100 DITËSHI I KASAMIT | Këshilltarët komunal: Ekziston vullneti për punë, por jo edhe realizimi

    Listat e këshilltarëve në Komunën e Tetovës kanë komentuar 100 ditëshin e të parit të komunës, Bilall Kasami. Partitë në koalicion me Kasamin e kanë vlerësuar si relativisht të mirë menaxhimin e 100 ditëshit, ndërsa partitë opozitare thonë se premtimet e Kasamit nuk i kanë përmbushur pritshmëritë e tyre, shkruan Nistori.

    Si pengesë të veçantë për mos realizimin e disa premtimeve të Kasamit, listat theksojnë borxhin e madh të komunës, mbi 24 milionë euro. Nga lista “Më mirë për Tetovën” për Nistori deklarojnë se dëshira dhe vullneti për punë ekzistojnë, por jo edhe premtime të realizuara sa i përket 100 ditëshit të parë të menaxhmentit të komunës.

    “Ne e përcjellim me kujdes punën e udhëheqësisë aktuale në Komunën e Tetovës. Vlerësim jonë është se, vullnet dhe dëshira ekzistojnë, mirëpo nuk mund të thuhet se të gjitha premtimet që janë dhënë për 100 ditëshin e parë janë të realizuara. Duke marrë parasysh gjendjen/borxhin marramendës që ka pranuar udhëheqësia e re, kemi mirëkuptim, por kjo nuk do të thotë se do të ndodh edhe në të ardhmen. Ne do ta ndjekim me kujdes punën e Kasamit dhe do të jemi përmirësues dhe inicues të procedurave për një udhëheqësi të mirëfilltë”, thonë për Nistori nga MMPT.

    Ata presin që kontratat e dyshimta dhe keqpërdorimet që janë bërë në Komunën e Tetovës të përfundojnë si lëndë në Prokurori. Përndryshe do të mbetet vetëm një publicitet dhe arsyetim për dështimin e menaxhmentit apo mos mbajtjen e premtimeve. MMPT gjithashtu pret që sa më shpejtë të përfundojë revizioni financiar i komunës.

    Sipas Aleancës për Shqiptarët e rëndësishme është ndërprerja e hovit të krimit te organizuar, mafias politike si dhe bandave korruptive, por 100 ditëshi i punës së Kasamit nuk dha efekt në shumicën e ndërmarrjeve.

    “Ne si këshilltarë të Aleancës për Shqiptarët, që jemi pjesë e shumicës në Këshill, mendojmë se në këtë 100 ditësh ka ngecje, sidomos në disa ndërmarrje, por se gjërat kanë filluar të ndryshojnë kjo është e dukshme. Qyteti frymon pak më lirshëm sa i përket mbeturinave, si dhe komunikacionit dhe kjo na bën të kuptojme se punët po shkojnë në drejtim pozitiv”, theksojnë nga ASh.

    VMRO-DPMNNE: 100 ditëshi i Kasamit mund të ishte edhe më mirë

    “100 ditët e qeverisjes së Bilalit i vlerësojmë të mira dhe shpresojmë që në të ardhmen të jetë edhe më mirë, sepse pas një qeverisjeje kaq të keqe të pushtetit të kaluar vendor, secili mund të ishte më i suksesshëm. Kryetari i komunës nuk ka as pushtet absolut në Këshill dhe duhet të menaxhojë proceset që do të kontribuojnë në marrjen e vendimeve të mira, cilësore dhe pragmatike. Në këto 100 ditë është përmirësuar transparenca e komunës, është përmirësuar gjendja në ndërmarrjet publike që kanë zgjidhur problemet me pagat e papaguara dhe kështu ka filluar të funksionojë normalisht. Përkundër gjendjes së keqe financiare të komunës, shpresoj që në periudhën e ardhshme të nisin projektet që u janë premtuar qytetarëve”, deklaron për Nistori Angel Karapetrov.

    100 ditët e para të Kasamit, sipas BDI-së, nuk dallojnë nga fushata parazgjedhore, ku nuk kanë munguar ankesat, kritikat, madje edhe përfitim të poenave poltitikë duke shkelur mbi integritetin e njerëzve, gjë që është e paparanueshme.

    “Shumë premtime nuk janë realizuar, madje është bërë e kundërta, siç e kemi rastin me parkingjet, ku në fushatë premtuan që derisa të gjendet zgjidhje për parkim për banorët e banesave, pronarët e lokaleve e kështu me radhë, parkingu do jetë pa pagesë, por përkundrazi zgjidhje e tillë nuk u gjet e ç’është më e keqja çmimet e parkingjeve edhe u rritën. Prishja e prokurimit publik për mirëmbajtje dimërore dhe favorizimi i firmave për të kryer këtë shërbim me kontrata të pa qarta, menjanimi i shtigjeve të biçikletave pa vendim gjyqësor, premtime të tjera të pa realizuara, si zgjidhja e problemit me qentë endacakë”, janë disa nga vërjtjet që i bëjnë nga BDI.

    Sipas Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh) nuk janë përmbushur premtimet e dhëna, kurse ato të cilat janë realizuar nuk kanë qenë të mjaftueshme për përmbushjen e nevojave të qytetarëve.

    “Nëse 4 vitet në vijim kryetari do të vazhdojë të përdor mekanizmat e pushtetit lokal për degradim të qeverisjes së mëhershme, me keqardhje them se qyteti dhe qytetarët janë ata që do të pësojnë. Në anën tjetër menaxhimi i problemeve aktuale si ato urbanistike e të tjera janë të rëndësishme të adresohen dhe të zgjidhen në kohë me qëllim që të evitohet kaosi potencial”, shtojnë nga PDSh.

    LSDM: 100 ditët e koalicionit Besa – VMRO-DPMNE nuk kanë përmbushur premtimet e dhëna të qytetarëve

    “Rregullimi dhe kontrolli i qarkullimit të qytetit, ndalimi i lëvizjes së kamionëve dhe mjeteve të rënda transportuese gjatë ditës nëpër qytet, skema e rrugëve njëkahëshe, trotuare të lira dhe hapësira publike. Çfarë ka arritur koalicioni qeverisës në këtë pikë? Shkatërrim i shtegut të biçikletave, ndalimi i punës së kompanisë së transportit dhe ngarkim shtesë i trafikut në qytet. Kompania e transportit, e cila funksiononte dhe operonte dhe ofronte shërbime për qytetarët, është mbyllur. Shtegu i shumëpritur i biçikletave, në vend që të modifikohej, u shkatërrua pa shpjegimin e duhur. Tetova në periudhën kur është më e ndotur ka mbetur pa kushte për transport alternativ. U premtuan kontejnerë për seleksionimin e mbeturinave, qelqit, letrës, mbetje organike, rritje të pastërtisë në qytet, pika për grumbullimin e mbetjeve ndërtimore, rrënojave dhe mobiljeve. Nuk u realizua as aksioni më i thjeshtë civil që ishte premtuar. U premtua pastrimi i shitësve të paligjshëm në trotuaret dhe hapësirat publike në qytet, madje u njoftua me pompozitet se ky aktivitet i paligjshëm ka marrë fund dhe të gjithë jemi dëshmitarë se kjo nuk është një praktikë e përfunduar, por shitësit ilegalë vazhdojnë të punojnë në trotuare”.

    Nga LSDM shtojnë se ende nuk kanë filluar punët e ndërmarrjes publike për varrezat ortodokse në Tetovë, e cila është themeluar nga qeveria e kaluar dhe është dashur të fillojë me punë, dhe funksionimi i saj duhet të zgjidhë shumë probleme që besimtarët ortodoksë i kanë për shumë vite. Kjo kompani parashikonte mirëmbajtjen e varrezave, rregullimin e varrezave në Falishtë. Sipas tyre, asnjë nga këto nuk u realizua.

    Sipas Alternativës 100 ditët e Bilall Kasamit janë 100 mashtrime të reja për Tetovën. Sipas partisë, 70% mashtrim vetëm për 100 ditë.

    Ne që e njohim mirë atë, nuk na janë dashur as 100 ditë, por për tetovarët këto 100 ditë janë po ashtu ditë të letargjisë, të dështimit dhe të zhgënjimit. Ata që votuan për shpresë, gjetën mashtrim. Nëse ky njeri për 100 ditë është në gjendje të mos i përmbush gjërat që del e i premton vetë pa ia kërkuar askush, mund ta merrni me mend se si do të jetë bilanci i tij në fund të mandatit të tij. Kështu edhe një herë po bindemi se Tetova ka qenë keq, dhe vazhdon të jetë në gjendje të tillë. Duke dashur të shpëtojnë, tetovarët vazhdojnë të zhgënjehen thellë.

    Kasami gjatë konferencë për media në lidhje me 100 ditëshin e punës së tij, tha se pavarësisht vështirësive të shumta, borxhit mbi 24 milionë euro, komuna po arrin me shumë mund dhe përkushtim të vendoset në funksionimi.

    Ndryshe, Kasami prezantoi 31 pika në planprogramin e 100 ditëve dhe realizimin e tyre, por nuk është se u realizuan të gjitha. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Diferencën e kontributeve të pagës minimale të rritur në RMV do ta paguajë MPPS-ja

    Lajmi i rradhës

    “EVN të kthehet në pronësi të shtetit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë