50 milionë euro shtesë për vazhdimin e punimeve në autostradën Kërçovë-Ohër

    Shteti do të tërheqë edhe 50 milionë euro nga banka kineze Eksim, për vazhdimin e punimeve në autostradën Kërçovë-Ohër. Kjo parashikohet në programin vjetor për vitin 2024, të Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore.

    “Mjetet e planifikuara në programin NPRSH për vitin 2024 janë mjete nga kredia tashmë e siguruar nga “Eksim Bank” për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, të cilat duhet të parashikohen në program që të mund të tërhiqen nga llogaria”, njoftojnë nga NP për Rrugë Shtetërore.

    Nga atje thonë se negociatat me kontraktorin për lidhjen e aneksit të kontratës për zgjatjen e afatit të realizimit po vazhdojnë akoma. Por, askush nuk tregon se edhe sa vite do të ndërtohet autostrada Kërçovë-Ohër pasi u shkel edhe afati i fundit, 31 dhjetor i vitit 2023. Në seancën e 28 dhjetorit, qeveria vendosi që kinezët të vazhdojnë ndërtimin e autostradës.

    “Vendimi është marrë pas informimit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, në bazë të konstatimeve të dorëzuara nga mbikëqyrja kryesore dhe mbikëqyrja e tunelit, se për shkaqe reale, ka nevojë për shtyrje të afatit, 31 dhjetor 2023, për kryerjen e punëve ndërtimore në këtë autostradë, duke pasur parasysh faktin e nivelit të lartë të punës fizike të kryer deri më tani dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura. Projekti fillestar për autostradën Kërçovë-Ohër, siç u vlerësua, kishte mangësi të shumta në projektim, por në masë të madhe janë tejkaluar dhe në vazhdimësi po krijohen kushte për përfundimin e tij”, njoftojnë nga Qeveria.

    Ndërkohë qytetarët vazhdojnë të lëvizin në rrugë të pasigurta dhe me sinjalistikë joadekuat.

    “Me vetë daljen nga kjo autostradë jemi të pasigurt, vetë sinjalistika, si horizontale ashtu edhe vertikale, ka pak efekt në sigurinë e trafikut”, tha Ljupço Milkoski – ekspert i sigurisë.

    Nga fillimi i ndërtimit e deri më sot kanë ndodhur madje 105 aksidente të rënda trafiku, në të cilat kanë humbur jetën 22 persona, ndërsa 128 janë lënduar rëndë. Autostrada është e gjatë 57 kilometra dhe ndërtimi filloi në vitin 2014. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Studim: Përdorimi i telefonit gjatë ecjes mund të shkaktojë osteoartrit

    Lajmi i rradhës

    Raporti i OBSh: Rastet e të prekurve me kancer do të rriten me 77% deri në vitin 2050

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë