Vallja e Titos 

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA
    Kujtim Shabani

    Tani është sezoni i dasmave. Në Tetovë korrikut mund t’i vënë një emër tjetër. Diçka me dasmë. Nuk e korr më njeri grurin. Jo për faktin se për korrje përdoren makineri moderne. Po në Pollog, këtë rajon me nam si hambar i vendit, nuk duken fusha gruri askund. Nuk mbjell më njeri grurë. Fushat janë bërë… sallone dasmash.

    Sigurisht: njerëzit do të martohen e do të trashëgohen edhe në Tetovë. Si gjithandej në botë. Mbase këtu trashëgimia, pas gjithë këtyre ekzodeve, duhet të jetë një temë për opinionin. Dhe dasmat ndodhin në këtë kohë, kur në Tetovë vijnë për pushime mërgimtarët. Një pjesë të dasmave madje i organizojnë ato të mërgimit, martohen me vajza a djem nga Tetova. Ato ndodhin gjithmonë në vendlindje. Aty ku zë fill jeta e tyre. Një traditë e bukur!

    Dasmat janë raste të rralla ku mbidhet i gjithë fisi. Farefisnia dhe krushqia. Dasma ofron momente të paharruara dhe fiksohen. Ato janë një moment ku përjetohet identiteti dhe solidariteti. Janë momente eskapizmi, arratisjeje nga përditshëria e zymtë dhe rutina. Ndonëse edhe ato për disa javë kalojnë në rutinë. Dasmat janë shumëçka.

    Nga damat përfitojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Atyre u duartrokasin artizanët, butiqet, gastronomia, grupet muzikore, artarët, fotografët, agjensitë e udhëtimit, taksitë, sallonet… e të tjerë, që s’të vijnë ndërmend menjëherë. Ato janë një dorë e ngrohtë për ekonominë. Madje një dorë e nxehtë në këto kohë krizash të përgjithshme.

    Dasma vërtet është vetëm maja e malakullit, Eisbergut, të organizimeve rituale të një martese. Ajo është vetëm një hallkë në zinxhirin e tërë kësaj serie ngjarjesh. Asaj i prijnë gjithë ato tradita dhe peripeci të tjera. Pas saj vazhdojnë prapë rite që mbahen brez pas brezi.

    Dhe dasma vetë ka gjithë ato ceremoni të tjera të vetat: pritja e mysafirëve, fillimi i vallzimit, ardhja e njerëzve të nuses, hyrja e çiftit në sallë, hyrja e çiftit në valle, hyrja në valle e palës së nuses, vallja dyshe e çiftit, Napoloni, djegja e shamisë, darka, ndërprerjet me trokitje lugësh të çiftit, prerja e tortës, fotografitë me çiftin…

    Dhe ka e pakta edhe një nënrit të dasmës. Aty nga fundi i saj, një grup të rinjsh, më entuziatët e valles, bashkë me ndonjë veteran të vallzimit nga ane e dhëndrit, apo edhe e nuses, i vardisen orkestrës ta luajë “kryevallen”. Nuk shkulen nga sheshi i lojës pa vallen e të gjitha valleve! Pajdushkën! Pajdushkën sllave. Në dasmën shqiptare.

    Po si u katapultua kjo valle në fjalën e fundit të një dasme te ne?

    Nga muzgu i komunizmit jugosllav, dasmori duhej ta prezantonte në polici repertorin e këngëve që do të këndoheshin në dasmë. Një zbulim i Republikës Socialiste të Maqedonisë për shqiptarët. Sistemi donte të sigurohej që nuk do të kishte këngë që i zgjonte ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Kjo gjetje kishte për qëllim çorientimin e tyre kulturor e identitar.

    Duke mos dashur ta humbiste këtë moment të shënuar për familjen, dasmori zgjidhte këngë pa zarar. Të pranueshme për regjimin. Kompromise. Kësaj duhet t’i ketë ndihur pak edhe inspektori që jepte vizën. Ai do t’i ketë sugjeruar dasmorit në konfidencë që në repertor ta fusë për shembull një valle sllave, duke i shkelur syrin sikur t’i kishte kryer ndonjë shërbim të paharruar: “Me këtë kalon edhe ajo kënga juaj…!”

    Ky ishte edhe skenari i koncerteve të grupeve kulturore shqiptare në Maqedoni. Ato fillonin me një valle shqiptare, po duhej të mbaronin me një valle jugosllave. Një shenjë e amanetit të Titos, vëllazërim-bashkimit jugosllav. Kështu shqiptarëve iu ngeli peshqesh „Pajdushka“. Dikur dasmorët e mësuan leksionin, e fusnin vetë atë në repertor. Me kohën u harrua si u montua ajo në këtë rit kulturor.

    Kujtoj që shqiptarët atëherë ngriheshin në këmbë për t’i duartrokitur valles shqipe në fillim të koncertit, në vallen jugosllave në fund ngriheshin dhe e zbraznin ngadalë sallën. Ka ardhur koha të vendoset midis Napolonit dhe Titos. Ndonëse Napoloni nuk mendon mbretin francez, ajo mbase kupton paren që dorovitej, dhe kjo do një ligjërim më vete. Ta duartokasin, pra, Napolonin dhe ta zbrazin sallonin kur të nisë vallja e Titos. Ajo ka hyrë dhunshëm në dasmën shqiptare dhe qëllimi i saj ishte i ligë.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Nuk është e vërtetë që zjarret këtë vit në RMV kanë zgjatur më shumë se 12 orë

    Lajmi i rradhës

    Vetëm një salsiçe në ditë shkakton sëmundje serioze, po pijet e ëmbëlsuara?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë