31 punëtorë humbën jetën në vendin e punës gjatë vitit 2025

    Njëqind e tridhjetë e dy aksidente në punë u regjistruan vitin e kaluar, sipas një raporti të publikuar nga Shoqata Maqedonase për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, më 28 prill, përcjell Nistori.

    Sipas raportit, për shumicën e punëtorëve të lënduar (23 raste) nuk është specifikuar grupmosha. Ndërkohë, 20 punëtorë të lënduar janë të moshës 35–44 vjeç, 19 punëtorë janë të moshës 45–54 vjeç, ndërsa 18 punëtorë janë të moshës 55–64 vjeç.

    Nga këto raste, 31 kanë përfunduar me fatalitet. Shumica e viktimave ishin burra (26), ndërsa pesë ishin gra. Sa i përket moshës, numri më i madh i viktimave ishte në grupmoshën 25–34 vjeç.

    Industria prodhuese rezulton sektori me më shumë aksidente, me 33 raste gjatë vitit të kaluar. Pas saj renditet ndërtimtaria me 15 raste, ndërsa administrata publike, mbrojtja dhe sigurimi social i detyrueshëm me 12 raste. Aksidente janë regjistruar edhe në aktivitetet shtëpiake si punëdhënës dhe në prodhimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve për nevoja personale, ku janë shënuar 11 raste.

    Shoqata i ka kushtuar vëmendje të veçantë ngjarjeve tragjike që shënuan vitin, përfshirë zjarrin në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan. Sipas tyre, kjo ngjarje thekson edhe më shumë rëndësinë e respektimit të vazhdueshëm të rregulloreve të sigurisë, menaxhimit të rrezikut dhe mbikëqyrjes efektive të inspektimeve.

    “Kjo është arsyeja pse analizën e lëndimeve duhet ta përdorim si mjet për të nxënë, jo për kritikë. Ne besojmë se çdo aksident mund të parandalohet me planifikim të duhur, trajnim të përshtatshëm dhe vigjilencë të vazhdueshme”, thuhet në deklaratën e Shoqatës Maqedonase për Siguri në Punë.

    Prandaj, ata theksojnë se siguria dhe shëndeti në punë nuk janë zgjedhje, por detyrim.

    “Çdo punëtor ka të drejtë të kthehet në shtëpi i sigurt, ndërsa çdo punëdhënës ka detyrimin ta sigurojë këtë”, shton shoqata.

    Lajmi Paraprak

    540 gra humbën jetën nga kanceri i qafës së mitrës në RMV nga viti 2017-2023

    Lajmi i rradhës

    Simptomat më të zakonshme të depresionit pas lindjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë