Sead Zimeri
Filozof
Në shoqërinë moderne po humbim një aftësi pa të cilën nuk ka jetë morale: aftësinë për të menduar. Kjo humbje nuk është aksidentale; është mekanizmi që e bën njeriun të cenueshëm ndaj formave të reja të së keqes.
Hartmut Rosa e përshkruan kohën tonë si “pezullim të ethshëm”: lëvizje e pandalshme, jo drejt një qëllimi, por thjesht për të mos rënë prapa. Ritmi bëhet vlerë më vete, ndërsa reflektimi zhduket nën presionin e urgjencës dhe rutinës. Në këtë vrull nuk krijohet më distanca e brendshme që e bën mendimin të mundur.
Pikërisht këtu bëhet vendimtar leximi i Hannah Arendt-it. Nëse Rosa përshkruan kushtet që e thajnë hapësirën e reflektimit, Arendt na tregon se çfarë humbet njeriu kur kjo hapësirë mungon: gjykimin moral. Ajo nuk analizon ritmin, por pasojën e tij etike. Humbja e ndërprerjes së brendshme e kthen njeriun nga subjekt në instrument.
Për Arendt-in, mendimi nuk është vazhdimësi e veprimit, por ndërprerja e tij. Duke menduar, njeriu çan automatizmin e rolit, del përkohësisht nga funksioni dhe kthehet te vetja si subjekt. Në atë “dy-në-një”, ku unë pyes dhe unë përgjigjem, lind gjykimi moral. Pa këtë çarje të brendshme, veprimi humbet orientimin etik.
Arendt pa pasojat e zhdukjes së kësaj ndërprerjeje tek Adolf Eichmann, funksionari nazist që organizoi deportimet masive. Eichmann nuk ishte njeri me projekt shkatërrimi, as figurë demonike. Rreziku i tij qëndronte te mungesa e mendimit: ai ndiqte rregulla, zbatonte procedura, fliste me klishe dhe nuk ndalej asnjëherë për të pyetur veten mbi kuptimin moral të veprimeve të tij. Kjo paaftësi për të menduar – më shumë sesa ndonjë qëllim i lig – e bëri të mundur pjesëmarrjen e tij në krime kolosale pa e përballur veten me to. Për Arendt-in, kjo është banaliteti i së keqes: jo thellësi e ligësisë, por mungesë tronditëse e mendimit.
Ky mekanizëm nuk kufizohet në ekstremet e historisë. Ai përsëritet kudo ku veprimi bëhet rutinë pa distancë morale:
në administratë ku nënshkrimi zëvendëson gjykimin,
në mjekësi ku protokolli mbyt përgjegjësinë,
në arsim ku programi shtyp pyetjen,
në polici ku urdhri zëvendëson vlerësimin,
në politikë ku sondazhet zëvendësojnë reflektimin.
Njerëzit veprojnë, por nuk mendojnë. Jo nga ligësia, por sepse ritmi nuk krijon më asnjë çarje ku ndërgjegjja mund të flasë. Pezullimi i ethshëm dhe banaliteti i së keqes janë dy diagnoza të së njëjtës dukuri: zhdukja e ndërprerjes së brendshme.
Kjo është arsyeja pse mendimi është kaq i rëndësishëm. Jo se të bën më të mençur, por sepse të bën përgjegjës. Jo se të jep zgjidhje, por sepse të detyron të mos shmangesh nga pyetja. Jo se të çliron nga gabimi, por sepse të mbron nga verbëria.
Arendt nuk idealizon mendimin. Ajo e di se mendimi destabilizon, hap dyshime, prish komoditetin e normave të gatshme. Por pikërisht kjo “prishje” është e domosdoshme. Aty ku mendimi mungon, futet bindja mekanike. Aty ku ndërprerja mungon, vendoset automatizmi. Aty ku nuk ka asnjë çarje, çdo gjë e gjen udhën e vet drejt rrezikut moral.
Kjo është arsyeja pse lidhja midis Arendt-it dhe Rosës është kaq e fuqishme. Rosa përshkruan një botë që nuk ndalet; Arendt tregon çfarë ndodh kur nuk ndalojmë. Pa mendim, njeriu nuk mbetet më subjekt, por shndërrohet në instrument – një vidë e zëvendësueshme në një mekanizëm që lëviz vetë. Kjo është e keqja moderne: predispozita për të vepruar pa pyetur.
Në një botë që vrapon pa telos, mosmendimi bëhet normë dhe i mjafton së keqes. Ajo nuk ka nevojë për bindje; ka nevojë për vegla.
Mendimi, për Arendt-in, nuk është luks. Nuk është aktivitet akademik, as privilegj intelektualësh. Mendimi është e vetmja ndërprerje që mund të thyejë ritmin e një bote të paprerë. Ai është kushti minimal i lirisë.
Prandaj thirrja e Arendt-it tingëllon sot si paralajmërim: nëse ndalon të mendosh, dikush tjetër do të mendojë për ty. Dhe aty fillon rreziku.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






