A janë mbyllur dyert për punësime etnike?

    Punësimet etnike dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucione morën vëmendje në seancën plenare të Parlamentit. Deputetja Rina Ajdari e Frontit Europian duke i kërkoi llogari pushtetit, posaçërisht koalicionit VLEN, për sa i përket ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të cilin pushteti e ka paralajmëruar para më shumë se katër muajve.

    “Ne akoma po presim të shohim a ka ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ajo çfarë na shqetëson dhe duhet edhe deputetët e VLEN-it dhe ti shqetësoj është se si bëhet shpërndarja e të punësuarve ,mbi baza etnike në të gjitha institucionet e vendit. Kjo është ajo që na shqetëson ne, i shqetëson edhe qytetarët e vendit. Mendoj se jashtëzakonisht e keni tepruar me këto premtime dhe nga ana tjetër, bile eksponentët politik të VLEN-it dalin edhe qesharak para opinionit, premtojnë mijëra punësime në mëngjes dhe nuk shkojnë as dy orë, del kryeministri dhe i demanton. E kuptuam se nuk do të ketë punësime etnike edhe nga kryeministri, nga ministri i administratës dhe ajo e financave”, theksoi deputetja e Frontit Europian, Ajdari.

    Sipas saj, eksponentët e VLEN-it bëjnë vetëm demagogji, ndërsa nuk ndërmarrin veprime konkrete, e cila në fund të fjalimit të saj pyeti kur do të vijë ky ligj për përfaqësimin e drejtë?, duke kërkuar nga deputetët e subjekteve shqiptare në qeveri të ndërmarrin veprime të menjëhershme, pasi sipas saj gjendja është alarmante.

    I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të VLEN-it, Halil Snopçe, i cili tha se Ligji në fjalë është në proces dhe i njëjti do të miratohet shumë shpejtë. Snopçe i konsideroi si hipokrizi ankesat e BDI-së për sa i përket heqjes së Balancuesit, duke thënë se për heqjen e balancuesit, mendim pozitiv kishin dhënë të gjithë ish-ministrat e BDI-së në qeverinë paraprake. Sa i përket punësimeve Snopçe tha se VLEN angazhohet pwr punësime në bazë të meritave, e jo siç tha për punësime partiake.

    “Ju po flisni për një nënçmim, kurse nga ana tjetër ka disa instanca që i shndërruat në punësime familjare. Normalisht VLEN nuk merret me këto punësime, normalisht vlera dhe profesionalizmi do të merren parasysh. Pra jo të bëni punësime, ti sistemoni, kunatat, vëllezërit, motrat, nipërit e kështu me radhë. E marrim shembull M-NAV-in, që e keni shndërruar si institucion privat për punësime familjare. Nga ana tjetër themi se obligimin kushtetues të ligjit për përfaqësim të barabartë do ta bëjmë realitet”, tha Snopçe, sipas të cilit me ligjin në fjalë do të zgjidhet edhe problemi i punësimeve nëpër shumë institucione, ku shqiptarët nuk janë të përfaqësuar denjësisht për vite me radhë.

    Përndryshe më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese kishte sjellur vendim për abrogimin e balancuesit, mekanizmit që shërbente për punësime etnike në administratën publike. Asokohe, Fronti Europian patë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke theksuar se po tentohet që shqiptarëve tu mbyllen dyert e punësimit në sektorin publik, ndërsa nga ana tjetër koalicioni VLEN paralajmëroi se çështja e punësimeve etnike do të zgjidhet përmes një projekt-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Megjithatë, sipas informacioneve nga qeveria ende ky projekt-ligj nuk është finalizuar dhe gjendet ne fazë të grupeve punuese. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mbrojtja ka afat 15 ditë për të dorëzuar provat për hetimin në Onkologji

    Lajmi i rradhës

    Katër ditë pune në RMV, peng i produktivitetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë