Edith Durham (pjesë nga vepra High Albania)
Përkthimi: Telegrafi
Ishte një djalë i ri në një fshat pranë Gjakovës. Babai i tij kishte vdekur. Jetonte me nënën dhe motrën. Oh, sa e shëmtuar ishte motra e tij! Nuk ishte fejuar që në djep – zakonet e qytetit ndryshojnë nga ato të malit – dhe ata me të vërtetë nuk dinin se si ta martonin. Sigurisht që nuk e thoshin këtë, por disi, kur një vajzë është shumë e shëmtuar, të gjithë e marrin vesh.
Një ditë, djali shkoi në Prizren për punë. Atje takoi një djalë prizrenas; u bënë menjëherë miq të mirë, dhe secili i tregoi tjetrit se ishte mjaft i pasur dhe se donte të martohej së shpejti.
“Do të të jap motrën time!” – tha me entuziazëm ai i Prizrenit.
Familja e tij banonte në një fshat pranë Prizrenit dhe ishte një familje me reputacion të mirë, ndaj djali gjakovar pranoi menjëherë. “Edhe unë,” tha ai, “do të të jap motrën time të dashur në këmbim!”
U arrit marrëveshja. Të dy u kthyen në shtëpitë e veta, shumë të kënaqur. Por, nëna prizrenase nuk ishte budallaqe.
“Çfarë di ti për këtë vajzë?” e pyeti të birin. “Prit pak. Do të shkoj vetë ta shoh.”
U nis plaka mbi një kalë. Kur nëna gjakovare e pa, e kuptoi menjëherë pse kishte ardhur.
“Lërma mua,” i tha të birit. Shpejt shkoi te fqinji dhe e ftoi vajzën e bukur të fqinjëve të hynte në kopsht.
Erdhi nëna nga Prizreni. Nëna nga Gjakova e priti me nderime – me kafe dhe ëmbëlsira. Shkëmbyen komplimente, por rregullat e shoqërisë së mirë e pengonin nënën nga Prizreni të kërkonte të shihte të renë e ardhshme. Më në fund, ia treguan kopshtin dhe atje ajo pa vajzën e bukur. U kthye në shtëpi dhe raportoi në mënyrë të favorshme. Nusja u mor siç ishte zakoni dhe dasma u kremtua. Kur gjithçka përfundoi, dhëndri i paduruar ngriti vellon dhe pa nusen e shëmtuar. I tërbuar, u betua se kurrë nuk do t’ia jepte motrën e tij të bukur gjakovarit në këmbim. Por, edhe ajo dasmë ishte caktuar, dhe në ditën e përcaktuar, krushqit e gjakovarit – tridhjetë burra trima, të armatosur dhe të veshur më së miri – hipën mbi kuaj dhe shkuan deri te lumi që ndante dy fshatrat, për të takuar dhe marrë nusen. Por, nuse nuk kishte. Prisnin. Koha po kalonte. Nëse nusja nuk vinte së shpejti, do të ishte shumë vonë për t’u kthyer atë natë në shtëpi. Dy nga pleqtë e familjes së dhëndrit kaluan lumin dhe nxituan drejt shtëpisë së nuses. Kur arritën te dera, prijësi i tyre nxori jataganin dhe trokiti në derë me dorezën e tij.
“Çfarë do?”
“Kam ardhur për nusen.”
“Largohu. Nuk ka nuse këtu.”
“Ma jep nusen, ndryshe do ta nxjerr zemrën nga vendi!”
“Të thashë se nuk ka nuse këtu!”
“Ka.”
“Nuk ka.”
Filluan të shkëmbejnë mallkime dhe fyerje: “Qen bir qeni”.
Gjakovari nisi të godiste derën me forcë dhe dha ultimatumin e tij:
“Do ta djeg shtëpinë – do të ta nxjerr mëlçinë. Ma jep nusen, ndryshe do të sjell tridhjetë burra dhe do ta djegim gjithë fshatin.”
Djali prizrenas iku nga dera e pasme dhe vrapoi te kryeplaku i fshatit:
“Kanë ardhur dy burra dhe duan të ma vjedhin motrën,” tha ai.
“Dy veta? Dëbojini!”
“Por, thonë se do të vijnë tridhjetë dhe do ta djegin fshatin.”
“Tridhjetë! A e ke premtuar vajzën?”
“Po; por …” Ai përpiqej të shpjegonte.
“Nuk ka rëndësi. Nuk mund të lejoj që fshati të digjet për shkak të motrës sate. E ke premtuar. Jepe menjëherë!”
U kthye pas.
“Dëgjo, do ta marrësh, s’ka problem, por jo sot. Nuk është gati. S’ia kemi lyer ende flokët me të zezë. Ajo …”
“Ah, lëre këtë punë! Kemi boll ngjyrë flokësh në vendin tonë. Nxirre tani, ose do të sjell të tjerët!”
Dhe, ashtu, vajza u nxor. Dhe, kështu, gjakovari mori një nuse të bukur dhe e largoi motrën e tij e shëmtuar.