Ka vendime gjyqësore që priten në heshtje dhe ka të tilla që priten me emocione, ankth dhe kujtesë historike. Aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, është pikërisht një prej tyre. Data e shpalljes së vendimit, 16 shtatori, nuk po pritet vetëm në Prishtinë. Jehona e saj ka mbërritur edhe në Shkup, ku çështja e UÇK-së vazhdon të shihet si shumë më tepër se një proces gjyqësor. Mbrëmë, në orën 19:00, në Shipkovicë do të ndizet “Flakadani i Lirisë”, si thirrje për bashkim dhe mbështetje për ish-krerët e UÇK-së. Thirrja është bërë nga Këshilli Organizativ i Veteranëve të UÇK-së, ndërsa mediat në gjuhën shqipe u kanë bërë thirrje shqiptarëve t’i bashkohen kësaj nisme. Aktgjykimi në Hagë pritet më 16 shtator dhe, pavarësisht se juridikisht bëhet fjalë për përgjegjësi individuale të të akuzuarve, në mesin e shqiptarëve ekziston frika se një vendim dënues mund të interpretohet edhe si goditje ndaj vetë luftës së UÇK-së dhe narrativës së çlirimit të Kosovës.
NJË VENDIM I PADREJTË MUND TË NDRYSHOJË RRJEDHAT HISTORIKE
Për këtë dimension të procesit ka folur edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për televizionin “Klan” në Shqipëri. Ai tha se gjykatësit kanë përgjegjësi të madhe dhe paralajmëroi se një vendim i padrejtë mund të ketë pasoja për zhvillimet politike dhe historike në rajon. “Gjykatësit duhet të kenë, dhe kanë përgjegjësinë më të madhe, sepse kam shumë frikë se kjo do të ndikojë në ndryshimin e kursit, pasi kemi investuar shumë në paqe, stabilitet dhe siguri, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë ai.
Ahmeti theksoi se çdo dhimbje që përjetohet në Kosovë, sipas tij, ndihet edhe nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. “Nëse Kosova është në dhimbje, atë dhimbje e ndjejnë të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, sepse të njëjtën plagë ua kanë shkaktuar shqiptarëve. Prandaj duhet të merret parasysh se Kosovës duhet t’i garantohet e ardhmja”, thotë kreu i integristëve.
“LUFTA JONË ISHTE ÇLIRIMTARE”
Duke folur për origjinën e procesit, Ahmeti iu referua akuzave të ish-senatorit zviceran Dick Marty, të cilat i cilësoi si të rreme dhe “monstruoze”, përfshirë pretendimet për përfshirjen e UÇK-së në trafikim organesh. Ai tha se shpreson që prokuroria dhe gjykata ta marrin parasysh kontekstin historik të luftës në Kosovë.
“Lufta jonë ishte çlirimtare. I kemi respektuar të gjitha dokumentet ndërkombëtare për luftërat. Shpresoj që prokuroria dhe gjykata ta marrin parasysh rëndësinë e këtyre ngjarjeve historike, sepse këtu mund të ndodhë kjo: sot dënohet, hipotetikisht po flas, UÇK-ja, për drejtuesit e saj, ndërsa nesër mund të hapet dosje për SHBA-në, NATO-n, BE-në…”, shprehet Ahmeti.
Ahmeti kujtoi edhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës. “Pa ndihmën e NATO-s, pa ndihmën e Amerikës dhe aleatëve që iu bashkuan NATO-s, sigurisht se vetë nuk do të mund ta çlironim Kosovën. Lirinë e fituam me gjak, por çlirimin e arritëm me aleatët tanë, të cilëve duhet t’u jemi mirënjohës gjithë jetën”, tha Ahmeti.
DREJTËSIA NUK KA ANË POLITIKE
Në këtë atmosferë të ngarkuar, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka kërkuar që vendimi i Gjykatës Speciale të respektohet, pavarësisht përmbajtjes së tij. Në një postim të titulluar “Mesazh për Kosovën: Drejtësia nuk ka anë politike”, Shasivari shkruan se për fajësinë ose pafajësinë duhet të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e ligjit dhe provave. “Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë, si dhe të drejtat e çdo të akuzuari”, shkruan Shasivari. Por pikërisht kjo pjesë e deklaratës së ministrit ka hapur një pikëpyetje të fortë politike dhe historike: a mund të vendosen në të njëjtin rrafsh krimet sistematike të kryera nga aparati shtetëror serb në Kosovë me akuzat individuale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së?
Gjatë luftës së Kosovës, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe u akuzuan dhe u dokumentuan për vrasje masive, dëbime, masakra dhe shkatërrime të vendbanimeve shqiptare. Ndërsa procesi në Hagë ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit lidhet me akuza konkrete dhe individuale për krime të pretenduara.
Për këtë arsye, formulimi i Shasivarit për vendosjen e viktimave dhe pretendimeve ndaj palëve të ndryshme në një kornizë të njëjtë mund të shihet si një barazim problematik i agresorit me viktimën, veçanërisht nëse lihet jashtë konteksti i luftës dhe përgjegjësia shtetërore e aparatit serb. Ministri, duke iu referuar protestave dhe “Marshimeve të Lirisë” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, kërkoi që politika dhe reagimet e rrugës të mos ndikojnë në drejtësinë. “Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve”, tha Shasivari duke shtuar se drejtësia nuk i përket asnjë partie, qeverie apo individi, por shtetit dhe qytetarëve.
NGA PRISHTINA NË SHIPKOVICË, PRITJE ME ANKTH
Dy ditë para aktgjykimit, mbështetja për ish-krerët e UÇK-së po shfaqet në forma të ndryshme. Në Prishtinë u mbajt “Marshi i Lirisë”, ku mori pjesë edhe Ali Ahmeti. Pas marshit, ai shkroi: “Nga Prishtina, sot përcollëm mesazhin se drejtësia dhe liria duhet të ecin bashkë. Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë! Rroftë Kosova! Rroftë UÇK-ja!.
I pyetur për mungesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë marsh, Ahmeti tha se mund të ketë qenë një vendim i kujdesshëm, për shkak të mundësisë së reagimeve negative nga pjesëmarrësit. “Mendoj se ka qenë i kujdesshëm, kështu mendoj, ky është vlerësimi im. Ndoshta ka menduar se mund të ketë reagime nga njerëzit që ishin të pranishëm në shesh. Por kishte deputetë të VV-së. Ekzistonte mundësia që dikush ta fishkëllejë”, tha Ahmeti.
Në këtë atmosferë, Shkupi dhe hapësirat shqiptare në Maqedoninë e Veriut po e presin me vëmendje aktgjykimin e Hagës. Për palën shqiptare në pushtet (bazuar në deklaratën e Shasivarit) bëhet fjalë për një vendim që duhet të respektohet si akt i drejtësisë; për tjetrën, ekziston frika se një dënim eventual mund të interpretohet si tentativë për rishikimin e historisë së luftës çlirimtare të Kosovës.
E derisa Haga përgatitet të thotë fjalën e saj, në Shipkovicë u ndez “Flakadani i Lirisë”. Një simbol që tregon se, për shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe rajon, ky aktgjykim nuk po pritet vetëm si një vendim gjykate, por edhe si një moment që mund të prekë kujtesën, emocionet dhe perceptimin historik të një populli, por edhe luftën e pastër të UÇK-së. /Koha/






