Nga ora 8 deri në 16, ose mësimi gjithëditor për nxënësit deri në klasën e pestë është një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili duhet të realizohet deri në fund të mandatit. Me një projekt të përbashkët me Bankën Botërore MASH po analizon se cilat janë shkollat ku mund të realizohet. Kështu ka deklaruar ministrja Vesna Janevska gjatë prezantimit të raportit të 100 ditëve të punës.
Sipas saj neglizhenca e treguar nga qeveria paraardhëse u zëvendësua me përkushtim dhe ndryshime të mëdha, duke frenuar politikat e këqija që në shtatë vitet e fundit e zvogëluan numrin e nxënësve me 17 mijë. Shpërndarja e teksteve shkollore në kohë, punësimi i mbi 1000 asistenteve në shkollat fillore, ndërtimi dhe rikonstruktimi i objekteve shkollore, ishin disa nga të arriturat që vuri në dukje ministrja.
“Mësimi gjithëditor është i domosdoshëm, për shkak se nxënësit tek ne janë shumë pas bashkëmoshtatarëve të tyre në Evropë, sikur janë tre vjet e gjysme pas dhe 900 orë mësimi më pak deri në moshën 15 vjeçare. Duke u renditur kështu nga fundi i Pisa. Në të njëjtën kohë ne kemi një tepricë prej tre mijë mësuesish, të cilët punojnë në klasa me 7, 9 apo 14 nxënës, por edhe me 4-5 nxënës…..Për shkak të emigrimit masiv, numrit të vogël të nxënësve dhe rezultateve që kemi këta mësues duhet t’u përdorim. Qeveria duhet të krijojë kushte për realizimin e mësimit gjithëditor. Deri në fund të mandatit të gjitha shkollat duhet të përfshihen në mësimin gjithëditor”, ka theksuar ministrja.
Sa i takon buxhetit Janevska ka theksuar se janë siguruar 900 milionë denarë për pagesë të pagave të rregullta në shkolla dhe 1,4 miliardë denarë për paga më të larta për mësimdhënësit në arsimin e lartë. “Kemi paguar bursat e papaguara, çmimet për studentët dhe mentorët, fondet e papaguara për transportin ndërqytetës, kompensimin për punimet shkencore, mjetet e papaguara për pjesëmarrje në testimin PISA në vitin 2022, në programin Fulbright me SHBA-në, në programin Horizon të BE-së e kështu me radhë, që është vërtet e turpshme”, tha Janevska.
Lidhur me buxhetin e vitit 2025 ministrja tha se do të rritet, me fokus tek institucionet shkencore dhe rritjen e fondeve për ta, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të arrihet marrëveshje me sindikatën për rritjen e pagave të mësimdhënësve këtë vit. /Koha/