Zhvendosje e paradigmës: ndryshimi radikal që sollën rrjetet sociale në konceptualizimin e marrëdhënieve mes sferës publike dhe asaj private

    Sead Zimeri

    Nga njëra anë jam i lumtur që presidenti Trump u përjashtua nga përdorimi i rrjeteve sociale Twitter dhe Facebook. Ai po helmonte shumë mendje të dobëta të cilët ishin të gatshëm ta mbështesnin pa marrë parasysh retorikën e tij të dhunshme. Heqja e megafonit një të çmenduri me siguri është një gjë e mirë; e vetmja kritikë e arsyeshme ndaj rrjeteve sociale është se ato nuk vepruan më parë.

    Nga ana tjetër, megjithatë, kjo nuk mund të jetë e drejtë. Është çështje e fjalës së lirë, e cila në vendet demokratike duhet t’u sigurohet të gjithë qytetarëve, pavarësisht pozitës dhe identitetit të tyre. Fjala e lirë nuk është çështje private por çështje publike dhe si e tillë vetëm autoritetet publike mund ta censurojnë atë. Asnjë kompani private nuk mund të censurojë fjalimin publik.

    Kritika e parë e pikës së dytë është se si kompani private ata janë brenda të drejtave të tyre për të ndaluar fjalimin e kujtdo që nuk e miratojnë. Ata nuk kanë nevojë të kërkojnë leje nga autoritetet publike për të përjashtuar këdo që ata e konsiderojnë të padëshirueshëm për përdorimin e platformave të tyre.

    Megjithatë kjo qasje nuk është e mjaftueshme. Pse jo? Twitter dhe Facebook janë kompani private që kanë “privatizuar” hapësirën publike të komunikimit. Hapësira publike ka kaluar në pronësi private. Prandaj, privatizimi i hapësirës publike krijon të gjitha këto paradokse që nuk do të ekzistonin nëse hapësira publike do të ishte në pronësi publike dhe e kontrolluar në mënyrë demokratike.

    Kur një kompani private privatizon hapësirën publike, ajo gjithashtu merr të drejtën për të kontrolluar dhe mbikqyrur se kush lejohet dhe kush nuk lejohet ta përdorë atë hapësirë. Këto vendime nuk janë çështje e diskutimit publik dhe demokratik, por merren nga ekzekutivë që imponojnë vullnetin e tyre mbi ne që e përdorim këtë hapësirë.

    Është shkelje dhe pushtim i së drejtës për të përdorur hapësirën publike lirisht. Përdorimin e hapësirës publike vetëm autoriteti publik ka autoritetin ta ndalojë dhe atë përmes vendimit të gjykatave publike e jo sipas tekeve të pushtetarëve.

    Por “krimi” fillestar ndodhi kur hapësira publike u privatizua. Kjo është vjedhja fillestare, krimi elementar që nuk duhej lejuar të ndodhte. Hapësira publike nuk mund të jetë private sepse shkel të drejtën e personave privatë për të qenë në të dhe për të komunikuar pa cenzurë me njëri-tjetrin.

    Dikush mund të përgjigjet se atyre që përjashtohen nga Twitter nuk u shkelen të drejtat e tyre publike pasi që ata mund të shkojnë në një hapësirë ​​tjetër private. Kapitalizmi në fund të fundit ka të bëjë me lirinë e zgjedhjes, kurse Twitter dhe Facebook sigurisht nuk janë hapësirat e vetme që mund t’i frekuentojmë.

    Problemi me këtë përgjigje është se ajo nuk e kupton ndryshimin paradigmatik të hapësirës publike. Nëse privatizohet nuk është më publike. Pra, nuk kemi ku të drejtohemi sepse e tëra është monopolizuar nga aktorë privatë. Sfera publike është sot sfera virtuale në Twitter, Facebook, dhe YouTube kurse ajo e sheshit i takon shekullit të kaluar dhe nuk është aspak adekuate për nevojat tona sot. Madje as radioja dhe televizioni më nuk janë të përshtatshëm për të komunikuar me njëri tjetrin. Komunikimi bëhet në botën virtuale prandaj edhe mbikqyrja e saj nga aktorë privat është shkelje e të drejtave tona për të komunikuar lirshëm në sferën publike.

    Megjithatë, rrjetet sociale si Twitter nuk janë vetëm platforma private që na mundësojnë hapësirën për të shprehur mendimet tona, siç janë shtëpitë botuese private, të cilat me plotë të drejtë mund të na refuzojnë pa na i shkelur të drejtat e lirisë së shprehjes. Është shumë më tepër se kaq, prandaj argumentet që aktorët privatë janë të lirë të vendosin se kush përdor platformat e tyre nuk funksionojnë këtu.

    Privatizimi i hapësirës publike është proces i pashmangshëm dhe ne e bëjmë atë gjatë gjithë kohës. Shtëpitë tona janë ndërtuar në hapësira publike, të cilat më pas privatizohen për përdorimin tonë privat dhe ne kemi të drejtë t’i pengojmë të tjerët nga përdorimi tyre pa lejen tonë.

    Ajo që Twitter dhe kompanitë e ngjajshme kanë bërë është se ato kanë privatizuar tërë hapësirën publike; ato kanë marrë përsipër diçka që nuk është e tyre, diçka që sipas logjikës së vjetër të privatizimit nuk mund të ndodhë. Sfera publike është sferë digjitale që mbikqyret tërësisht nga aktorë privat. Komunikimi me të tjerët është i mundur vetëm përmes këtyre hapësirave private-publike.

    Alternativat janë primitive: Nuk mund të dalim në sheshe që t’i komunikojmë mendimet tona. Madje edhe librat më nuk lexohen sa duhet dhe roli komunikativ i tyre ka rënë dukshëm. Por në një botë ku shpejtësia e lëvizjes është elementi kryesor i saj, komunikimi i menjëhershëm, është çelësi i çdo suksesi dhe ndërmarrje.

    Sfera publike bashkëkohore pra është monopolizuar e tëra nga kompani private që kanë pushtet edhe më të madh se vetë autoritetet më të larta publike. Ky është një zhvillim sa marramendës po aq i rrezikshëm sepse vetë koncepti i shtetit është vjetëruar dhe nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të qytetarëve por funksionon si dytësor në raport me pushtetin shumë të madh të kompanive private me shtrirje globale. Kur të ndalon nga përdorimi i rrjeteve sociale të përjashton nga sfera publike.

    Prandaj karahasimet që po bëhen me kompanitë e shtëpive botuese janë të papërshatshëm pikërisht sepse koncepti i privatizimit të tyre është koncept lokal që i nënshtrohet rregullave dhe mbikqyrjes publike. Është i njëjti parim që shërben për privatizimin e shtëpive tona në hapësira publike. Ato mbikqyren nga autoriteti publik i cili edhe jep lejen për ndërtimin e shtëpive tona.

    Por revolucioni digjital dhe ai i informacionit përmes ndryshimit radikal të paradigmave sociale dhe politike nxorri jashtë përdorimit mediumet e vjetra të sferës publike, shkaktoi jo monopolizimin sepse nuk mund të flitet për monopolizim të sferës publike këtu por e bëri atë pavlerë, të kotë. Papritmas e gjetëm veten në këto sfera pa e kuptuar se çpo ndodhte saktësisht.

    Koncepti i vjetër i privatizimit të sferës publike i cili nënkuptonte privatizim nën mbikqyrje të shtetit është absolutisht i padobishëm për ta kuptuar dinamizmin dhe logjikën e privatizimit të sferës publike nga rrjetet sociale.

    Edhe kompanitë e mëdha si Coca Cola apo Nike, funksionojnë përmes konceptit tani më të diskredituar të privatizimit, sepse ato edhe kur i thyejne ligjet e shteteve sovrane përmes evitimit të taksave për shembull, ato në theyrjen e ligjit afirmojnë sovranitetin e shtetit. Një shtet sovran i fuqishëm mund t’i detyrojë t’i paguajnë tatimet që ua përcakton ligji.

    Por kjo logjikë nuk funksionon në privatizimin e llojit të kompanive që mbikqyrin rrjetet sociale. Këto nuk janë globale njëjtë sikur Coca Cola është globale. Këto kanë uzurpuar, apo më saktësisht, kanë ripërkufizuar kuptimin ligjor të shtetit, sferës publike dhe asaj private si dhe kanë rrënjësisht ndryshuar kuptimin e privatizimit të sferës publike.

    Sfera private e rrjeteve sociale nuk rezulton nga privatizimi i sferës publike por nga diskreditimi i vetë konceptit të sferës publike. Pra, ky është revolucioni i vërtetë: nuk kemi të bëjmë me privatizimin e sferës publike por me zhbërjen e saj të plotë. Sfera private e rrjeteve sociale nuk lind nga sfera publike, por nga revolucioni që e çoi sferën publike në histori të pakthim.

    Ky është revolucioni marramendës pasojat e të cilit ende nuk i kemi kuptuar prandaj edhe përgjigjet dhe reagimet tona ndaj përjashtimit permanent të presidentit Trump nga Twitter dhe Facebook janë të ngatërruara dhe të paqarta. Thjeshtë nuk e dimë dhe nuk kemi gjuhën për ta artikuluar si duhet problemin që këto përjashtime shkaktojnë tek ne. Nuk është thjeshtë fakti që kompanitë private janë bërë jashtëzakonisht të fuqishme dhe sot konkurojnë e disa herë edhe tejkalojnë fuqinë e shteteve. Ky është një realitet tani më i vjetër.

    Problemi dhe ankthi që fuqia e rrjeteve sociale ndjellin tek ne ka të bëjë pikërisht me faktin që ato kanë privatizuar vetë formën në të cilën ekziston sfera publike. Sfera publike sot varet nga kompanitë private, kurse autoritetet e sferës publike janë plotësisht të pafuqishme për ta ndryshuar këtë realitet. Sfera publike tani më është pjesë e sferës private dhe mbikqyret nga ajo. Kjo është risia më e madhe por edhe më e tmerrshme e rrjeteve sociale. Ne jemi të detyruar t’i përdorim ato sepse ato janë format e komunikimit sot. Pa to ne mbesim në errësirë të plotë.

    Me një fjalë, përderisa sfera publike përherë i ka paraprirë dhe e ka mbikqyrë sferën private, me ardhjen e teknologjive të reja të komunikimit ndodh e kundërta: sfera private mbikqyr dhe rregullon sferën publike. Nuk ekziston asnjë paralele mes privatizimit kapitalist, madhe edhe atij neoliberal, dhe të revolucionit të informacionit aktual. Këto janë dy universe krejt të ndryshme.

    Ky zhvillim i ri jo vetëm që zhvendos fokusin tonë, por po ashtu e bën të prëndësishëm demokracinë, sepse cfarë pushteti mund të ketë “njeriu më i fuqishëm në botë” se bashku me votuesin e tij, kur ai mund të përjashtohet nga hapësirat ku komunikimi publik ndodh! Demokracia bëhet farsë, dhe ne e humbim pavarësinë dhe autonominë që kishim dikur e që përmes ligjeve na sigurohej nga autoriteti publik.

    Lajmi Paraprak

    Romeo dhe Zhulieta, origjina e dashurisë tragjike

    Lajmi i rradhës

    Figura e shtrembëruar e Ali Pashë Tepelenës në dramaturgjinë perëndimore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë