovës si djepi i serbizmit. Nocioni i stërpërdorur në Serbi, Metohija e ndërthur diskursin e të drejtës së Serbisë mbi Kosovën, duke pasur si referencë trashëgiminë kishtare “serbe” në hapësirën e Kosovës. Jo vetëm teorikisht, por edhe në praktikë ka ngjarë që instrumentalizimi i besimit për qëllime politike të jetë me leverdi për politikën serbe.
Monumentet e kultit ortodoks në Kosovë janë të vendosura në Listën e Trashëgimisë Botërore por nga viti 2006 të njejtat janë vendosur në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Grupi i këtyre monumenteve njihet si Monumentet Mesjetare në Kosovë dhe sipas qëndrimit të organizatës, vendndodhja e tyre është Serbia ndërsa nocioni i Kosovës shërben vetëm per t’iu referuar si emërtim monumenteve. Në përshkrimin e këtyre monumenteve ndodhet Flamuri i Serbisë dhe nën të shënohet “Provinca Autonome e Kosovës”. Rrjedhimisht, sipas qëndrimit të organizatës, i bie që përpos etnizimit të objekteve si “serbe” edhe etniteti politik i tyre është Serbia dhe jo Kosova.
Në një ligjeratë të mbajtur me studiues të Politikës Ndërkombërare para rreth 4 vitesh, një diplomat i karrierës (me kombësi greke) ligjëroi në Fakultetin Filozofik në Prishtinë rreth politikës ndërkombëtare, me theks kryesisht mbi çështjen e dështimit të Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO. I njëjti, e vendosi si kryeshkak të dështimit një dokumentacion të përpiluar nga pala serbe, dokumentacion i cili kishte arritur në duart e presidentëve e monarkëve të shteteve evropiane një javë përpara votimit. Dokumentacioni përmbante material e pamje nga ngjarjet e marsit 2004, të njohur si trazirat e marsit ku epiqendër ishte shkatërrimi i objekteve kishtare “serbe” në Kosovë. Ky element ose shkak i dështimit as që është përmendur ose sqaruar nga personat përgjegjës në procesin e aplikimit për anëtarësim në UNESCO, sidomos, nëse shkaku kryesor ka qenë aspekti i mosruajtjes e mosrespektimit të monumneteve të kultit ortodoks, nga të cilat ka pasur monumente që janë ngritur mbi rrënojat e kishave katolike, të ndërtuara në periudha më të hershme historike, siç dëshmon historiani Jusuf Buxhovi në studimet e tij.
Neglizhenca dhe mosveprimi me mjete, kanale e burime të duhura politike e diplomatike kanë rezultuar në dështim për tu anëtarësuar në këtë organizatë.
Hapësira dhe politika: Referenca teorike
A është hapësira e lidhur me politikën; a është hapësira politike dhe ku qëndron ndërlidhja e tyre?
Filozofi dhe sociologu francez Henry Lefebvre e përcakton hapësirën shoqërore si produkt shoqëror. Në këtë kuptim, i bie se hapësirave të caktuara iu mveshet kuptimi nga ndërveprimi e botëkuptimi shoqëror. Sipas Lefebvre, “hapësira është qartësisht politike, duke qenë njëkohësisht edhe një produkt politik dhe një interes politik”.
Profesori i antropologjisë Goran Janev, i qaset analizës së hapësirës duke përdorur nocionin e hapësirave treguese/rrëfyese për ta shpjeguar veprimin shoqëror në fushën politike. Kështu, Janev e analizon arkitekturën dhe hapësirën në Qytetin e Shkupit për t’i analizuar marrëdhëniet jo fort të këndshme ndërmjet dy kulturave kryesore në Maqedoni. Një qytet, por me pjesë të ndryshme arkitekturore e status zhvillimi, varësisht se cila kulturë zhvillon raportet shoqërore e politike në atë hapësirë. Lumi i Vardarit “ndan” dy grupet më të mëdha etnike kulturalisht, pasi maqedonasit etnikë zhvillojnë jetën shoqërore e kulturore në njërën anë të lumit (hapësirë me arkitekturë, rregullim dhe zhvillim më të madh; pjesa qendrore e qytetit) ndërsa shqiptarët në pjesën tjetër të lumit, e dallueshme si për nga zhvillimi ashtu edhe nga aspektet kulturore (qendra e vjetër e qytetit e trashëguar nga periudha osmane; çarshija dhe vendndodhja e objekteve të kultit islam).
Jo shumë ndryshe, edhe në Kosovë ndiqet sistemi i ngjashëm. Anipse deri diku ka ndërveprim, grupet shoqërore të ndryshme kulturalisht zhvillojnë jetën e tyre afër hapësirave ku jeton e vepron grupi i tyre kulturor.
Procesi i decentralizimit e ka sforcuar tutje këtë fakt. Në emër të tij, bashkësi të vogla territoriale, të tipit qytezë ose edhe fshatëra, kanë marrë statusin e komunës, për shkak të përqëndrimit më të madh të grupit të dytë etnik/kulturor në Kosovë. Jo rrallëherë, ka pasur probleme me këto komuna, për shkak të rezistencës dhe mospranimit të pushtetit të institucioneve shtetërore. Kjo ka bërë që hapësirat ku jeton ky komunitet të ngjasojnë me enklava.
Instrumentalizimi i hapësirës
Çfarë janë objektet të vendosura në një hapësirë, përpos se një material fizik, kuptimin e së cilave e vendosin botëkuptimet vlerore e shpirtërore të individëve ose grupeve shoqërore!?
Të konsiderosh që çdo kishë ortodokse në Kosovë është serbe, se çdo kishë katolike në Kosovë është romane, respektivisht italiane dhe se çdo xhami është turke është etnomonopolizim i besimit dhe instrumentalizim politik i tij. Ky këndvështrim ngjan për shkak të marëdhënieve ende të paqarta dhe mospajtuese të të dy vendeve mbi shumë elemente: papajtueshmëritë dhe zhvillimet historike, mitizimi, çështja e shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe lufta e armatosur, mospranimi i realitetit të ri, çështja e kufinjve, përpjekjet për delegjitimim ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës nga Serbia e të tjera.
Përvoja historike dhe botëkuptimet fetare janë dy elemente të ndara, të paktën që nga viti 1789 kur u bë ndarja e shtetit nga feja. I bie se me këtë logjikë, kjo ide është prapa mbi dy shekuj. Sipas kësaj logjike, objektet e kultit islam në Andaluzi i takojnë Arabisë, se kishat romane në Kroaci i takojnë Italisë dhe se sinagogat në Bohemi i takojnë Izraelit, ndër të tjera.
Monumentet ortodokse janë pasuri historike e kulturore e Kosovës, sikundër që janë ngjashëm edhe monumentet katolike, myslimane e hebreje. Ngjashëm, të njejtat mund të jenë të rrezikuara, si nga proceset natyrore ashtu edhe nga veprimi i individëve. Monumentet ortodokse as nuk janë dhe as nuk duhet të jenë epiqendër e diskutimeve pasiqë kanë të njejtën vlerë sikurse objektet e kulteve të tjera.
Pushtimet, bashkangjitjet e shteteve në një strukturë të vetme shtetërore, ndarja e perandorive ose federatave e procese të ngjashme kanë ndikuar në krijimin e multikulturalizmit në shoqëri e shtete dhe mosekzistimin e një kulturë të vetme në hapësirat e shteteve.
Si rrjedhojë e kësaj, objektet e kultit janë brum shpirtëror i besimtarëve të një besimi të caktuar dhe jo mjet manipulimi i shteteve apo kulturave mbizotëruese në një periudhë të caktuar.
Në vend të përfundimit
Marrëdhëniet jo shumë të qarta dhe cështjet e pazgjidhura për dekada të tëra ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë bërë që të instrumentalizohet e politizohet madje edhe me vlera shpirtërore, përpos atyre historike e kulturore.
Si rezultat i kësaj, Kosova është përballur me vështirësi në fushën ndërkombëtare edhe për shkak të portretizimit negativ në çështjen e ruajtjes së pasurisë e vlerave monumentale ortodokse në Kosovë, siç u trajtua edhe më parë. Duke qenë se shumica e popullsisë i takon besimit islam, instrumentalizimi nga ana e udhëheqësve në Serbi ka ndodhur më lirshëm, duke shfrytëzuar si argument besimet e ndryshme ndërmjet dy grupeve: shqiptarëve e serbëve.
Ideja e përfitimit politik dhe instrumentalizimit të besimit është një mjet i panevojshëm dhe i dëmshëm për shoqërinë demokratike dhe tolerante ndaj shumëllojshmërisë në Kosovë. Kjo ndikon jo vetëm në harmoninë ndërmjet grupeve të ndryshme në shoqëri po edhe dëmton figurën e shtetit të Kosovës në marrëdhëniet e jashtme, pasi jipet mesazhi që Kosova nuk ka respekt dhe kujdes për objektet e kultit të ndodhura në hapësirën e saj.
Kështu, institucionet politike dhe kulturore të cilat kanë nën përgjegjësi këtë dimension, duhet përqëndruar vëmendjen dhe angazhimin që mos të gjinden përpara shantazheve, politizimeve e portretizimeve në lidhje me këtë çështje. /Sbunker/