A u nxitën nga ndryshimet klimatike dhjetë ngjarjet më vdekjeprurëse të motit të dy dekadave të fundit?

    Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit kanë nxitur dhjetë ngjarjet më vdekjeprurëse të motit të dy dekadave të fundit, sipas një analize.

    Ciklonët e egër, valët e të nxehtit, thatësira dhe përmbytjet, duke përfshirë Evropën, kanë vrarë më shumë se 570,000 njerëz.

    “Të gjitha u bënë më intensive dhe më të mundshme në një atmosferë më të nxehtë”, tha grupi World Weather Attribution (WWA).

    Hulumtimi i tij tregon se si shkencëtarët mund të zbulojnë “gjurmën e ndryshimit të klimës” në ngjarje komplekse të motit – siç janë përmbytjet vdekjeprurëse të fundit në Spanjë, shkruan skynews.

    “Ndryshimi i klimës nuk është një kërcënim i largët”, tha Dr. Friederike Otto, bashkëthemeluese dhe drejtuese e World Weather Attribution.

    “Ky studim duhet t’ua hapë sytë liderëve politikë që varen nga lëndët djegëse fosile të cilat ngrohin planetin dhe shkatërrojnë jetë”, shtoi Otto.

    “Nëse vazhdojmë të djegim naftë, gaz dhe qymyr, vuajtjet do të vazhdojnë”.

    Bëhet e ditur se ekipi analizoi dhjetë ngjarjet më vdekjeprurëse të motit në bazën ndërkombëtare të të dhënave të fatkeqësive që nga viti 2004.

    Këto ishin:

    Bangladesh, Cikloni Sidr, 2007: 4,234 të vdekur

    Myanmar, Ciklon Nargis, 2008: 138,366 të vdekur

    Rusi, vala e të nxehtit, 2010: 55,736 të vdekur

    Somali, thatësira, 2010-2012: 258,000 të vdekur

    Uttakarand, Indi, përmbytja, 2013: 6,054 të vdekur

    Filipine, tajfuni Haiyan, 2013: 7,354 të vdekur

    Francë, vala e të nxehtit, 2015: 3,275 të vdekur

    Evropa, valët e të nxehtit, 2022: 53,542 të vdekur

    Evropa, valët e të nxehtit, 2023: 37,129 të vdekur

    Libi, Stuhia Daniel, 2023: 12,352 të vdekur

    “Vala e të nxehtit e vitit 2023 pa temperatura në Mesdheun perëndimor që do të ishin të pamundura pa ndryshimet klimatike”, sipas ekipit.

    Ngjarja më vdekjeprurëse ishte thatësira në Somali në të cilën vdiqën 258,000 njerëz.

    Ndryshe, WWA është një nga organizatat kryesore globale në shkencë që vlerëson rolin e ndryshimeve klimatike në mot ekstrem.

    Studiuesit thanë se gjetjet tregojnë se si ndryshimi i klimës është tashmë “tepër i rrezikshëm”.

    Në nëntor, udhëheqësit globalë do të takohen në Baku, Azerbajxhan, për COP29 dhe bisedimet vjetore të OKB-së për klimën.

    Negociatat synojnë të bien dakord për një fond të ri për të ndihmuar vendet në zhvillim të heqin dorë nga karburantet fosile dhe të përshtaten me motin më të ashpër në një botë më të nxehtë. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Lojërat të cilat nxisin zhvillimin fizik

    Lajmi i rradhës

    Komisioni Europian: largohen mjekët dhe infermieret, shërbimet shëndetësore janë të shtrenjta në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë