A mund të mbijetojnë komunat rurale në RMV?

    Fotografia: Emir H

    Migrimi masiv i popullatës të komunave rurale të pjesës më perëndimore të vendit, respektivisht komunave Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostush rrezikon sipas banorëve lokal edhe ekzistencën e vet komunave. Të dy komunat në zgjedhjet e fundit lokale realizuan votime të përsëritura për të zgjedhur udhëheqësit e pushtetit vendor, meqë në votimet e para nuk arritën censusin e përqindjes. Edhe në votimet e fundit që u mbajtën më 8 maj situata nuk ndryshoi meqë në të dy komunat censusi ishte i ulët.

    Në komunë Qendër Zhupë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në votime dolën afër 18 për qind e popullatës kurse në komunën Mavrovë dhe Rostush diçka më shumë se 20 për qind. Shqetësime për këtë situatë për gazetën Koha shprehën edhe kryetarët e të dy komunave në fjalë.

    Kryetari i komunës rurale Qendër Zhupë, Arjan Ibrahim për gazetën Koha thotë se migrimi masiv ka boshatisur fshatra e kësaj komune. Shumë shtëpi janë të mbyllura dhe në komunë jeton vetëm një pjesë e vogël e popullatës.

    “Pjesa dërmuese e banorëve të Zhupës punojnë dhe jetojnë në Itali, si dhe një pjesë më e vogël në Zvicër dhe Gjermani. Pothuajse nga dita në ditë fshatrat të komunës Qendër Zhupë po zbrazen dhe kjo është një dukuri shqetësuese që ndikon edhe në funksionimin e pushtetit vendor”, thotë kryetari Ibrahim.

    Sipas tij vet zgjedhjet lokale para 3 viteve ishin shqetësuese meqë ishim të detyruar si komunë të mbajmë tre herë votime për të zgjedhur kryetarin dhe këshillin komunal. Tani kur kanë filluar edhe debatet për ndoshta ndarje territoriale të re, kemi shqetësime për ekzistencën e komunës. Por, besojmë se ata që sjellin ligjet të respektojnë komunën tonë”, thotë kryetari i komunës Qendër Zhupë.

    E njëjta situatë shqetësuese për mbijetesën është edhe në komunën Mavrovë Rostush. Kryetari i kësaj komune Medat Kurtovski i cili u zgjodh në votimin e dytë për kryetar, thotë se është një problem shumë i madh mungesa e popullatës.

    “Pjesa dërmuese e popullatës është në mërgim në shtete të Evropës. Për fat të keq rrjedha e mërgimtarëve drejt perëndimit vazhdon. Prandaj paraqitet edhe problemi i arritjes të censusit”, thotë ai. Kurtovski sqaron se problemi i mërgimit ka shkaktuar shqetësime në shumë sfera e veçmas në arsim , ekonomi, dhe funksionimin e institucioneve. Në këtë komunë u përsëritën zgjidhjet dy herë për të përzgjedh edhe këshillin e komunës.

    Edhe në Qendër Zhupë, por edhe në Mavrovë Rostush censusi u arrit me ndihmën e ardhjes së mërgimtarëve nga shtetet të Evropës. Në bisedë me përfaqësues të shoqatave të mërgimtarëve nga dy komunat që funksionojnë në Itali, Zvicër dhe Gjermani u informuam se ardhja e tyre ka qenë e organizuar nga partitë politike.

    Partitë dhe gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare sollën shumë mërgimtar në vendlindje për të votuar. Por nga këto shoqata thonë se mënyra për të arritur censusin për votimet në vendlindje nuk ka logjikë. Edhe ata janë të shqetësuar dhe shpesh herë pyesin për ekzistencën e këtyre komunave në të ardhmen.

    Komuna Qendër Zhupë si komunë rurale para se të themelohet ishte pjesë e territorit të komunës Dibër dhe quhej Zhupa e Dibrës. Poashtu mund të themi se komuna Mavrovë Rostush më parë ka qenë territor i komunës të Gostivarit dhe quhej rajoni Reka e Poshtme, Reka e Epërme dhe Mavrova.

    Lajmi Paraprak

    Për çfarë fëmijët tuaj nuk do t’ju falin kurrë, shmangni këto gjëra

    Lajmi i rradhës

    Tre të plagosur te Rruga e Plastikave në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë