100 shtëpi pa leje në vakëfin e BFI-së

    Rreth 100 shtëpi të ndërtuara pa leje e për të cilët Bashkësia Fetare Islame thotë se janë ndërtuar në vakëf, presin një epilog mes Muftinisë së Tetovës, pronarëve dhe Komunës së Tetovës. Muftiu i Tetovës, Qani Nesimi, thotë se presin zgjidhje ligjore. Sipas tij, Muftinia e Tetovës nuk është duke punuar kundër askujt, por kërkon një zgjedhje institucionale, që sipas Nesimit, zgjidhja është që Muftinia të mos e humb asnjë centimetër tokë që është vakëf. Nesimi tha se njerëzit mund të hidhërohen, por nuk kanë të drejtë pasi kanë ndërtuar shtëpi mbi tokë të huaj.

    “Pjesa që është sipër Harabatit Baba Teqe dhe mbi ish-Shtëpinë Përmirësuese, është Vakëf dhe njerëzit kanë ndërtuar shtëpi pa leje dhe ne nuk mund ti japim leje askujt pa mos u marrë vesh me organet kompetente, sidomos me qeverisjen lokale, por edhe atë qendrore. Jemi në bisedime me kryetarin e Komunës dhe besoj se në një kohë të caktuar, do të gjejmë edhe një zgjedhje për këtë çështje. Pra, në koordinim me organet komunale, zgjedhja do jetë në mënyrë institucionale pasi edhe ne mos të humbim Vakëfin tonë, por edhe njerëzit që të mund t’i plotësojnë dokumentacionet. Njerëzit edhe mund të na hidhërohen, por nuk kanë të drejtë, sepse kanë ndërtuar shtëpi në vend të huaj dhe tash duhet të presim derisa të rregullohet juridikisht kjo çështje. Nuk jemi duke punuar kundër dikujt e as kundër popullatës që është atje, mirëpo tash kur veprohet ilegalisht, hapi i parë që duhet bërë është që të kemi shumë kujdes, sepse korrigjimet gjithmonë janë shumë me të vështira dhe marrin më shumë kohë”, tha Qani Nesimi, mufti i Tetovës.

    Nga ana tjetër, komuna shprehet e pafuqishme për ta zgjidhur këtë problem. Sipas tyre, pa pëlqimin e Bashkësisë Fetare Islame këta shtëpi nuk mund të legalizohen. Por thonë se kanë bashkëpunim me BFI-në dhe punojnë për gjetjen e një zgjedhje ligjore. “Nuk e kemi numrin e saktë sa është, por mund të them se janë rreth 100 shtëpi dhe ato lëndë janë ende të pazgjidhura, pasi pala ende nuk ka siguruar pëlqim. Ne kemi një bashkëpunim me BFI-në dhe besoj se do gjendet një gjuhë e përbashkët që të rregullohet statusi i këtyre objekteve, pasi tani më ato janë të ndërtuara. Deri tani nuk kemi bërë asnjë legalizim në këtë pjesë pasi mungon pëlqimi i BFI-së”, tha Besa Zendeli nga Sektori i Urbanizmit në Komunën e Tetovës.

    Në tokën, e cila është vakëf, apo pronë e Bashkësisë fetare Islame, janë ndërtuar rreth 100 shtëpi në mënyrë jo ligjore, pronarët e të cilave, tani kërkojnë nga Bashkësia fetare Islame e Maqedonisë që t’iu jepet pëlqimi për legalizimin e tyre. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Lehonat që kërkojnë ndihmë psikologjike stigmatizohen nga shoqëria në RMV

    Lajmi i rradhës

    EVN-së nuk i bëhet vonë për kërkesën e banorëve të fshatit Xhepçisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë