A ka nevojë BE për një politikë të re të zgjerimit të saj?

    “Carnegie Europe”

    Aplikimi i Ukrainës javët e fundit për t’u bërë pjesë e unionit, e ka rikthye në krye të axhendës së BE-së çështjen e zgjerimit. Analistët dhe ekspertët mendojnë se bashkimi Evropian duhet ta ri-mendojë procesin e anëtarësimit për ta bërë atë më efektiv, duke ruajtur në çdo rast standardet demokratike dhe të sundimit të ligjit.

    Dimitar Bechev, bashkëpunëtor i think-tankut “Carnegie Europe”:

    BE nuk ka nevojë për një politikë të re të zgjerimit. Ajo duhet të përmirësojë politikën aktuale. Por ky proces ka rreziqet e veta. Fjalimi i Emmanuel Macron në Ditën e Evropës rishfaqi idetë e hershme të viteve 1990 për një Evropë “me shumë shpejtësi”, me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën në një grup me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe me Mbretërinë e Bashkuar, në rrethin e jashtëm.

    Kjo do të thotë se BE-ja do ta humbasë edhe atë pak joshje që ka pasur mbi politikën e brendshme të vendeve kandidate. Një zgjerim i madh gjeopolitik as që është në plan.

    Luftë apo jo, në vendet kryesore të Evropës Perëndimore, nuk ka një interes për të hapur gjerësisht derën e unionit në emër të projektimit të ndikimit mbi skajet e Evropës.

    Njëkohësisht, BE-ja mund dhe duhet të ndjekë politikën e hapave të vegjël: të rigjallërojë bisedimet e anëtarësimit me Malin e Zi për ta mirëpritur atë si anëtarin e 28-të në fund të vitit 2020, të fillojë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe të nxisë Serbinë dhe Kosovën të fillojnë edhe njëherë negociatat mes tyre për normalizimin e marrëdhënieve.

    Mbi të gjitha, Brukseli duhet të gjejë mënyrën se si t`i fuqizojë forcat e ndryshimit në arenat e brendshme të vendeve kandidate. Tek e fundit, pastrimi i “vijës së finishit” ka po aq rëndësi sa procesi që përmbush qëllimet e tij: konsolidim demokratik, integritet institucional dhe reforma të favorshme për rritjen dhe zhvillimin afatgjatë.

    Krzysztof Bledowski, ekonomist në Aleancën e Prodhuesve për Produktivitet dhe Inovacion:

    Është e vështirë të thuhet, dhe kjo jo vetëm sepse BE nuk ka një pikëpamje të unifikuar mbi vendet përreth saj. Së pari, BE nuk është e qartë mbi asetet strategjike, kërcënimet dhe mundësitë që i ofrojnë vendet fqinje me të. Shtetet anëtare i japin përparësi politikave të tyre të jashtme, dhe më pas gjejnë emëruesin më të ulët të përbashkët tek Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së.

    Së dyti, në kontrast të plotë me NATO-n, BE e ka të vështirë të zhvillojë një mënyrë strategjike të të menduarit në lidhje me zgjerimin. Për NATO-n, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria janë konsideruar gjithmonë me rëndësi shumë të madhe. Zëri i Shteteve të Bashkuara, ka pasur peshë vendimtare në vendimmarrje dhe lehtësimin e anëtarësimit të tyre.

    Së treti, zgjerimi i BE-së mbart kosto dhe përfitime asimetrike si për vendet aktuale ashtu edhe për anëtarët e rinj. Dhe kjo e ndërlikon procesin e anëtarësimit. Anëtarët aktualë përqendrohen në maksimizimin e kohezionit në të ardhmen, ndërsa të rinjtë e kanë mendjen tek transfertat financiare të unionit. Këto pengesa e pengojnë zgjerimin.

    Prandaj ka nevojë ndoshta për një rrugë të mesme. Për shembull, BE-ja mund të zgjerojë tregun e saj të përbashkët për mallrat, shërbimet, ndoshta edhe tregun e punës në një zonë më të madhe. Më pas anëtarësimi i plotë do t’i motivonte edhe më shumë vendet kandidate për të forcuar qeverisjen e mirë dhe përmbushur të gjithë standartet. Por edhe qasja e re e BE-së nuk mund të trajtojë problemin e boshllëkut strategjik, që është edhe dobësia më e madhe e Evropës në nivel global.

    Denis Macshane, ish-Ministër për Evropën i Britanisë së Madhe:

    BE nuk ka aq shumë nevojë për një politikë zgjerimi se sa për një politikë vërtet evropiane. Është surreale që më shumë se 25 vite pas Srebrenicës dhe 2 dekada pasi politika serbe e spastrimit etnik në Kosovë u ndal nga Evropa dhe SHBA-ja, në Evropë nuk ka paqe dhe një integrim të plotë dhe përfundimtar.

    Imagjinoni sikur në vitin 1970 Franca dhe Gjermania, të kishin ende mosmarrëveshje të forta, dhe të mos kishte tregti dhe lëvizje të lirë përtej lumit Rin. Kjo është afërsisht sot gjendja e Ballkanit. Sigurisht, korrupsioni është një problem madhor, dhe politika atje bazohet ende në identitetin etnik dhe urrejtjen historike, dhe kjo nuk u nevojitet evropianëve tanë në Ballkanin Perëndimor.

    Por e njëjta gjë mund të thuhet për rajone të tjera të varfra, të korruptuara, të ndara politikisht të Evropës, nga Italia e Jugut, në Maltë, Irlandë, në Kroaci, që iu bashkuan në fillim Komunitetin Ekonomik Evropian dhe më pas BE-së. Praktikat e mira, ligjet dhe vlerat e BE-së, e zëvendësuan sjelljen e tyre të keqe të së shkuarës.

    Brukseli, Parisi, Berlini pretendojnë se Ballkani Perëndimor përbën një rajon në “anën e errët dhe te pasme të Hënës”. Ndërkohë, është një synim i kahershëm i politikës së jashtme të Vladimir Putin të ballkanizojë Evropën – si mbështetja e tij për Brexit – dhe të pengojë evropianizimin e Ballkanit Perëndimor apo Gjeorgjisë.

    Mbetet ende një enigmë pse kaq shumë politikë-bërës në kryeqytetet e BE-së janë mbështetës të linjës së Putinit ndaj partneritetit, zgjerimit dhe integrimit evropian. BE-ja nuk ka luksin e sjelljeve të tilla indiferente. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz do të tregojnë lidership lidhur me çështjen e zgjerimit.

    Paul Taylor, redaktor në “Politico.eu”:

    Zgjerimi i BE-së ka ngecur dhe është bërë një burim zemërimi dhe zhgënjimi për vendet aspirante, por dhe për shumë qytetarë të BE-së. Ai duhet të ndryshojë por pa i ulur standardet e BE-së për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

    Po ashtu, BE-ja duhet të dërgojë një sinjal politik për ukrainasit që po luftojnë për të mbrojtur demokracinë e tyre, por edhe për moldavët dhe gjeorgjianët që mund të jenë preja e radhës në “menunë” e Vladimir Putin, se ato janë pjesë e familjes evropiane, edhe nëse për momentin janë ende larg plotësimit të të gjitha kritereve të anëtarësimit.

    Për këtë BE-së i duhet një strukturë gjithëpërfshirëse dhe fleksibël. Po ashtu ia vlen të eksplorohet Ideja e Emmanuel Macron për një “komunitet evropian politik” që mund të bashkëpunojë në fushën e sigurisë, energjitikës, transportit, infrastrukturës dhe tregtisë, në një kohë që Ballkani Perëndimor dhe vendet e Evropës Lindore bashkëpunojnë gjatë procesit të gjatë për të arritur anëtarësimin në BE.

    Nëse kjo do të shoqërohej me zvogëlimin e disa barrierave për anëtarësimin, siç është kërkesa

    për unanimitet në hapjen dhe mbylljen e secilit prej “kapitujve” të zgjerimit, kjo mund të jetë tërheqëse për shtetet aspirante, por pa ua grabitur anëtarëve të BE-së të drejtën e vetos për vendimin përfundimtar mbi anëtarësimin.

    Marrë me shkurtime

    Lajmi Paraprak

    Tronditja e stagflacionit global 2022: Sa keq mund të shkojë?!

    Lajmi i rradhës

    Divock Origi do t’i bashkohet Milanit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë