Branko Crvenkovski, Vllado Buçkovski, Radmila Shekerinska, Zoran Zaev, Dimitar Kovaçevski… LSDM pret të vazhdojë serinë e liderëve, këtë herë ndoshta në situatën më të vështirë me të cilën është përballur ndonjëherë njëra nga dy partitë më të mëdha maqedonase. Sipas kandidatëve Venko Filipçe, Sllavjanka Petrovska dhe Jovan Despotovski, situata në radhët e partisë së djeshme në pushtet është e vështirë, por ata besojnë se janë përpara ndryshimeve dhe kohë më të mira. Rezultati zgjedhor tronditi seriozisht radhët e socialdemokratëve, ndaj ka një pritje të madhe se kush do të jetë lideri i ri.
Disa nga analistët në vend pohojnë se çdo kohë sjell yjet e veta, dhe me ardhjen e një politike të re, ndërrohen edhe gjeneratat dhe në të gjitha partitë në pushtet mendohet se të moshuarit kanë qenë më “të fortë”.
“Nuk jam i sigurt se kjo është e vërteta e plotë, sepse edhe politika po ndryshon. Tani po zgjidhen probleme të tjera. Duhet t’i krahasojmë kandidatët me njëri-tjetrin, e jo me përfaqësimin tonë të idealizuar të liderëve të mëparshëm”, thotë analisti politik Petar Arsovski lidhur me situatën në “Bihaçka”.
Ai beson se LSDM-ja do të përballet me një sfidë shumë të madhe sepse është e qartë se sjellja e tyre e deritanishme nuk është pranuar nga elektorati.
“Pyetja do të jetë se sa mund të sjellin një ndryshim thelbësor dhe të madh. Jo ky ndryshimi që po promovojnë në televizion. ‘I kuptuam gabimet dhe mesazhet’ – nuk kanë kuptuar ende asgjë, është ende herët… Pyetja është se sa mund të sjellë një ndryshim thelbësor kreu i ri. Duhet ribrendim – nëse arrijnë të sjellin ndryshime reale, kanë mundësi të luftojnë me VMRO-në, nëse jo, do të hyjnë në procesin e pasokizimit. Kur flas për ndryshim, kam parasysh gjithçka – duke përfshirë sjelljen, politikëbërjen etj”, pohon Arsovski.
Arsovski bën krahasimin e zgjedhjeve në VMRO-DPMNE dhe LSDM, të cilat u praktikuan ndryshe. “VMRO-ja kur zgjedh lider të ri do t’i pastrojë të vjetrit, e kur zgjidhet te LSDM-ja gjithmonë kanë shtirur unitet, gjegjësisht kanë projektuar që të gjithë të qëndrojnë pas liderit, por fraksionet kanë mbetur. Nëse ndiqet perandoria, rezultati më i mundshëm është që ata të zgjedhin një udhëheqës të ri, sfiduesit e tjerë do të thonë ‘mirë, anëtarët e kanë thënë’, por fraksionizmi do të vazhdojë dhe vetëm mosmarrëveshjet aktuale do t’i fshijnë nën qilim. Nëse këtë herë është ndryshe, do të jetë më mirë për ta”, potencoi Arsovski.
Nga ana tjetër, analisti politik Dame Çkatroski thotë se LSDM-ja me këtë politikë të drejtuar nga Zaev nuk ka të ardhme dhe së shpejti do të ndahet në pjesë edhe më të vogla.
“Krahasuar me atë që po ndodh në LSDM, sigurisht që nuk e kuptojnë se fajtori më i madh për këtë rezultat katastrofik është Zoran Zaev. Thjesht, të gjitha politikat e këqija, përfshirë edhe këtë, janë në llogari të Zaevit, e sidomos që Zaevi është fajtori më i madh që nuk ka një listë të përbashkët të deputetëve me BDI-në, ndërsa tani po forson një kryetar të tij, Filipçen. LSDM nuk do të mund të ngrihet me këtë ritëm dhe kështu për 10 vjet konkurrenti apo kundërshtari i radhës i VMRO-DPMNE-së vështirë se do të jetë LSDM. Pres që kuadro të tillë si Bytyqitë jenë së shpejti anëtarë të ndonjë opsioni të qendrës së majtë. Problemi është se LSDM-ja duhet të fillojë nga e para, dhe të gjithë ata që kanë qenë fajtorë për këto rezultate duhet të jenë anash, prandaj nuk pres asgjë nga LSDM-ja përveç fatit të PASOK-ut”, ka deklaruar Dame Çkatroski.
Ndërkaq, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi tashmë ka hequr dorë nga gara. Ai thotë se dëshiron të parandalojë fragmentimin e mëtejshëm të anëtarësimit të partisë, por përmend “grupe dhe fraksione” në statusin e tij në Facebook. Ai paralajmëron fraksionizëm apo veprim grupor brenda LSDM-së, derisa siç thotë ai, kandidati që do të zgjidhet kryetar i partisë nuk i demonstron në veprim të gjitha ato vlera për të cilat përfaqësojnë. Krahas emrave të përmendur kandidaturë ka paraqitur edhe Zlatko Ristovski, aktivist partiak nga Manastiri. Kongresi zgjedhor është caktuar për 30 qershor dhe më 9 qershor socialdemokratët e Kongresit do të analizojnë gabimet e tyre për humbjen katastrofike zgjedhore. Afati për paraqitjen e kandidaturave ka përfunduar dje. /Koha/