Varret pa të vdekur

    Tregim nga Binak Kelmendi

    Dielli sa nuk kishte perënduar, s’e kishte as një konop samari për t’u fshehur pas majave, qielli po merrte një kuqësimë të ndritshme të verdhë, ndërsa zhurmat e zërave po bëheshin gjithnjë e më të paka. Zhvarrimet kishin humbur pothuaj në tërësi gjallërinë e verës, nuk ushtonte asnjë vajtim a këngë dhe asnjë fishkëllimë në mbrëmje, as gjinkallat në muzg nuk dëgjoheshin më. Vetëm ndonjë xixëllonjë e përhumbur dhe e trullosur nga lajthitja e rrugës, ndeshej për fytyrë njeriu dhe pastaj, ndoshta e frikësuar, ajo vazhdonte të largohej ose të ikte duke u puçur për degë e gjethe drunjsh dhe për oxhaqe të shtëpive të djegura. Perëndi, sa oxhaku që kishte mbetur në këmbë në mes të shtëpive të djegura dhe këtë mbetje, gatitu si ushtar pas mbarimit të luftës, deri shumë përtej besëtytnisë, të gjithë e përshkruanin dhe e parashihnin si fat, ogur i mirë, mbarësi të madhe … për ata që kishin mbetur gjallë. Dhe, për ata që mbesin gjallë, gjithmonë ka një mbarësi: jeta.  

    “Do të bëhet shumë mirë”, thoshin të gjithë me besim e shpresë.  

    Pavarësisht këtij parashikimi dëshirues, fytyra të zhvarrimtarëve dhe të tjerëve afër tyre, që bënin sehir, dukeshin të vrara, të murrtuara, me danga, ndoshta më shumë nga pandehma ç’kishte ndodhur me të vrarët që nuk gjendeshin dot sesa nga lodhja që u kishte ardhur duke mihur e rrëmuar në thellësi toke. Prisnin vazhdimisht ndonjë shpjegim ose ndonjë lajm nga të tjerë. Kërkimtarët merrnin shënimet e fundit nga ta dhe duke u vërtitur rreth gropave të zbrazëta, flisnin pothuaj pa zë.

    “Nuk po kuptojmë gjë prej gjëje”, thanë ata tek vazhdonin mihjen nëpër pikat e shënjuara sipër tokës duke shikuar nga grupe të tjera të varrmihësve që me gjasë edhe ata vetëm vërtiteshin rreth gropave të rihapura.

    Kërkimtarët shikuan dhe mbajtën veshë.

    “Kemi çelur më shumë se një metër tokë te pjesa e rrethuar me plastmast të verdhë e të zi dhe nuk kemi hasur në asnjë të varrosur të vrarë. Toka sigurisht që nuk i ka lëshuar të vrarët”, ankoheshin, pyesnin ose kërkonin shpjegim nga njëri-tjetri varrmihësit duke shikuar me habi nga kërkimtarë të huaj, të cilët, kërrusur e me skica letrash në duar, vazhdonin të rrudhnin krahët e të pëshpërisnin, tani bashkë me ndonjë përkthyes të zellshëm.

    Kërkimtarët iu qasen edhe më shumë.

    Varrmihësit hapen sytë dhe veshët. Po prisnin ndonjë lajm ose rikapitulimin e numrit të mihjeve të varreve dhe të skeleteve të gjetura duke kërkuar të vrarët gjatë asaj dite. Nuk e dinin dot numrin, siç nuk po dinin as dhe shumë gjëra të tjera. Një heshtje e madhe kishte pllakosur buzëmbrëmjen dhe ata nuk dëshironin ta thyenin atë as me frymëmarrjen e vet të shpeshtuar, pothuajse me dihatje.

    Arkivole të vogla, shumë të vogla, o Zot sa të vogla ishin, që kishin zënë pothuaj gjithë shpatin e ndërmjet dy maleve të renditur nëpër bar, qëndronin të heshtur, sikur ata që nuk nxirnin zë nga goja, me kapakët e hapur me emrat e të vrarëve që pandehej të gjendeshin, me ditën dhe me vendin e shkruar të lindjes. Vetëm data e vrasjes nuk ishte shkruar. As dita e vrasjes. Po pritej gjetja e eshtrave të tyre të shkapërderdhur, të drobitur, dhe, më pas, ndoshta, edhe gjetja e ndonjë njeriu të gjallë që do të dinte datën dhe kushedi, edhe ditën e vrasjes.

    Përkthyesit, njëri prej tyre, me zë të vogël, kërkoi me shumë keqardhje që varrmihësit të kthenin arkivolet prapthi, me kapakë në tokë.

    “Pse?” pyeti me zë të vogël dhe shumë i çuditur njëri nga varrmihësit.

    “Të mos shihen emrat shkruar sipër tyre”, tha përkthyesi.

    “Pse?”, pyeti sërish varrmihësi.

    “Janë shkruar herët”, tha përkthyesi .

    “Pse?”, insistoi me pyetje varrmihësi.

    Përkthyesi ishte kthyer në anën tjetër, me gjasë për ta fshehur fytyrën.

    Varrmihësit, duke larguar ca dhé që u kishte rënë sipri, i kthyen së prapthi arkivolet, ashtu si u thanë, pa kuptuar gjë prej gjëje pse po bëhej kështu.

    “Të mbulohen me najlonë”, tha sërish përkthyesi që nisi të shpaloste një rrollne najloni me fëshfërimën e një puhieje.

    Tashmë, nga vendgropime më të largëta, prapa malit ose pas shpatit, me kazma e me lopata në krah e në duar dhe pa fjalë në gojë, kishin ardhur edhe varrmihës të tjerë. Pasi u bënë bashkë në shpatin me bar, rreth e rreth arkivoleve të mbuluara me najlonë, në errësirën që kishte nisur ta shtrinte pushtetin e vet absolut, me shikim të vrarë drejt tyre, përpiqeshin të gjenin në çfarë ngjanin ata ashtu, të mbështjellë me plastikë dhe vetë aq të heshtur përballë tyre, as pa pirë duhan madje.

    Varrmihës, kërkimtarë, përkthyes, sehirxhinj, mbajtës shënimesh, matës gropash, të gjithë që ishin aty, kthyen kokën nga zëri ose nga zërat, dhe, të hutuar e pa bërë vërë me gojë, shikuan njëri – tjetrin për sqarime.

    Këngë, vaj, nanurisje, rënkime, gjëmë, dihatje, angullimë, klithje, ulurimë, jehonë, bërje veshësh, bërje sysh, fanitje, ç’kishte gjë tjetër në atë shpat.

    Askush nuk dinte ç’zëra ishin ata ashtu në atë buzëmbrëmje, afër tyre, në shpat me kërcimat dhe me hudhjet mbi dhe nga arkivolet e pëmbysura.

    O Zot! bënë me keqardhje, me dhembshuri varrmihësit. Ç’po ndodh kështu? Ka mbaruar vërtet lufta, apo jo?

    Pastaj sikur e morën veten tek panë vajza, gra, nuse duke u ngjitur me vrap shpatit me flokët që ua përdredhte nga pas era.

    -Asgjë nuk po ndodh, tha një grua veshur me të zeza duke u shkrehur në vaj mbi krahët e një gruaje tjetër veshur me të bardha. Erdhën për të shikuar sa zhvarrime janë bërë sot dhe kush do të rivarroset nesër. Erdhën për të parë se a janë gjetur nëpër varre burrat e tyre të vrarë. Fëmijët e tyre të vrarë. Etërit e tyre të vrarë. Nënat e tyre të vrara. Nuk qenkan gjetur. Tani ikën. Pastaj ajo ia ktheu shpinën gropës së hapur që kishte nxjerrë ujë të kuq. 

     “Do të kthehen, vazhdoi gruaja me të zeza duke u kthyer sërish nga gropa që nxirrte ujë të kuq duke mos e lëshuar asnëjhërë atë gruan tjetër nga krahët. 

    “Ndoshta do të kthehen”, shtoi pastaj duke shikuar nga varrmihësit që rrinin në këmbë pa lëshuar asnjë zë.

    Të gjithë kishin mbetur të shushatur dhe tashmë po kërkonin shpjegime që vetë nuk i gjenin dot.

    Varre të shpluara pa të vdekur brenda, arkivole prapthi mbuluar kot ose kushedi pse me najlonë, gra  kërcenin sipër arkivoleve me zëra kënge a vajtimi, ata nuk e dinin dot, me vrapin e pandalur të tyre nëpër shpat derisa u zhdukën në errësirë dhe në malin përballë, njërëz të huaj që gjithashtu po kërkonin shpjegime dhe muzgu sovran që po i mbërthente të gjithë dhe gjithçka.

    Ishte hera e parë që po ndodhte kështu me të vdekurit e tyre. Të mos gjendeshin aty ku i kishin lënë. Në të vërtetë, ata kurrë më parë nuk i kishin kërkuar të vdekurit e tyre nëpër tokë pas varrimit që thoshin t’ua kishin bërë me të gjitha ceremonitë.

    “E ka marrë Zoti, ne ia kemi bërë shërbimet e vdekjes, u pjekshim në parajsë”, thoshin me ngushëllim. Veçse  atëherë edhe varrimi, edhe vdekja, e edhe vrasja kishte qenë normale, sa nuk thuhej njerëzore, nëse mund të ketë vrasje të tillë. Në asnjë nga luftërat  tjera nuk kishte ndodhur kështu, ose të paktën askush nuk e mbante mend të kishte ndodhur kështu. As të tjerët para tyre nuk kishin treguar ndonjëherë të kishin dëgjuar për gjëra të tilla: Të mos lihej i vdekuri në varr. Të trazohej i vrari për së vdekuri.

    Përkthyesi fliste me ngashërima, pothuaj me lot në fytyrë:

    “Ushtria dhe policia serbe, pak para hyrjes së ushtrive ndërkombëtare, ka bërë shumë zhvarrime nëpër gjithë Kosovën. I ka bërë natën, ashtu siç i ka bërë edhe vrasjet.Pas zhvarrimeve, ka bartur trupat e të vrarëve me kamionë, me traktorë, me autofrigoriferë, me trena. Më vete i ka marrë të vrarët, ndoshta si trofe, ndoshta me mendimin se duke i marrë me vete do të mund të fshihte vrasjet që ka bërë, edhe këtu në këtë fshat”.

    Ata hapën sytë e veshët dhe ndonjë cigare e ndezur dukej sikur xixëllonjë që fluturon e tromaksur.

    -Xixëllonjat ikën, bëri ajo gruaj me të zeza duke shikuar nga mali.

    -Kthehen sërish në verë, foli gruaja tjetër me të bardha duke dashur t’ia hiqte nga mendja kaptimin e grave sipër arkivoleve.

    Përkthyesi ose një zë i ngjirur i dikujt tjetër vazhdonte:

    “Varreza me trupa shqiptarësh të vrarë para shtëpisë së vet të djegur dhe në oborrin e vet, po gjenden kudo nëpër Serbi: Në stadiume futbolli, në poligone ushtarake e policore, në parqe qytetesh, nëpër fusha shkollash, në aeroporte, nëpër halla fabrikash. Këto zbulime janë bërë tani, pas ndërrimeve demokratike në Serbi”.

    “Ndërrime demokratike në Serbi!”, se kush qeshi ose shfaqi habinë.

    “Po, po, se po të mos ishte kështu, po të mos ishin këto ndërrime demokratike, nuk do të ishin gjetur të vrarët që po i kërkojmë nëpër varrezat tona. Do të kishin humbur pa shenjë e nishan! Kështu po thonë edhe këta kërkimtarë të botës që po rrinë me ne natën e ditën”.

    “Po, ashtu është”, plotësoi përkthyesin një zë. Me gjasë ishte zëri i kërkimtarëve të huaj të cilët po ashtu shfaqnin habi.

    “Kjo është vrasje e dytë”, tha dikush.

    Të nesërmen, të qullur nga vesa e barit dhe nga uji nëpër varret e rihapura herët, varrkërkuesit nuk flisnin veçse për kapërcimin e grave mbi arkivole dhe për të vrarët e varrosur nëpër Serbi.

    Duke tundur kokën dhe duke shtruar pyetje që nuk kishte kush t’u përgjigjej, ata mihnin pa pikë vullneti nëpër gropat me ujë. Pas gjetur gjë.

    “Çfarë do të bëhet tani me to?” pyeti njëri varrmihës duke drejuar gishtin nga arkivolet me najlonë të mbushur me pika uji.

    “Nuk di gjë”, tha varrmihësi tjetër.

    “Nuk keni pse gërmoni më këtu”.

    Ata heshtën dhe shikuan.

    “Këtu nuk ka të varrosur”.

    Ata, duke ia zgjatur dorën njëri- tjetrit, dolën nga varri i rihapur me dorezat dhe me çizmet plot baltë. Kërkuan sqarime me sytë e hapur drejt tyre.

    “Siç iu kemi thënë edhe mbrëmë, në këto varreza nuk janë më të varrosurit e vrarë. Operacioni i zhvarrimeve mbaron në këtë pikë dhe në disa pika të tjera të rrethinës. Shënimet me të dhënat për të vrarët tashmë janë dërguar në Serbi. Beogradi ka premtuar bashkëpunim dhe ai tashmë ka filluar zbulimin e varrezave masive siç po quhen”, tha një zë.

    “Beogradi dhe bashkëpunimi”, bëri njëri.

    Askush nuk foli, të gjithë shikonin njëri -tjetrin dhe kërkimtarët e përkthyesit me shumë habi.

    “E ç’janë varrezat masive?” pati guximin të thyente heshtjen më pas dikush.

    Një varrmihës kuqalosh e shpatullgjerë, hyri në mesin e varrmihësve të tjerë që kishin zgurdulluar sytë: “Varrimi me buldozherë, me eskavatorë ose me traktorë, një gropë e madhe e bërë shpejt e shpejt me plugje të mëdha natën ose shumë fshehtas ditën në të cilën u hodhën të vrarët ose të vdekurit. Pothuaj shkarkohen. Si gurë ose si dhe ose si një diçka tjetër që nuk ka pasur kurrë shpirt. Ashtu hudhën, ose më mirë gjuhen. Pa lutje, pa lule, pa shenjë e nishan. Pastaj mbulohen me dhé, me baltë, e gurë, me dushk, me bar. Sikur kafshët e ngordhura”, tha pothuaj me lot në sy ai. 

    “As në kohë kolerash e mortajash nuk ka ndodhur kështu”, bëri një zë.

    “Ka qenë kohë më e vështirë”, bëri tjetri.

    Ka të varrosur edhe në Danub.

    Edhe në Danub?

    Po, në atë lumin e madh.

    O Zot!

    A do të gjenden ndonjëherë?

    Ndoshta.

    Sa mirë që Serbia nuk pati dhe nuk ka det.

    Dikush qeshi në fundin e dialogut. / KultPlus

    Lajmi Paraprak

    “Plani i supozuar franko-gjerman si shpërblim për Beogradin dhe presion mbi Prishtinën”

    Lajmi i rradhës

    Shqiptarët, në varfëri energjetike | Një në tre familje nuk siguron dot naftë, gaz, ndriçim dhe ngrohje

    Lajme tjera

    NGAZËLLIMI I ZAGARËVE

    Jim MorrisonPërktheu: Fadil Bajraj Gjarpri, zhapini, syri i insektitdëgjueshmëria e gjuetarit të papërvojëI shpejtë, në kohë pa kohë,…
    Më tepër

    Mizori veshur me patriotizëm

    Liu XiaoboPërktheu: Maksim Rakipaj Në tregtinë mes pushtetit, tregut dhe shpirtravenjollat e gjakut pastrohen nga paratëdhe shpirtrat çfarosenFestimet…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë