13 vite më parë, më 1 maj 2012 ende pa zbardhur dita, një aksion i gjerë policor u zhvillua në Shkup. Në disa lokacione të kryeqytetit u arrestuan 26 persona, të dyshuar për rastin Monstra. Tani e 13 vite nuk dihet motivi i vërtetë i vrasjes së pesëfishtë.
“Në orët e hershme të 1 Majit të vitit 2012, 13 vite më parë, në këtë lagje në hyrje të Shuto Orizares ku jeton familja e Haki dhe Fejzi Azirit e blinduan forca të shumta policore, të cilët arrestuan jo vetëm ata, por të gjithë familjen: gra, pleq dhe të rinj të cilët i prangosën dhe i çuan në stacionet policore, të dyshuar për një vepër, të cilën ata thonë se as që kishin njohuri dhe siç thonë vetëm kanë dëgjuar në mediume që ka ndodhur pak ditë më parë, praktikisht më 12 Prill të viti 2012”, raporton TV21.
Dyshimet e ngritura nga ekspertë që Inside21 komunikoi lidhur me këtë dosje që Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzën fillestare, tregojnë që nga momenti i raportimit të rastit rreth orës 22.30, që dallon 1 orë e gjysmë nga paraqitja e parë në polici në numrin 192. Sipas palës mbrojtëse të të dënuarëve dyshimet janë të shumta lidhur edhe me mbledhjen e dëshmive materiale, gjurmëve biologjike në vendngjarje, në makinën e braktisur Opel Omega, analizave të ADN-së, dëshmitarit të koduar E1.
Gjykata Supreme e riktheu rastin në rigjykim për herë të dytë.
“Pasi vendimet u rrëzuan, çështja u rikthye për rigjykim dhe 6 të dënuarit me burg të përjetshëm për terrorizëm u lanë të mbrohen në liri. Në mars të vitit 2018, çështja u mor përsipër nga ish-Prokuroria Speciale Publike dhe u shqyrtuan bisedat, transkriptët e sms porosive dhe tabulatet telefonike të mbledhura si materiale të përgjuara, indicie të marra për rigjykim të rastit Monstra nga ish-PSP. Në këtë proces gjyqësor 3 të akuzuarit e parë u dënuan me burg të përjetshëm: Halil Demiri, Afrim dhe Agim Ismajloviq, ndërkaq Fejzi Aziri u dënua me 15 vite burg, Haki Aziri me 9 vite burg, ndërsa u la i lirë Sami Luta”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.
Dy të dënuarit e parë të arratisur në Kosovë, Gjykata e Prishtinës nuk i ekstradon te ne pasiqë ata kanë dyshime që ky rast gjyqësor është i montuar nga sistemi i drejtësisë.
Edhe këtë aktvendim gjyqësor të Penales e vërtetoi Apeli dhe e bëri të plotfuqishëm Gjykata Supreme. Avokatët mbrojtës kanë nisur lëndën për në Gjykatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strazburg. Deri më tani akoma nuk kanë marrë një përgjigje por, janë optimist se do ketë epilog pozitiv. Sipas ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për procedurë penale, nëse Gjykata e Strazburgut e rrëzon aktgjykimin e plotfuqishme të tri instancave të gjykatave vendore, ekziston mundësia juridike që rasti “Monstra” të kthehet në rigjykim për herë të tretë me hetim ndërkombëtar.