Swiss Tetova

    DITAR TETOVAR
    1 janar 2025

    Kujtim Shabani

    Nga ora 18 nga një lagje në hyrje të qytetit vrullet një lukuni qensh. Në ditën e parë të vitit të ri. Mu te vendi i korzos. Mu në kohën e darkës. Me të rënë të territ. Më i madhi, një bablok, zë vend në trotuar, të tjerët shpërndahen vërdallë. Qentë kanë të tjera shprehi! Të vjen keq t’i shohësh, të uritur dhe të përbuzur. Të rrahur dhe të shtypur nga veturat mbanërruge. Të varrosur në kanale. Kur kthehem në të njëjtën rrugë pas ndonjë ore e kusur, babloku qëndron në të njëjtin vend, në të njëjtën terezi. Vetëm ky më duket i ngopur dhe i kënaqur. I mungon vetëm një çibuk.

    Pas shqiptarëve, shqiptarëve, shqiptarëve, maqedonasve, turqve, romëve, Tetovën e popullojnë në këtë kohë edhe dy komunitete të veçanta: qentë dhe emigrantët. Thonë se edhe këta qen janë emigrantë në Tetovë. Thonë – i sjellin fshehur në errësirë trafikantë politikë për sabotazh. Ç’nuk bën vaki! Kaq shumë qen kam parë vetëm në Zvicër. Por, në shoqëri me njerëzit. E kujtoj gjithmonë fqiun tim, i cili ruan përherë tre e më shumë qen. E admiroj për kujdesin. I nxjerr dy-tri herë në ditë, sikur i shpie në ligjërata… Në shi të veshur me mushama, në verë të mbulaur me çadër. “Është i verbër”, më thotë me pikëllim për njërin. Pres t’i shoh një ditë me syze me dioptri.

    Shumica e emigrantëve në këtë kohë në Tetovë më bëhet se janë nga Zvicra. Dallohen nga tabelat e veturave. Tetovarët pretendojnë se i njohin nga mënyra si i japin veturës. “Pse i japin veturës si të çmendur këta të Zvicrës?”, më pyeti njëherë një mik mendjehapur. Kjo mesele i ka hak nja dy fjalë: E ditur është vetëm se kultura e qarkullimit në trafik në Zvicër është më e mirë se ajo në Tetovë, madje edhe se në Gjermani, po ku e ku më e mirë se në Itali. Atëherë më vjen të pyes: Pse janë kaq të fiksuar pas këtyre të Zvicrës këta? Edhe një gjë tjetër është e sigurtë: Veturat e mërgimterëve janë larg më modeste se disa me tabela Tetove.

    Në Tetovë ka shumë Zvicër! Kush s’i ka parë ato ordinancat, a farmacitë me emrin Basilea. Ky është emri i qytetit Basel. Aty ku është vatra e farmaceutikës në Zvicër. Vërtet dy nga një grusht i koncerneve më të forta të farmaceutikës në botë vendlindjen e kanë në Basel të Zvicrës. Kjo duket pak subtile, po kush s’i ka parë ato dyqanet Swiss Shop dhe Swiss Beckery në Tetovë? Janë gjetje! Tetova është e njohur për mërgimtarët nga Zvicra, Zvicra është e njohur për lloj-llojshmërinë e bukave. Shumëkush ha bukë nga Zvicra sot!

    E ndesh shprehjen “shmek”: “Filani ka shmek”… Kjo s’ka tjetër prejardhje, përveç asaj “schmecken” dhe “Geschmack”, që duan të thonë shijoj dhe shije. Dhe buka zvicerane ka shije! Pastaj këto shprehjet “fasonkë”, “shteker”, “shtrafciger” janë tranformime në shqipen lokale të fjalëve gjermane “Fassung”, “Stecker”, “Schraubenzieher” për xokolën,  atë pjesën ku shtrëngohet llamba, për prizën, për kaçavidën. Janë ekuivalente aty-aty, sa kanë ditur mërgimtarët e shkretë, Gastarbeiterët. Edhe kjo është gjermane-zvicerane: punëtor mysafir, mikpunëtor, emigrant pune. Pastaj janë gjithë ato ndërmarrje që adoptojnë shprehjen “Bau” – ndërtim. «Trokeraj» nga «Druckerei», që domethënë – shtyp. Së fundmi e dëgjoj këtu shprehjen “liferoj”, “liferuar”. Kulmi! Them si është e mundur?! Si erdhën këtu: Është fiks “Lieferung”, “liefern” – gjermanisht;  furnizim, furnizoj – shqip.

    Më bën shumë përshtypje që në përditshmëri në Tetovë përdoren kaq shumë shprehje gjermane, kurse këto markat zvicerane si Swiss Shop, Swiss Beckery… nuk janë në gjermanisht, po në anglisht!

    S’mund t’mos më bëjë përshtypje një tabelë në Tetovë: “Swiss German”! E di se ka kurse të ndryshme gjermanishteje në Tetovë. Dhe këto nuk janë për adhuruesit e gjermanishtes, të cilët dëshirojnë ta lexojnë Goethen në origjinal. Janë kurse për ata që do të shkojnë në Zvicër e Gjermani, ngapak dhe në Austri. Po kjo, të ofrosh kurse të gjermanishtes zvicerane, të dialektit zviceran të gjermanishtes, më duket shumë kreative! Se nuk i them dot gjeniale. Them kreative, sepse dialekti zviceran është i vështirë, dallon nga gjermanishtja letrare sa ç’dallon të folurit e Tetovës nga shqipja letrare. Këta e bëjnë gati gjnden për Zvicër. Zvicër! Sespe dialekti zviceran në Zvicër ha bukë!

    Gjermanishtja gjithmonë ka pasur konjunkturë në Tetovë. Se mërgimi gjithmonë ka qenë një shteg për tetovarët, vullnetar apo vullnetarisht i detyruar. Mërgimtarët janë projektuar që në shkolla. Në gjimnaz dhe shkollën e mesme të medicinës, të cilat konsideroheshin si hesapi elitare, si gjuhë të huaja mësoheshin frëngjishtja dhe anglishtja. Në shkollat e mesme tekstile dhe bujqësore, ku mësoheshin zanate, mësohej gjermanishtja. Kjo i bie pak si: “Ja zanatin, ja edhe gjuhën, tani mbathja!” Në Gjermani. Bile – më mirë – në Zvcër. Zvicër! Viteve të tjera mbase do të dalin edhe kurse të gjermanishtes zvicerane të Zürichut, a të Baselit…

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Përqendrimi i plumbit në ujin e lumit Kriva Reka është rritur për 10 herë

    Lajmi i rradhës

    Bakllava për të tjerët, urti për veten

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë