78 PËRQINDËSHI NUK PO ANULOHET! Pagat e funksionareve akoma me rritje

    Mbi 1000 funksionarë të zgjedhur dhe emëruar fituan paga më të larta prej 78 për qind prej muajit maj. Arsyetimet e autoriteteve në vend ishin se duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në muajin mars, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit për Pagat për koeficientët e pagave që u lejonte zyrtarëve të zgjedhur publikisht t’u rriteshin pagat për 78 për qind. Dispozita për raportet e pagave e miratuar në vitin 2012 para Gjykatës Kushtetuese u kundërshtua nga një avokat. Përveç zyrtarëve qeveritarë, në të përfshihen edhe deputetë, kryetarë komunash, gjyqtarë,… dhe zyrtarë të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar.

    Nga ana tjetër, shumica e politikanëve, por edhe sindikalistëve mendojnë se zgjidhja qëndron në miratimin e ndryshimeve ligjore që do të ulin dhe korrigjojnë koeficientin për kompleksitetin e vendit të punës, gjë që do të ulte pagat e zyrtarëve. Një propozim i tillë pritet të vijë nga sindikatat.

    Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan trendafillov paraprakisht në mbledhjen e fundit të Këshillit Ekonomik Social ku marrin pjesë përfaqësues sindikal, të ekzekutivit dhe biznesit, ka kërkuar që në emër të solidaritetit zyrtarët të bëjnë një hap të mirë dhe të kthejnë pagat para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo një kërkesë e tillë nuk ka pasur ndonjë përgjigje pozitive. Ai paralajmëron se pas një muaji do të kërkohet nga të zgjedhurit e popullit që të anulojnë një dispozitë të tillë dhe pagat të kthehen në nivelin para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij është shumë e çuditshme që për këtë heshtin jo vetëm pushteti, por edhe opozita, e cila ka deputetë dhe kryetarë komunash me 78 për qind të pagave të rritura, por të gjithë kanë përgjegjësi politike. Ai paralajmëron se nga shtatori do të parashtrojë amendament deri tek të gjithë grupet parlamentare në Kuvend për të cilin do të kërkojë përkrahje nga të gjithë gjithë deputetët të heqin dorë nga rritja e pagave me 78 për qind që nga 1 shtatori dhe të zgjedhin një model për koeficientin e kompleksitetit që kanë aktualisht pas pagës minimale dhe në këtë mënyrë do të marrin rreth 10 për qind – 12 për qind të rritjes së pagave.

    Nga ana tjetër, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, thotë se rritja e pagave të administratës publike për 10 për qind nga shtatori i këtij viti nuk do të vlejë për zyrtarët të cilëve më parë me vendim të Gjykatës Kushtetuese ju rritën pagat për 78 për qind.  Zyrtarët nuk janë punonjës në sektorin publik dhe për ta nuk do të vlejë rritja e pagave e paraparë me marrëveshjen me Lidhjen e Sindikatave.

    Ajo ka theksuar se rritja e pagave të zyrtarëve nuk është vendim i Qeverisë, por vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk komentohet dhe vetëm zbatohet. “Ne si qeveri po kërkojmë një mënyrë për të ulur pagat e zyrtarëve, por këtë nuk mund ta zbatojmë vetëm me vendimin tonë, por duhet edhe një vendim i Parlamentit. Po ashtu, me vendim të Gjykatës Kushtetuese pagat e kryetarëve të komunave janë rritur për 78 për qind”, tha Trençevska.

    Sipas përllogaritjeve për rritjen e pagave të zyrtarëve nevojiten mbi 15 milionë euro në vit. Një pjesë e madhe e tyre kanë tani paga edhe më të mëdha se 2000 euro. Partia e Majta njoftoi para tre javësh se Komisioni ligjvënës dhe Juridik në Parlament njëzëri e ka refuzuar kërkesën e tyre për interpretim autentik të Ligjit për pagat dhe kompensimet tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar në Republikë, me të cilin do të ulen pagat e zyrtarëve. “Neni 11 i Ligjit për pagat dhe shpërblimet e tjera të të zgjedhurve dhe të emëruarve në Republikë është neni konfuz që krijoi të gjitha dyshimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga marsi i këtij viti, me të cilin pagat e zyrtarëve u rritën në mënyrë të pabesueshme me 78 për qind. Vlerësojmë se konfuzioni lindi me interpretimin e këtij neni, pra në pagën mesatare të paguar mujore. Përkatësisht, Ministria e Financave interpreton se bëhet fjalë për pagë bruto, ndërsa ne mendojmë se interpretimi gramatikor duhet të jetë ‘paga mesatare neto e paguar për punonjës’, sepse nëse shikojmë ligjin e punës, pagesa e pagës apo paga që punonjësi që merr në shtëpi është paga neto, dhe jo paga bruto”, thonë nga kjo parti.

    Në muajin mars , sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, neni 4 dhe neni 1 i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën dhe kompensimin tjetër të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili deri më tani përcaktonte një shumë fikse që shërbente si bazë për përcaktimin e pagat e zyrtarëve, shfuqizohen. Mbetet në fuqi neni 11 i të njëjtit ligj, sipas të cilit si bazë është marrë paga mesatare e paguar në vitin e fundit sipas Entit Shtetëror të Statistikave, e cila është dukshëm më e lartë se shuma fikse. Deri më tani, paga e zyrtarëve përcaktohej me koeficientë në bazë të bazës prej 26.700 denarë, ndërsa tani do të bazohet në pagën mesatare nga viti 2022, që është rreth 32.000 denarë.

    Neni 11 i Ligjit për paga dhe kompensime të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar në vend përcakton se bazë për llogaritjen e pagës është paga mesatare mujore për punonjës për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas nenit 10, paragrafi 1, paga caktohet në atë mënyrë që baza shumëzohet me koeficientin e përcaktuar dhe rritet me përqindjen e përvojës së punës, kurse koeficientët sipas nenit 12 janë nga 2.2 deri në 4.5.

    Nga Gjykata Kushtetuese thonë se në këtë rast gjykatës nuk i është bërë pyetje për shumën e pagave, as për përcaktimin e përllogaritjeve dhe përqindjeve, por është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave të veçanta: neni 4 nga ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për paga dhe shtesa të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar të miratuar në vitin 2010 dhe nenin 1 të amendamenteve të të njëjtit ligj të miratuar në vitin 2014. “Gjykata Kushtetuese nuk është organ që vendos rritjen apo uljen e pagës, apo përcaktimin e përqindjeve dhe përllogaritjeve, por vetëm vlerëson kushtetutshmërinë e dispozitave të kontestuara, pra është e gabueshme dhe e pabazë, të pretendohet se Gjykata ka rritur apo ulur pagat e personave të emëruar dhe të zgjedhur. Për këtë është kompetent Kuvendi me miratimin e një ligji, siç është ligji në të cilin përmbaheshin dispozitat e shfuqizuara”, thonë nga Gjykata Kushtetuese. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Virusi i stomakut mbush ambulantet!

    Lajmi i rradhës

    Dibra pa ciceron turistik!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë