“Varfëria”

    Naim Frashëri

    “Varfëria”

    Ju, të pasur, kur rrini
    Rreth zjarrit me gëzime,
    Qeshni, hani e pini,
    Xbaviti me dëfrime,
    Kërceni e këndoni
    Dhe çeli e gëzoni,
    Bëni gaxhi e loni
    Edhe prëhi e ngrohi.
    U vjen së largu afshi
    Ndë sallonet të gjerë,
    Shtruarë pej mëndafshi,
    Mbushur me gjë të vlerë.
    Nga ari, nga ergjëndi,
    Nga floriri, nga drita
    Llapëtin gjithë vëndi,
    Tfaqet natënë dita.

    Zonjatë bukuroshe
    Veshur me rrobat’ e arta,
    Vashatë vogëlushe,
    Të bardha posi karta
    Djemthit’ e përkëdhelur,
    Të larë e të ndruar,
    Me zëmërë të çelur,
    Me buzë të gëzuar,
    Vinë rreth e kërcejnë
    Dhe qeshin e këndojnë,
    Lozinë e dëfrjnë,
    Kohën me gas e shkojnë,
    Dhe juve, duke parë
    Me sy fatbardhësinë,
    S’u vjen fare të qarë
    Vallë për varfërinë?
    E dini q’është jashtë
    Një plak’ e dobëtuar,
    E përgjynjur, e lashtë,
    E mjer’, e dëshëruar,
    E fishkur’ edh’ e thatë,
    E thinjur’ e kërcure,
    E urtë dit’ e natë,
    Dergjetë nër qivure!
    Një plak q’i vdiq fëmija,
    Edhe mbet i helmuar,
    Se iu shkretua shtëpija,
    Mbet si kandil i shuar!
    Një foshnj’ e varfëruar
    Pa nënëz’ e pa atë,
    E gjor’ e dobëtuar,
    E ligurë e e thatë!
    Gjithë këta të mjerë
    Në të këqia rrojnë,
    Vin’ e lipin më derë,
    Një kafshitë kërkojnë!
    E kur vjen të kërkojnë,
    Brengën s’munt’ ta rrëfenjë,
    Po zë dhe të këndonjë
    E rreh të na dëfrenjë.
    Sa ‘shtë turp për njerinë,
    Kur shkojm’ e s’kthejmë synë!
    S’dëgjojmë Perëndinë?
    S’është vëllathi ynë?
    Oh, epni ju që kini!
    Kush i ndih varfërisë,
    Ay q’ep, po e dini
    Q’i huan Perëndisë.
    T’apin, se vjen një ditë
    Q’e lemë këtë jetë
    Dhe gjën’ e bagëtitë,
    Vemi në të vërtetë,
    Përpara Perëndisë,
    Që do të na gjykonjë;
    Urat’ e varfërisë
    Arrin të na shpëtonjë,
    Ajo or’ e borinjtë,
    Që ligjëron e bije,
    Rreth t’i plakin të rinjtë,
    Buzë varrit na shpije.
    Epni t’u falnjë Zoti
    Juve gjithë të mirat
    E të mos mutnjë moti
    T’u sjellë të pahirat.
    Mba unazat në dorë
    Pa njëfarë nevojë!
    Zonjë, shumë të gjorë
    Vdesën për bukë ngoje!
    Ep t’apë Perëndija
    Të gjitha mirësitë,
    Të të kenë fëmija
    Shëndet e jet’ e ditë.
    Zot i math’, i vërtetë
    E gjithë ju të Mirët,
    Mos e lini përjetë
    Njerinë n’errësirët!

    Lajmi Paraprak

    Fëmijët dhe humbja e një prindi | Si duhet të sillet prindi tjetër në një situatë të tillë

    Lajmi i rradhës

    Vuçiq: Pres përgjigjen e BE-së për deklaratën e Osmanit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë