A e forcon akoma më shumë disidencën, mbikëqyrja e rreptë shtetërore?

    Krzysztof Krakowski
    “Project Syndicate”

    Përdorimit gjithnjë e më i gjerë i teknikave të sofistikuara të vëzhgimit, përfshirë monitorimin dixhital, po e bën më të vështirë për disidentët në shtetet autoritare që t’i shmangen “radarit” të autoriteteve. Mijëra agjentë të policisë sekrete në Bjellorusi, Kinë, Rusi dhe shumë vende të tjera shohin, dëgjojnë dhe përndjekin kundërshtarët e hapur dhe ata të dyshuar të regjimit në fuqi.

    Sipas një vlerësimi të kohëve të fundit, 39 për qind e qeverive në vitin 2019 përdorën mbikëqyrjen në shkelje të pjesshme ose të plotë të së drejtës së qytetarëve të tyre për privatësi. Në pamje të parë, mbikëqyrja shtetërore duhet që ta shtypë disidencën, mendimin kundër atij zyrtar.

    Tek e fundit, një opozitë efektive anti-qeveritare kërkon shumë përpjekje kolektive, një koordinim të aftë dhe shumë fshehtësi. Por ky lloj organizimi duhet të jetë i vështirë, në mos i pamundur, në një mjedis ku regjimi ka qasje në komunikimet e aktivistëve dhe monitoron lëvizjet e tyre.

    Shumë studiues arrijnë në përfundimin se mbikëqyrja është efektive në zbutjen e rezistencës. Duke i ndihmuar autoritetet të identifikojnë dhe eliminojnë figurat kryesore të opozitës, ajo ngjall frikë në popullatën e gjerë. Por siç shkruan Eugenius Gatnar, disident në Poloninë e kohës komuniste në librin e tij me kujtime “përvoja e të qënit i mbikëqyrur mund të nxisë një pajtueshmëri gati obsesive ndaj ligjit:“Unë e dija që policia sekrete po më ndiqte. Gjithmonë i kam thënë vetes:Mos e kalo rrugën me semafor të kuq, kur je në tramvaj vërtetoi faturinos se e ke paguar biletën”.

    Përtej terrorizimit të qytetarëve dhe dekurajimit të tyre për të mbështetur lëvizjet opozitare, mbikëqyrja i jep mundësi një regjimi të depërtojë në organizatat opozitare, dhe të përçajë rrjetet e disidentëve. Të infiltruarit mund të përhapin informacione të gabuara dhe t’i japin mundësi regjimit të pengojë planet e grupeve opozitare.

    Rastet e fundit të profilit të lartë tregojnë shtrirjen e mbikëqyrjes në kohët e sotme. Kur  disidenti rus Aleksei Navalni u helmua pas pjesëmarrjes së tij në një tubim elektorale në Rusinë Qendrore në gushtin e vitit 2020. Një hetim i përbashkët nga “The Insider” dhe “Bellingcat” zbuloi se Navalni ishte ndjekur nga shërbimet sekrete ruse për më shumë se 3 vite.

    Agjentët e vëzhguan me durim Navalnin, duke pritur rastin për t’i hedhur një agjent nervor në rrobat e tij. Arrestimi dhe burgosja e blogerit bjellorus dhe kritikut të qeverisë Roman Protaseviç është një shembull tjetër i bujshëm.

    Në maj e vitit të kaluar, oficerët bjellorusë të sigurisë, dyshohet se e pikasën Protaseviçnë kryqytetin grek Athinë. Ai po kthehej me avion në shtëpinë e tij në Vilnius të Lituanisë.Por nuk mbërriti dot në destinacion. Pasi kur po fluturonte nëpër hapësirën ajrore të Bjellorusisë, avioni u detyrua të ulej në Minsk ku ai (dhe e dashura e tij) u arrestuan menjëherë.

    Një fat të ngjashëm pati edhe Pol Rusesabagina, një kritik i hapur i qeverisë në Ruanda, i cili vlerësohet se i ka shpëtuar jetën më shumë se 1000 njerëzve gjatë gjenocidit të vitit 1994. Më 31 gusht 2020, Rusesabagina thuhet se u ndoq nga agjentë të policisë sekrete të Ruandës gjatënjë udhëtim nga Shtetet e Bashkuara për në Dubai, dhe u rrëmbye ndërsa po përpiqej udhëtonte drejt Burundit me fluturimin e radhës.

    Por disidentët nuk janë të pafuqishëm përballë kësaj mbikëqyrjeje të përhapur nga shtetet autoritare. Hulumtimi im i fundit, i kryer në bashkëpunim me Anselm Hager, zbulon qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të organizatave disidente që janë aktualisht nën vëzhgim.

    Duke analizuar arkivat e de-klasifikuara të policisë sekrete të Polonisë së epokës komuniste, ne zbuluam se vendet e vëzhguara më së shumti nga policia sekrete në vitet 1980, ishin ato ku ndodhën më shumë greva dhe mitingje. Studimi ynë u fokusua tek vala e protestave që solli themelimin e Solidarność (Solidariteti), lëvizjes që në fund e përmbysi regjimin komunist në vitin 1989.

    Për të kuptuar se si grupimet opozitare vazhduan të lulëzojnë pavarësisht monitorimit intensiv, ne analizua në fillim se përse njerëzit vazhduan t’u bashkoheshin atyre. Dhe zbuluam se frika nga survejimi u mposht nga një emocion tjetër, më i fuqishëm: zemërimi, të cilin hulumtimi ynë zbuloi se ishte ndjenja më e zakonshme e shprehur nga anëtarët e opozitës gjatë diskutimit të mbikëqyrjes.

    Disa disidentë polakë argumentuan se monitorimi i vazhdueshëm ishte një përvojë kaq poshtëruese, saqë ata dolën në rrugë të protestonin. Siç është shprehur  Leopold Tirmand, një shkrimtar i njohur opozitar në Poloninë komuniste: “Fakti që policia sekrete e di më mirë se sa unë se çfarë po bëja në nëntor, dhe cila nga 11 palë mbathjet e mia më pëlqente më shumë të vishja ishte shumë mobilizuese”.

    Por vetëm zemërimi nuk e shpjegon plotësisht suksesin e Solidarność. Ne shqyrtuam gjithashtu edhe mënyrën se si organizatat e mbikëqyrura disidente e mbrojtën veten nga infiltrimi dhe korruptimi i anëtarëve të saj. Dhe për habinë tonë, zbuluam se një nga shenjat dalluese të mbikëqyrjes në regjimet komuniste – mbështetja e madhe te informatorët civilë – ishte një nga dobësitë kryesore të saj.

    Në Poloni, përdorimi i gjerë i informatorëve, nënkuptonte që përgjimi mund të kryhej nga kushdo, duke përfshirë të njohurit e afërt ose familjarët. Në thelb, të gjithë ishin bashkëpunëtorë të mundshëm të regjimit. Mund të pritej që mosbesimi social do ta kishte bërë më të vështirë organizimin e opozitës.

    Por përkundrazi, ai u dha qytetarëve një nxitje për të zbuluar hapur besnikërinë e tyre të vërtetë. Duke vepruar hapur kundër regjimit, njerëzit mund t’u provonin miqve dhe familjes se nuk po bashkëpunonin me regjimin. Në një dëshmi, një disident e shpalli hapur kundërshtimin e tij me një grevë urie publike. Shumë të tjerë ndoqën shembullin e tij.

    Regjimet autoritare e përdorin mbikëqyrjen për të penguar protestat përmes frikës dhe përçarjes. Por studimi ynë tregon se mbikëqyrja mund t’i inkurajojë njerëzit të ngrihen kundër regjimit.

    Vetëdija e të qenit i vëzhguar nxit një zemërim që është më i fuqishëm se sa frika. Nga ana tjetër, mosbesimi i madh i inkurajon disidentët të deklarojnë publikisht mospajtimin e tyre me regjimin. Që të dyja këto procese i forcojnë lëvizjet e rezistencës kundër regjimit, duke e forcuar rezistencën e organizatave opozitare.

    Shënim: Krzysztof Krakowski,asistent/profesor i shkencave politike në Kolegjin Karlo Alberto në Torino, Itali.

    Lajmi Paraprak

    Si të mësosh nga dështimet

    Lajmi i rradhës

    Hoxha: BDI-ja drejt fundit të saj politik, Ahmetit po i shkëputët edhe krahu i luftës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë