A ka fuqi Parlamenti Europian të ndikojë për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës?

    Vendosja e kryetarëve shqiptarë nëpër komunat me shumicë serbe me ndihmën e policisë që pasoi me protesta të dhunshme, Kosovës ia solli “shuplakat” më të mëdha nga aleatët.

    Fillimisht FSK-ja u përjashtua nga ushtrimet ndërkombëtare ushtarake “Defender 2023”. Pastaj u bllokuan fonde e u pezulluan në një masë ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimin Evropian.

    Por, heqjen e këtyre sanksioneve e kërkoi të enjten Parlamenti Evropian. Organi legjislativ i BE-së këtë e bëri përmes miratimit të një rezolute.

    Megjithatë, ajo sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk ka ndikim direkt për largimin e sanksioneve.

    “Në mënyrë direkte nuk ka ndonjë rrezatim për Kosovën por në kuptimin indirekt ka një ndikim shumë të madh për faktin që të gjitha institucionet e BE-së qoftë Komisioni Evropian apo edhe të tjerat kur ta marrin vendimin apo do të ulen në tavolinë për të biseduar rreth heqjes së sanksioneve merren parasysh edhe rezulutat e Parlamentit Evropian”, tha analisti Arbnor Sadiku.

    Këtë rezolutë ndonëse jovendimtare për sanksionet, Fidan Ukaj e konsideron mjaftë të rëndësishme.

    “Ky zë i qytetarëve të Bashkimit Evropian përmes deputetëve në Parlamentin Evropian është zë i fuqishëm në adresë të institucioneve tjera dhe mendoj që institucionet vendimmarrëse duhet ta marrin seriozisht dhe si zë i këtyre qytetarëve të jetë prioritet i tyre që sanksionet e vendosura ndaj Kosovës të largohen e ato fonde shumë të rëndësishme të vazhdojnë të ndahen”, tha analisti tjetër Fidan Ukaj.

    Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani konfirmoi se mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është përcaktuese për heqjen e sanksioneve të BE-së.

    Rezoluta e Parlamentit Evropian gjithashtu fton Kosovën dhe Serbinë të angazhohen në dialog për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme./RTVDukagjini/

    Lajmi Paraprak

    Konsiderohej i vrarë në luftë, Komandant “Raketa” tregon si u kthye i gjallë në të pamen e tij

    Lajmi i rradhës

    Thënie nga Umbero Eko

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë