‘Në paçi urdhër me vra, më vrani mua të parin’, deklarata historike e Demaçit para forcave serbe

    Historiani Shkëlzen Gashi, i cili kohë më parë ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, e ka sqaruar fotografinë historike të Demaçit ku ai shihet para policëve serbë në vitin 1992 në Prishtinë.

    Gashi e ka treguar ngjarjen e asaj dite dhe asaj proteste përmes një statusi vitin e kaluar.

    Ne ditëlindjen e 87-të të Adem Demaçit, KultPlus ua risjell postimin e Gashit:

    Kjo fotografi është shkrepur përballë Hotelit Grand në Prishtinë në vitin 1992 nga fotografi Hazir Reka dhe për herë të parë është botuar në librin tim ‘Adem Demaçi – biografi e paautorizuar’ (2010).  Ngjarja është paraqitur në libër si vijon:

    Qysh më 1990 regjimi sërb i kishte përzënë studentët shqiptarë nga objektet universitare. Më 1991 ata kishin organizuar disa protesta dhe greva për lirimin e këtyre objekteve, por ato qenë shuar dhunshëm nga policia sërbe.

    Në fillim të janarit 1992, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, u kishte drejtuar letër autoriteteve jugosllave dhe liderëve botërorë lidhur me mbylljen e universitetit, për ç’arsye qe burgosë nga regjimi sërb për 60 ditë. Po në janar 1992, Ministria e Arsimit e Kosovës pati vendosë që mësimi të mbahej nëpër shpi private. Një protestë masive qe organizuar në Prishtinë në tetor të këtij viti për lirimin e hapësirave të universitetit, e cila po ashtu qe shuar me dhunë nga policia sërbe.

    Demaçi merr pjesë në këtë protestë të studentëve. Policia ua zë rrugën protestuesve dhe i urdhëron të shpërndahen; përndryshe ka autorizimin t’i vrasë. Demaçi bën disa hapa para duke u shkëputë nga radha e parë e protestuesve. «Në paçi urdhër me vra, më vrani mua të parin», u bërtet Demaçi policëve ndërsa vazhdon të ecë. Policia e hap rrugën dhe protestuesit çajnë përpara në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, kërkesat e protestuesve shpërfillen krejtësisht. 

    Lajmi Paraprak

    Pacientëve në Rumani dyshohet se iu vunë pajisje kardiake të të vdekurve

    Lajmi i rradhës

    Mos i përdorni këto fraza kur flisni me fëmijët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë