100 ditë në Shtëpinë e Bardhë – a i ka përmbushur premtimet Donald Trump?

    Me inaugurimin më 20 janar të vitit 2025, Donald Trump u bë për herë të dytë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Që nga ajo kohë, aq shumë gjëra kanë ndryshuar në politikën amerikane, saqë 100 ditët e para duken pothuajse si një periudhë tepër e shkurtër për një kthesë kaq të thellë prej 180 shkallësh.

    Qoftë kur bëhet fjalë për ndryshimin e kursit të politikës së jashtme apo për vendosjen e tarifave doganore ndaj produkteve nga e gjithë bota: rrallë kalon një ditë pa lajme të jashtëzakonshme nga Shtëpia e Bardhë.

    “Pavarësisht nga cila anë politike dikush qëndron, nëse do t’i pyesje, shumica e njerëzve do të thoshin se ka ndodhur shumë kohët e fundit”, thotë Patrick Malone, profesor i administratës publike dhe politikës në American University, në një intervistë për DW. Sipas tij, presidenti “që në fillim ka vepruar me gjithë arsenalin e tij”.

    Pas kësaj qëndron një strategji: përmes deklaratave të pandërprera për masa ekstreme – shumë prej të cilave prekin thellë themelet demokratike të SHBA-së – synohet paralizimi i kundërshtarëve politikë.

    Ndërkohë, qytetarët që nuk pajtohen me drejtimin e ri të Shtëpisë së Bardhë, nuk dinë ndaj çfarë të reagojnë më parë: ndaj shpërfilljes së plotë të ndryshimeve klimatike nga Trump dhe planeve të tij për të rritur nxjerrjen e naftës?

    Ndaj minimit të ndarjes së pushteteve, kur qeveria dëbon migrantë përkundër urdhrave të qartë të gjykatave federale se kjo bie ndesh me ligjin? Apo ndaj kufizimeve të lirisë së shtypit dhe të mendimit, që shfaqen përmes përjashtimit të mediave të padëshiruara nga Shtëpia e Bardhë dhe refuzimit të fondeve për shkencëtarë të papërshtatshëm, madje edhe për universitete të tëra?

    Mandati i dytë i Trumpit po e ndan vendin më shumë se kurrë më parë. Por, sa nga ato që u kishte premtuar mbështetësve të tij para zgjedhjeve të nëntorit 2024 ka arritur të zbatojë presidenti amerikan në fillim të këtij mandati të dytë?

    Nuk ka paqe në Ukrainë brenda 24 orëve

    Në maj të vitit 2023, gjatë një tubimi në New Hampshire, Trump kishte deklaruar se, nëse do të zgjidhej, do ta përfundonte luftën në Ukrainë menjëherë. “Njerëzit po vdesin, rusët dhe ukrainasit. Dua që të ndalet vdekja. Unë do ta zgjidh këtë, brenda 24 orëve”, kishte thënë ai.

    Por, lufta vazhdon. Trumpi ka qenë i detyruar të pranojë se as ai nuk është në gjendje ta ndalë konfliktin për një ditë. SHBA-të po punojnë për një zgjidhje, por pa koordinim me partnerët dhe duke u afruar më shumë me Rusinë sesa me Ukrainën. Qysh në bisedën e parë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Trumpi i bëri lëshime të mëdha agresorit rus.

    Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përjetoi një poshtërim në Shtëpinë e Bardhë nga Trump dhe zëvendëspresidenti i tij, JD Vance, për shkak të asaj që ata e quajtën mosmirënjohje. Ndihma ushtarake për Ukrainën është ngrirë. Së fundmi, Trump kritikoi Kievin për këmbënguljen që Krimea të kthehet nën kontrollin ukrainas, në vend që ta dorëzojë gadishullin armikut në emër të paqes. Njerëzit në Ukrainë, të lodhur nga lufta, reaguan të tronditur ndaj ndryshimit të qëndrimit të aleatit të tyre më të rëndësishëm.

    Por, edhe partnerët perëndimorë të SHBA-së kanë arsye për shqetësim. Trumpi e ka vënë në dyshim besnikërinë e SHBA-së ndaj NATO-s në disa raste. Madje ka deklaruar se, në rast sulmi nga Putini, nuk do të mbronte vendet anëtare të NATO-s që, sipas tij, nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.

    Edhe pse më vonë e tërhoqi këtë deklaratë, është bërë e qartë se vendet evropiane nuk mund të mbështeten më në miqtë e tyre të dikurshëm në Amerikë.

    Trump: T’i dëbojmë kriminelët gjakatarë

    Politika e migracionit ishte një nga temat më të preferuara të Trumpit gjatë fushatës zgjedhore.

    Në një tubim parazgjedhor në New York në tetor të vitit 2024, ai premtoi se, në rast fitoreje, do të niste programin më të madh të deportimeve në historinë e SHBA-së.

    Trump deklaroi se do t’i “fuste kriminelët gjakatarë në burg dhe më pas t’i dëbonte nga vendi sa më shpejt të ishte e mundur”.

    Në muajin shkurt, muajin e parë të plotë të mandatit të dytë të Trumpit, qeveria amerikane deportoi rreth 11 mijë migrantë.

    Në shkurt të vitit 2021, muajin e parë të mandatit të presidentit amerikan, Joe Bidenit, ky numër ishte rreth 12 mijë.

    Por, sipas një raporti të NBC News, me ardhjen e Trumpit në pushtet, ka rënë numri i njerëzve që hyjnë në SHBA nga kufiri jugor me Meksikën.

    Trump padyshim e ka vështirësuar imigrimin, thotë Malone se “disa do ta shohin këtë si sukses, ndërsa të tjerët thonë se bëhet fjalë për masa që nuk përputhen me vlerat amerikane”.

    Ekonomia: Amerika është rikthyer

    Trump kishte premtuar se nën udhëheqjen e tij ekonomia amerikane do të përjetonte një ngritje të fuqishme. Një nga premtimet kryesore ishte ta “bënte Amerikën sërish të përballueshme”, që do të thoshte ulje çmimesh që nga dita e parë e presidencës së tij.

    Në disa fusha kjo është vënë re, për shembull te çmimi i karburanteve. Gjithashtu kanë rënë çmimet e biletave të fluturimeve dhe të akomodimeve hoteliere, si edhe inflacioni në përgjithësi.

    “Çmimet bazë” – pra çmimet mesatare të mallrave, duke përjashtuar koston e luhatshme të karburanteve dhe ushqimeve – në mars ishin 2.8 për qind më të larta se një vit më parë, që është rritja më e ngadaltë në pothuajse katër vite.

    “Politikat e presidentit Trump po ndihmojnë në mbajtjen e inflacionit nën kontroll”, deklaroi Stephen Miran, kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë, në një intervistë për rrjetin televiziv CNBC dhe shtoi se “së bashku me zhvillimet në tregtinë globale, mund të themi: Amerika është rikthyer”.

    Megjithatë, për shumë banorë të SHBA-së, blerjet në supermarket janë ende po aq të shtrenjta sa në fillim të mandatit të Trumpit. Shporta mesatare e konsumit për një familje me dy anëtarë për një javë mund të kushtojë mbi 150 dollarë – madje edhe jashtë qyteteve të mëdha dhe të shtrenjta.

    Taksat doganore të Trumpit: Premtimi i përmbushur, por arsye për shqetësim?

    Pas zgjedhjeve, Trump njoftoi se do t’i jepte fund politikës së “kufijve qesharak të hapur” dhe deficitit tregtar të SHBA-së.

    Ai kishte paralajmëruar se synonte të vendoste taksa doganore të barabarta me ato që partnerët tregtarë i vendosin produkteve amerikane.

    Këtë e realizoi në muajin prill. Në shumë raste, tarifat që vendosën SHBA-të ishin madje edhe më të larta. Pra: premtimi u mbajt.

    Por, kjo i bën disa produkte më të shtrenjta për konsumatorët amerikanë dhe rrezikon marrëdhëniet tregtare tashmë të zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë.

    Sipas një sondazhi të Pew Research Center, amerikanët tani e shohin gjendjen ekonomike dhe të ardhmen e vendit të tyre me skepticizëm sesa në muajin shkurt – pra pak pas marrjes së detyrës nga Trump dhe përpara shpalljes së tarifave.

    Në atë kohë, 40 për qind e të anketuarve deklaronin se prisnin një përmirësim të gjendjes ekonomike në SHBA brenda një viti. 37 për qind mendonin se kushtet do të përkeqësoheshin. Në muajin prill, vetëm 36 për qind besonin se situata ekonomike do të përmirësohej për një vit, ndërsa 45 për qind parashikonin përkeqësim.

    “Nuk ka stabilitet në qeveri”

    Një pjesë e pasigurisë ndoshta buron edhe nga fakti se administrata e Trumpit i heq apo tërheq tarifat po aq shpejt sa i vendos.

    Një kurs kaq i paqëndrueshëm, sipas Malone nga American University, është i dëmshëm për themelin e çdo qeverie që funksionon mirë – dhe ky është stabiliteti.

    “100 ditët e para të Trumpit janë si një stuhi, që do të thotë se nuk është bërë thjesht përparim”, thotë ky profesor i shkencave politike.

    Administrata e Trumpit ka ndërmarrë shumë veprime, por i ka tërhequr po aq shpejt.

    Kjo është më e dukshme te tarifat doganore, por edhe te shkurtimet e vendeve të punës në shumë ministri.

    Mijëra njerëz u pushuan nga puna. Por, kur u kuptua se disa prej tyre – për shembull në sektorin e sigurisë së trafikut ajror apo të sigurisë bërthamore – ishin të pazëvendësueshëm, ata u rikthyen në punë.

    “Kështu është shumë e vështirë të udhëhiqet një qeveri. Çdo qeveri ka nevojë për qëndrueshmëri, parashikueshmëri dhe stabilitet. Dhe këto, për momentin, mungojnë”, thotë Malone.

    Lajmi Paraprak

    Lista e barnave që dëmtojnë trurin dhe kujtesën

    Lajmi i rradhës

    Finlanda ndalon përdorimin e telefonave celularë në shkolla

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë