VLEN nuk e ka fajin për gjuhën shqipe dhe ne me mekanizmat tona politike por edhe në Qeveri e ndaluam vendimin e Kushtetueses, tha nënkryetari i Besës Blerim Sejdiu në DailyClick. Procedura nuk u ndalua nga tendat pasi siç thotë, opozitës nuk i dhimbset aspak gjuha shqipe dhe flamuri.
“Në nuk kemi asnjë faj në këtë drejtim, ne vetëm e bëjmë punën tonë që sot me mekanizmat tonë në Qeveri, edhe politike por edhe institucionale jemi duke e ndaluar një gjë të tillë dhe ia arritëm qëllimit. A ka ndonjë njeri në këtë shtet që mendon se prej tendës është ndalu kjo. Nuk ndalohet atje, e as nuk fillohet atje, e as nuk zgjidhet prej atje. Ajo është një keqpërdorim politik për të keqpërdorur edhe ata njerëz që i marrin pas vete për përfitime të tyre”, tha Blerim Sejdiu.
Për situatën aktuale, sipas Sejdiut, fajtore është BDI-ja që ka lejuar që Ligji për përdorimin e gjuhëve të kalojë në Kuvend me mangësi dhe ligji nuk i ka respektuar të gjitha procedurat ligjore. Për këtë, sipas tij, BDI duhet të mbajë përgjegjësi.
“Ne jemi të bindur se BDI qëllimisht e ka bërë me mangësi këtë ligj që ta përdor kur të jetë në ditë të vështira siç është sot dhe ta keqpërdor për opinionin e gjerë se kinse gjuha shqipe nuk do të flitet më se ata edhe kur erdhën në Qeveri thanë se, prej momentit që ka ardhur BDI në kemi filluar të flasim shqip e tani kur janë në opozitë, përsëri ne nuk do të flasim shqip se ata nuk janë më Qeveri”, tha Sejdiu.
BDI-ja e ka ditur se do të jetë në opozitë?
“E ka ditur”, u shpreh ai.
Ndryshe dje seancën e Kushtetueses e bojkotuan gjykatësit shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, me qëllim parandalimin e votimit, ndërsa seancën më pas e braktisi edhe gjykatësi Fatmir Skender që i përket komunitetit turk. U vendos për mbajtjen e një seanca përgatitore me ekspertë dhe përfaqësues të partive politike. /TV21/