“27 PRILLI I PËRGJAKSHËM” | VMRO-ja kërkon amnisti për të akuzuarit dhe të dënuarit

    Foto: Radio Evropa e Lirë

    VMRO-DPMNE-ja kërkon amnisti të plotë për 27 prillin, edhe të personave të cilët tashmë janë dënuar me disa vite burg. Grupi parlamentar i kësaj partie propozoi ligj konkret në Kuvend dhe kërkon mbështetjen e deputetëve të tjerë.

    “Ky propozim ligj, është vetëm vazhdim i ligjit paraprak për amnisti i cili është miratuar në dhjetor 2018 por me korrigjim të madh dhe thelbësor, tejkalimin e selektivitetit dhe drejtësisë selektive që doli nga ligji i vitit 2018. Theksoj se me këtë ligj do të kapen të gjithë personat e dënuar për ngjarjet e 27 prillit, pa përjashtim”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

    Ky proces, sipas partisë në opozitë, mund të zhvillohet paralelisht me procedimin e ankesës për dënimet që kanë dorëzuar avokatët e të akuzuarve në Gjykatën Supreme, dhe të dënuarit të amnistohen pavarësisht vendimit të Gjykatës.

    Për LSDM-në, amnistia e të dënuarve për zhvillimet e përgjakshme në Kuvend është e papranueshme.

    “Kjo është edhe një dëshmi eklatante se në VMRO-DPMNE asgjë, në plotkuptimin e fjalës, asgjë nuk ka ndryshuar, e njëjta matricë, të njëjtët njerëz, të njëjtat shprehi, të njëjtat politika. Ne jemi konzistentë në qëndrimet tona dhe më herët e kemi thënë publikisht se për ne është e papranueshme amnistia e atyre dhunuesve që hynë në Kuvend më 27 prill”, u shpreh Martin Kostovski, LSDM.

    Për lëndën e parë për 27 prillin të akuzuar ishin 33 persona prej të cilëve 15 u amnistuan në prag të ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e emrit të shtetit. Pesë prej të amnistuarve ishin deputetë të VMRO-DPMNE-së të cilët më vonë votuan pro ndryshimeve kushtetuese për emrin. Të amnistuar ishin edhe disa nga drejtuesit e protestave që i paraprinë 27 prillit. 16 të tjerë gjykata i dënoi me 188 vite burg. Dënimin më të madh e mori ish drejtori i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov.

    Për lëndën e dytë, gjykata solli vendim prej 25 vjet burg për të akuzuarit. Në të hynë “organizatorët e 27 prillit” në mesin e të cilëve janë ish funksionarë të VMRO-DPMNE-së, ish kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski, Spiro Ristovski, Mile Janakievski dhe Vlladimir Atanasovski. Për lëndën e dytë të akuzuar ishin edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish shefi i DSK-së Nikolla Boshkovski. Ndaj tyre nuk ishte zhvilluar proces gjyqësor sepse nuk janë të kapshëm për drejtësinë.

    Lajmi Paraprak

    Inspekorati: Mësimi online në shkollat e Strugës është i paligjshëm

    Lajmi i rradhës

    “T’i merret licenca e punës mjekut Muhamed Asani”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë