Arsim Leskovica
Demokracia u lind në Athinën e lashtë, si sistem qeverisjeje në të cilin qytetarët drejtpërdrejt merrnin pjesë në sjelljen e vendimeve. Është sjellë si nevojë për një sistem të barabartë politik pas ndërprerjes së pushtetit aristokratik. Ndonëse konsiderohet si arritje më e madhe në Greqinë e lashtë, për habinë e shumëkujt, një mori mendimtarësh shfaqën skepticizëm ndaj saj. Ligjvënësi i Spartës, Likurgu, ishte kundër demokracisë. Kur dikush dëshironte që Sparta ta përvetësojë sistemin demokratik të qeverisjes, ai përgjigjej: “Fillo me familjen tënde!”.
Një kritikues tjetër i demokracisë ishte Sokrati. Pse njëri ndër filozofët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit ushqente një skepticizëm ndaj sistemit demokratik, edhe atë mu në zemrën e demokracisë -Athinë? Kritika e Sokratit nuk buronte nga urrejtja për lirinë e barazinë, por nga shqetësimi i tij për urtësinë, arsimimin dhe cilësinë e qeverisjes. Ai e kishte bindjen që demokracia është e mangët, ngaqë fuqinë e bart tek duart e shumicës, pa marrë parasysh kompetencën dhe njohuritë e tyre. Besonte se jo secili posedon urtësi dhe profesionalizëm që janë të nevojshme për sjelljen e vendimeve të duhura për shtetin.
Sokrati pohonte se pushteti duhet të trajtohet si mjeshtëri, njësoj sikur medicina që kërkon profesionalizëm dhe trajnim. Pyeste: “A do ta zgjidhnit mjekun mbi bazë të popullaritetit apo do ti jepnit përparësi profesionalizmit të tij në medicinë?”. Sokrati tërhiqte vërejtjen se demokracia mund të sjellë shkatërrimin e civilizimit dhe për këtë sillte një analogji. Imagjinoni sikur shteti është një anije e madhe në oqeanin pafund. Kësaj anije i duhet një kapiten i aftë që ta drejtojë nëpër stuhitë e oqeanit, ti tejkalojë pengesat dhe të arrijë në cakun e tij. Por kapiteni zgjidhet me votat e popullit, andaj mund ta imagjinoni këtë vendim katastrofik. Në vend se të zgjidhet një profesionist i kësaj fushe i cili njeh çdo pjesë të anijes, udhëtarët e zgjedhin një njeri popullor, të famshëm, i cili u premton njerëzve udhëtim të sigurt. Kështu, sikurse anija, ashtu edhe shoqëria, do të përjetonin aksidentin e pritshëm fatal.
Çfarë deshi të kumtojë Sokrati me këtë analogji? A deshi ai të zgjidhet një diktator? Jo. Ajo që Sokrati deshi të thotë, është se udhëtarët e kanë patjetër të jenë pjesë e ekuipazhit, nëse duan që anija të arrijë në cakun e duhur. Ata jo vetëm që duhet ta zgjidhin një kapiten të aftë, por edhe udhëtarët ta njohin funksionimin e anijes. Edhe kapiteni më kompetent nuk mundet vetë ta drejtojë anijen pa një ekuipazh të mirë. Brenga e Sokratit për demokracinë gjithashtu buronte nga njohjet e tij për natyrën njerëzore.
Ai ka vërejtur se njerëzit prihen nga kënaqësitë e momentit, e jo nga shqyrtimet e principeve dhe moraleve afatgjata. Në sistemin demokratik, këtë boshllëk mund ta shfrytëzojnë demagogët dhe njerëzit karizmatikë të cilët manipulojnë me mendimin publik për të kapur pushtetin. Sipas Sokratit, demokracia shpeshherë i jep përparësi popullaritetit mbi aftësinë dhe dijen, kurse kjo sjell në jetë vendime të gabuara. Demokracia mundëson ngritjen e liderëve karizmatikë që manipulojnë me emocionin e publikut për interesa të personale. Këta liderë e shfrytëzojnë injorancën e njerëzve duke u premtuar zgjidhje të shpejta të problemeve për tʼua bërë qejfin njerëzve, në vend se të merren me çështje të ndërlikuara me mençuri dhe urtësi.
Për Sokratin, themeli i udhëheqjes efikase është urtësia. Ai besonte se udhëheqja kërkon kuptimin e drejtësisë, vlerave dhe të mirave të përgjithshme. Demokracia e cila praktikohej në Athinë, i mundësonte gjithsecilit të merr pjesë në sjelljen e vendimeve, pa dallim të njohurisë ose kualifikimit. Kësaj qasje shpeshherë i jepet besimi në sjelljen e vendimeve për masën e painformuar. Sokrati i jepte theks të veçantë arsimimit si parakusht për një shoqëri të drejtë. Besonte se demokracia pa arsimim të mirëfilltë të popullatës, është e destinuar të shembet. Demokracia athinase e kohës së tij nuk siguronte që njerëzit të jenë të arsimuar për sjelljen e vendimeve në çështje të rëndësishme të drejtësisë. Jepte mendimin që mungesa e diturisë dhe informimit i rrënon themelet e sistemit të drejtë dhe efikas.
Në vend se të thirret në tirani e oligarki, Sokrati propozonte sistemin e meritokracisë, ku njerëzit më të mençur dhe më me vlera të udhëheqin shoqërinë. Forma e sistemit demokratik të Sokratit bazohet në atë se pushteti duhet tu besohet atyre që posedojnë dituri, urtësi dhe vlera morale.
Ai besonte se sikurse kapiteni i anijes e merr udhëheqjen mbi bazë të profesionalizmit, ashtu edhe udhëheqësi i shoqërisë patjetër duhet të jetë më i arsimuari dhe më i përkushtuari për të mirën e përgjithshme. Në vizionin e tij ideal, udhëheqja duhej ti jepet filozofëve, individëve që kanë kaluar trajnimet etike, logjike dhe natyrën e drejtësisë, individëve që posedojnë aftësi intelektuale dhe integritet moral. Liderët e tillë e vënë të mirën e përgjithshme mbi interesat personale. Mendonte se vetëm në këtë mënyrë shoqëria shpëton nga rreziku i injorancës, demagogjisë dhe sjelljen e vendimeve të pamatura të masës.
Platoni, nxënësi më i njohur i Sokratit, e zhvilloi këtë ide për shtetin ku thoshte se shoqëria duhet të udhëhiqet mbi bazë të mençurisë, urtësisë dhe integritetit moral. Për Sokratin, urtësia dhe vlerat e larta morale ishin qëllimi madhor i jetës së njeriut.
Sipas Sokratit, demokracia ka bërë shumë pak për promovimin e këtyre vlerave. Në vend të tyre, i ka nxitur qytetarët tu japin prioritet interesave personale dhe mirëqenies materiale. Në kohën e tij, Athina kohë të gjatë i përjetonte pasojat e udhëheqjes së keqe dhe ndasive politike, veçanërisht gjatë luftës me Spartën në betejën e Peloponezit që zgjati tri dekada. Kjo luftë e sfiliti ekonominë athinase, e dobësoi fuqinë ushtarake dhe futi ndasi të thella brenda shoqërisë.
Athina e cila dikur ishte e njohur si simbol i fuqisë dhe i kulturës, u përball me korrupsionin dhe pakënaqësitë e brendshme të sistemit politik, që edhe më tepër e dobësoi pozitën e saj. Sokrati dëshmoi se si demokracia në vend se të udhëheq popullin drejt prosperitetit, solli vendime të gabuara që buronin nga interesat personale.
Është ironik fakti se viktima e parë e demokracisë ishte vetë Sokrati. Në vitin 399 para erës sonë, u dënua me vdekje, pasi parlamenti thoshte se ai po e prish rininë athinase. Shumica pohojnë se kundërshtimi i tij ndaj demokracisë solli edhe vendimin me vdekje. Vdekja e tij theksonte pikërisht atë mungesë për të cilën fliste sa ishte gjallë. Përkatësisht, rrezikun e sjelljes së vendimeve të pamatura që dalin nga emocionet e masës dhe turmës së painformuar. Demagogët shfrytëzojnë frikën dhe dëshirën e masës duke injoruar pasojat afatgjata. Fati i Sokratit duhej të ishte vërejtje për të gjithë, por jo, Athina në shekujt e ardhshëm i zgjidhte demagogët njërin pas tjetrit. Pasi arriti lajmi për vdekjen e Aleksandrit të madh, qyteti kishte dëshirën e flaktë për tu hakmarrë ndaj rivalëve. Fokioni, admirues i Sokratit, i ka shërbyer Athinës më shumë se 50 vjet si gjeneral dhe politikan. Ai tentoi ta paralajmërojë popullin se edhe pse Aleksandri ka vdekur, ushtria e tij është ende gjallë. Megjithatë, Fokioni është mbivotuar dhe Athina filloi luftën me një armik shumë më të fuqishëm. Pasi pësuan disfatë në betejë, athinasit e lusnin Fokionin të udhëheq me bisedime për dorëzim, duke pasur frikë se fuqitë nën kontrollin e trashëgimtarëve të Aleksandrit do ta shkatërrojnë qytetin. Fokioni ia doli ta shpëtojë Athinën, por me çmim të lartë -lirinë e qytetit. Athina u vu nën kontroll të plotë të fuqive helene, kurse demokracia e famshme e Greqisë u zhduk përgjithmonë.
Rrëfimi për Athinën është paralajmërim për ne, rënia e demokracisë së tyre është dëshmi se asnjë sistem politik nuk është i përkryer. Në të vërtetë, sistemi është efikas vetëm sa janë njerëzit që marrin pjesë në të. Ndoshta për këtë shkak, Tomas Xheferson ka thënë se nëse njerëzit janë të pakujdesshëm ndaj çështjeve publike, liderët e tyre bëhen ujqër. Sokrati nuk e urrente demokracinë në kuptimin se nuk e donte konceptin e qeverisjes së përbashkët. Ai e shihte me dyshim idenë që masa e painformuar të sjellë vendime të rëndësishme. Kritika e tij është përkujtues i përhershëm i rëndësisë së arsimimit, mençurisë dhe integriteti në udhëheqje. Këto vlera janë të rëndësishme sot, njashtu sikur në Athinën antike. Duke shqyrtuar demokracinë, Sokrati na nxit të mendojmë për përgjegjësitë si liderë dhe si qytetarë. Ai na la një trashëgimi që gjithmonë nxit debat të nevojshëm.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.