Me rastin e 75-vjetorit të publicistit, shkrimtarit dhe intelektualit të njohur shqiptar Fatos Lubonjës, është botuar libri “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës”, një përmbledhje me shkrime që vjen si homazh për jetën, mendimin dhe ndikimin e tij në hapësirën publike shqiptare, shkruan Nistori.
Libri është iniciuar nga Holta Vrioni, Orgest Azizi dhe Ervin Hatibi, të cilët e kanë konceptuar këtë botim si një dhuratë të befasishme për Lubonjën, përtej një urimi formal për ditëlindje. Në parathënien shoqëruese thuhet se janë “të shumtë e të panumërt njerëzit që i gëzohen ekzistencës së Fatos Todi Lubonjës”, duke nënvizuar se ky botim synon të përcjellë një gëzim që shkon përtej autorëve dhe përtej vetë datës së përvjetorit.
Libri është botuar nga “l’Oliveraie” dhe mbledh ese, reflektime dhe shkrime nga autorë të ndryshëm që trajtojnë figurën dhe veprën e Lubonjës nga këndvështrime të ndryshme filozofike, letrare, politike dhe personale.
Mes kontribuuesve janë emra si Pavjo Gjini, Elidor Mëhilli, Idlir Aziza Nivick, Gresa Hasa, Shkëlzen Gashi, Ramadan Ramadani, Arbër Zaimi, Elsa Demo, Enis Sulstarova, Holta Vrioni, Orgest Azizi, Ervin Hatibi dhe Diana Malaj. Vetë titujt e eseve – si “Hija e diktatorit”, “Tregimet e burgut”, “Shqiptari tjetër”, “Montazh të dritës” apo “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës” – sugjerojnë një lexim kritik të trashëgimisë intelektuale dhe morale të tij.
Ideimi dhe realizimi grafik i librit “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës” është përgatitur nga dizajneri i njohur Ngadhnjim Mehmeti që vjen nga Tetova. Nuk është thjesht mbështjellëse grafike, por pjesë e vetë idesë editoriale të librit. Ajo funksionon si një deklaratë vizuale mbi figurën e Fatos Lubonja dhe mbi raportin e tij me kujtesën, burgun, shkrimin dhe kohën.
Dominon sfondi i bardhë dhe gri e zbehtë, që krijon ndjesinë e arkivit, dokumentit dhe memories së zbehur. Në qendër vendoset një bllok me dorëshkrime të mbivendosura, që i ngjan një flete të ruajtur, pothuaj si dëshmi personale apo fragment burgu. Kapësja e kuqe metalike në cep nuk është detaj dekorativ rastësor; ajo krijon idenë e dokumentit të arkivuar, të mbajtur me forcë, por edhe të memories që refuzon të shpërbëhet.
Botuesit kanë bërë të ditur se libri do të shpërndahet falas, si në kopje fizike të limituara, ashtu edhe në version PDF për këdo që dëshiron ta ketë, duke e kthyer këtë përvjetor në një akt publik ndarjeje dhe reflektimi kolektiv, e jo thjesht në një festim simbolik. /Nistori/
***Një pjesë e parathënies Një party për Fatos Lubonjën:
Për lexuesit e Lubonjës natyrisht që janë shumë të rëndësishëm numrat dhe datat Kush ka lexuar romanin autobiografik « Ridënimi » nuk mund ta harrojë dot protagonistin mbyllur në qeli, në pritje të vendimit të gjyqit që premton vdekje, sesi numëron në mur goditjet e koduara me të cilat bashkëvuajtësi nga qelia ngjitur i komunikon verdiktet e saposhqiptuara nga trupi gjykues, me vdekjen dhe vitet e dënimit të shokëve: duke numëruar rrahjet e murit (Dumm ! Dumm !) protagonistit i duhej me ankth të parashikojë vdekjen apo jetën e vet në vite të shtuara burgu (njëzet e pesë trokitje në mur njëzet, katërmbëdhjetë) Datat ritmojnë si kapituj ditarin e burgut « Viti i shtatëmbëdhjetë », për të përfunduar me datë 17 të marsit 1991, ditë e lirimit të autorit, e cila vetëm pak ditë nga çasti kur po shkruhen këto rreshta mbush 35 vjetorin!…
***
Urojmë që Lubonja ta mirëpresë këtë buqetë, një formë e shprehjes së mirënjohjes sonë për këmbënguljen e tij kokëfortë në kërkim të së vërtetës, e detyrimisht edhe së bukurës.






