RUDINA FEST 2025 – Mozaiku i kulturave në zemër të Pollogut

    Bekim Ramadani
    Etnomuzikolog

    Nga 20 deri më 23 korrik 2025, Pollogu u shndërrua në qendrën e një takimi të jashtëzakonshëm kulturor. Në Çegran, Tetovë dhe Gostivar u zhvillua edicioni i pestë i Festivalit ndërkombëtar të folklorit “Rudina Fest”, një ngjarje që shënoi një nivel të ri në afirmimin e trashëgimisë shpirtërore dhe bashkëpunimit kulturor. Ky festival, i organizuar nga Shoqëria kulturore-artistike “Jahi Hasani” – Çegran, me mbështetjen e institucioneve komunale dhe shtetërore, u shndërrua në një platformë ku traditat shqiptare u vendosën në dialog me kulturat e Kroacisë, Spanjës, Bosnjës e Hercegovinës, Turqisë dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse. Më shumë se një seri koncertesh, festivali u paraqit si një manifestim i gjallë i bashkëjetesës së kulturave duke ofruar një përvojë artistike dhe studimore për audiencën dhe profesionistët.

    Nata e parë – Çegran, 20 korrik 2025

    Festivali nisi me mikpritjen tradicionale të ansambleve pjesëmarrëse në shkollën fillore “Përparimi” të Çegranit, ku u zhvillua edhe promovimi i librit studimor të Zani Memetit, “Etnografia e zakoneve të ciklit jetësor të shqiptarëve nga Çegrani dhe Forina”. Pas këtij momenti akademik, ansamblet marshuan nëpër rrugët e fshatit duke sjellë atmosferën e ngrohtë të kulturave që përfaqësonin. Koncerti u çel me intonimin e himneve të vendeve pjesëmarrëse dhe fjalët përshëndetëse të prezantueses Afëdita Lutfiu, drejtorit të festivalit Zani Memeti dhe kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani. Programi i mbrëmjes shfaqi një larushi të vërtetë vallesh, këngësh dhe kostumesh tradicionale, ku elementët instrumentalë dhe koreografikë u gërshetuan në mënyrë harmonike duke krijuar një tabllo të gjallë të larmisë kulturore.

    Nata e dytë – Tetovë, 21 korrik 2025

    Mbrëmja e dytë u zhvillua në kuadër të “Verës së kulturës tetovare”. Para paraqitjes në Sheshin “Iliria”, ansamblet pjesëmarrëse u pritën nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në një takim miqësor ku u shkëmbyen përshëndetje dhe dhurata simbolike. Ky gjest mikpritjeje i dha një ton ceremonial dhe respektues pjesëmarrjes së tyre në programin e Tetovës. Ansamblet pjesëmarrëse sollën një program të përzgjedhur për publikun e Tetovës duke e kthyer sheshin në një arenë të hapur të kulturës ndërkombëtare. Ky aktivitet në Tetovë jo vetëm që prezantoi një mozaik kulturor, por edhe shërbeu si një pikë e rëndësishme e ndërveprimit mes artistëve dhe audiencës lokale.

    Nata e tretë – Gostivar, 22 korrik 2025

    Në natën e tretë, festivali u zhvendos në sheshin qendror të Gostivarit, ku publiku pati mundësinë të përjetonte jo vetëm vallëzime e këngë, por edhe lojëra popullore të shoqëruara me elemente skenike. Prezantimet e ansambleve spanjolle, kroate, boshnjake, turke dhe vendase krijuan një atmosferë dinamike dhe festive duke dëshmuar vitalitetin e folklorit si një formë e gjallë arti. Ansambli “Jahi Hasani”, si nikoqir, e mbylli mbrëmjen me një koreografi të veçantë që u duartrokit gjatë nga të pranishmit.

    Nata finale – Gostivar, 23 korrik 2025

    Nata e fundit e festivalit u shënua nga pjesëmarrja e të gjitha ansambleve që kishin prezantuar gjatë netëve të mëparshme, si dhe e shoqërisë “Etnos” nga Shkupi që e pasuroi programin me elemente të reja. Koreografia finale “Baresha”, e përgatitur nga artistja Teodora Stojanovska, mbajti temën e paqes dhe bashkimit kulturor, duke i dhënë festivalit një mbyllje simbolike dhe të fuqishme. Në këtë mbrëmje u ndanë edhe çmimet speciale nga juria profesionale, për të nderuar kontributin artistik dhe autenticitetin e ansambleve pjesëmarrëse.

    Juria profesionale dhe çmimet

    Performancat e festivalit u ndoqën dhe u vlerësuan nga një juri e përbërë nga: Prof. Dr. Mirjana Mirçevska (etnologe dhe antropologe, Shkup), Prof. Dr. Bekim Ramadani (etnomuzikolog, Universiteti i Tetovës), Prof. Mr. Desislav Mihaylov (koreograf, Bullgari), Teodora Stojanovska (etnokoreologe dhe balerinë e Ansamblit “Tanec”), Besarta Reçica (magjistre e etnologjisë nga Kosova) dhe Berat Xhelili (koreograf dhe ideator i festivalit). Çmimet e ndara reflektonin larminë e kontributeve artistike dhe të trashëgimisë kulturore.

    Çmimet e edicionit të pestë u ndanë si më poshtë:

    • Ansambli “Jahi Hasani” (Maqedonia e Veriut) – Valltari më i mirë mashkull: Arlind Seferi.
    • Ansambli “Etnos” (Maqedonia e Veriut) – Për ruajtjen e kostumit popullor origjinal.
    • Ansambli “Salona” (Kroacia) – Ansambli më i kompletuar i festivalit.
    • Ansambli “Doña Urraca” (Spanja) – Për vallëzimin më të mirë tradicional.
    • Ansambli “İnegöl Rumeli” (Turqi) – Për ruajtjen e traditave të vjetra.
    • Ansambli “Izvor 08” (Bosnja dhe Hercegovinë) – Për potencialin e vallëzimit në skenë.
    • Ansambli “Devolli” (Shqipëri) – Për origjinalitetin e valltarit mashkull.

    Ansamblet pjesëmarrëse dhe pasuria e tyre etnokulturore

    Një nga shtyllat kryesore të “Rudina Fest 2025” ishte larushia e ansambleve pjesëmarrëse, secili me një identitet unik etnomuzikor dhe etnokoreologjik, duke sjellë në Pollog frymën e trevave të tyre dhe një pasqyrë të gjallë të trashëgimisë që kultivojnë.

    Ansambli “Devolli” – Bilisht, Shqipëri

    Ky ansambël solli në skenë thelbin e kulturës popullore të juglindjes shqiptare, me repertor që përfshinte këngë shumëzërëshe të traditës së punës dhe të dasmave, si dhe valle të ndërtuara mbi ritme të lehta e të hareshme, ku u ndërthur hijeshia dhe energjia e krahinës së Devollit. Këngët u dalluan për polifoninë e butë popullore, ndërsa veshjet, me detajet e tyre të qëndisura dhe ngjyrat e ndezura, përfaqësuan mjeshtërinë e artizanatit lokal.

    Grupi i këngëve dhe valleve “Doña Urraca” – Zamora, Spanjë

    Ky grup, ndër më të njohurit e provincës Castilla y León, solli elegancën e kërcimeve dhe këngëve tradicionale spanjolle, të trashëguara brez pas brezi. Repertori i tyre ishte një përzierje e këngëve ritmike dhe valleve me hapa të ngadalshëm e të gërshetuar, që ruajtën fisnikërinë e traditës zamoranase. Veshjet autentike, të bazuara në modele historike, me qëndisma të pasura dhe detaje të punuara me dorë, e bënë paraqitjen e tyre një udhëtim vizual në kulturën e rajonit që përfaqësuan.

    ShKA “Izvor 08” – Kiseljak (Sarajevo), Bosnjë e Hercegovinë

    Ky ansambël pasqyroi gjallërinë e traditave boshnjake përmes këngëve kolektive dhe lojërave popullore, ku zëri i grupit u ndërthur me ritmin e lodrave e të dajreve. Lojërat sollën në skenë atmosferën e festave të dikurshme, ndërsa vallëzimet e tyre u shquan për gjallërinë e lëvizjeve dhe sinkronizimin harmonik. Kostumet me motive gjeometrike dhe ngjyrime të theksuara pasqyruan shumëllojshmërinë e rajonit të Bosnjës.

    Ansambli “İnegöl Rumeli” – Bursa, Turqi

    Ky ansambël ndërthuri me mjeshtëri trashëgiminë rumeliane dhe elementet e folklorit shqiptar të ruajtur ndër komunitetet shqiptare të Turqisë. Repertori i tyre përfshiu valle me energji të lartë, shpesh të shoqëruara nga lojëra koreografike me shpata dhe instrumente karakteristike të zonës. Veshjet e tyre, që bartnin ngjyra të thella dhe elemente të dekorit ballkanik, përfaqësuan lidhjen e fuqishme mes dy botëve – asaj anadolliane dhe ballkanike.

    Ansambli “Megdan” – Bogdanci (Maqedonia e Veriut)

    “Megdan” solli në “Rudina Fest” frymën e jugut maqedonas me një program që u hap me këngën “Oj Lazare”, të shoqëruar nga kavalli dhe këndimi i dhjetë vajzave. Pas këtij momenti ceremonial, ansambli gjallëroi skenën me valle dinamike dhe ritme të larmishme, duke e shndërruar shfaqjen në një përzierje të bukur solemniteti dhe gjallërie. Kostumet tradicionale shumëngjyrëshe dhe interpretimi i tyre autentik i dhanë paraqitjes një identitet të veçantë në festival.

    Ansambli “Salona” – Solin, Kroaci

    “Salona” solli në Pollog trashëgiminë e brigjeve dallmatinase, duke interpretuar këngë polifonike me shoqërim instrumentesh tradicionale si tambura e mandolina, si dhe valle me hapa të butë e të lidhur, tipike për festat bregdetare. Kostumet e tyre, të frymëzuara nga traditat e vjetra të Solinit dhe Splitit, përçuan elegancën mesdhetare dhe e bënë secilin interpretim një tabllo të gjallë të kulturës kroate.

    Ansambli “Etnos” – Gjorçe Petrov, Shkup (Maqedonia e Veriut)

    Ky ansambël solli interpretimin e koreografisë së njohur “Draçevka”, një nga krijimet më të çmuara të mjeshtrit të folklorit dhe koreografit maqedonas Atanas Kolarovski (1924–2009). Kjo valle, e konceptuar për skenë me një strukturë të qartë dramaturgjike, solli një rritje graduale të energjisë dhe emocioneve, për të kulmuar në një përfundim dinamik dhe të fuqishëm.

    ShKA “Jahi Hasani” – Çegran (Maqedonia e Veriut)

    Si nikoqire e festivalit dhe një nga shtyllat e kulturës së Pollogut, kjo shoqëri me histori prej më shumë se pesë dekadash mbeti një ambasadore e denjë e folklorit shqiptar. Repertori i tyre përfshiu këngë lirike e epike, valle të Pollogut të shoqëruara nga instrumente tradicionale, si dhe koreografi të ndërtuara mbi motivet e trashëguara të festave dhe ritualeve të zonës. Kostumet e tyre autentike dhe stili i ruajtur i interpretimit dëshmuan përkushtimin ndaj ruajtjes së trashëgimisë lokale.

    Përfundime dhe porosia e festivalit

    “Rudina Fest 2025” dëshmoi se folklori mbetet një nga forcat më të fuqishme të lidhjes ndërkulturore. Ky edicion tregoi se kultura popullore, edhe pse e lindur nga rrënjë të lashta, vazhdon të jetë e gjallë dhe frymëzuese kur prezantohet me përkushtim dhe profesionalizëm. Festivali nuk ishte thjesht një prezantim artistik; ishte një platformë studimore dhe përjetimi, ku çdo këngë dhe çdo valle kontribuoi në një narrativë të përbashkët mbi identitetin dhe bashkëjetesën kulturore në Ballkan dhe më gjerë. “Thonë se aty ku këndohet, zemra nuk njeh mure; aty ku vallëzohet, koha ndalet. “Rudina Fest 2025” u bë një festë ku popujt ndanë jo vetëm skenën, por edhe shpirtin e tyre, duke e lënë Pollogun të mbushur me jehonën e këngëve dhe gjallërinë e hapave që s’harrohen.” /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Tasevski: mund të na ndodh Koçani 2 / M NAV punon me pajisje të shekullit të kaluar  

    Lajmi i rradhës

    ShBA-ja sheh mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, kërkon heqjen e barrierave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë