Në kohën kur kriza ekonomike ka prekur çdo shtresë të shoqërisë, gratë në vend ndodhen në një pozitë edhe më të vështirë. Përveç papunësisë së lartë dhe pagës minimale që nuk mjafton as për nevojat bazike, gratë përballen edhe me një barrë të heshtur, por të vazhdueshme: çmimet më të larta për produktet që u duhen atyre. I njohur si fenomeni i “taksës rozë”, ky dallim gjinor në treg shpeshherë mbetet i padukshëm, por ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe buxhetin e përditshëm të mijëra grave në vend.
Ndër produktet më të përditshme, si brisqet për rroje apo shampot, dallimet në çmime janë të dukshme. Në një vëzhgim që gazeta Koha bëri nga terreni, është konstatuar se një brisk i të njëjtës markë për femra kushton rreth 260 denarë, ndërsa ai për burra vetëm 170 denarë, edhe pse kanë të njëjtën formë dhe funksion. Po ashtu, prerja e flokëve për gratë në sallonet e ondulimit shkon nga 400 deri në 1000 denarë, krahasuar me 250 deri 300 denarë për burrat, duke e reflektuar qartë standardin e dyfishtë që aplikohet në shërbime të njëjta.
Këto nuk janë raste të izoluara. Produktet për kujdes personal, që në shumicën e rasteve janë të njëjta në përmbajtje, ndahen vetëm nga ambalazhi apo ngjyra. E megjithatë, nëse janë të targetuara për gratë, çmimi rritet dukshëm. Shampot për femra, për shembull, fillojnë nga 170 denarë dhe më shumë, ndërkohë që ato për burra janë më të lira për të njëjtën sasi. Deodorantët janë ndër të paktët produkte ku nuk ka dallim të dukshëm në çmim, por në shumicën dërrmuese të artikujve të kujdesit trupor, ndryshimi është i pranishëm dhe i qëndrueshëm.
Për të kuptuar përmasat e këtij fenomeni, mjafton të përmendet se në vitin 2024, një grua harxhonte rreth 300 denarë në muaj për produkte menstruale dhe higjienike, ndërsa këtë vit – kjo shifër ka arritur në afër 450 denarë, një rritje prej 50 për qind brenda një viti. Në një realitet ku paga minimale mbetet e ulët dhe kostot e jetesës janë rritur dukshëm, kjo është një barrë që nuk mund të injorohet.
Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), mbi 37 mijë gra në vend janë të papuna. Për këto gra, por edhe për shumë të tjera që punojnë për pagë minimale, përballja me çmime të padrejta është e pashmangshme. Ato nuk zgjedhin nëse do të blejnë apo jo pecetat sanitare apo shampot, ato janë produkte të domosdoshme, jo luks. Dhe pikërisht sepse janë të domosdoshme, mungesa e ndërhyrjes institucionale i lë të pambrojtura përballë një tregu që u kërkon më shumë vetëm për shkak të gjinisë.
Edhe analiza e organizatës “SEEbiz” tregon se kompanitë shpesh vendosin çmime më të larta për produktet që janë për femrat, krahasuar me ato për meshkuj, duke bërë që femrat paguajnë më shtrenjtë. “Taksa rozë i referohet praktikës së kompanive që paguajnë më shumë për produktet apo shërbimet që synohen dhe reklamohen për femrat, krahasuar me produktet apo shërbimet e ngjashme të destinuara për meshkujt, kështu që deodoranti për femra do të jetë disa për qind më i shtrenjtë se ai i meshkujve” thuhet në analizën e “SEEbiz”.
Në këtë kontekst, taksa rozë nuk është vetëm një çështje konsumatori, por një problem strukturor që thellon pabarazitë ekzistuese. Në mungesë të transparencës në përcaktimin e çmimeve dhe pa politika që mbrojnë barazinë ekonomike gjinore, ky fenomen vazhdon të normalizohet në përditshmëri. Ajo që duket si një dallim i vogël në çmim, në praktikë bëhet një akumulim i përditshëm që, muaj pas muaji, vit pas viti, krijon hendek në cilësinë e jetës dhe të dinjitetit. Ndërsa qeveritë dhe kompanitë vazhdojnë të heshtin përballë kësaj pabarazie të heshtur, gratë vazhdojnë të paguajnë më shumë për më pak, për të njëjtat produkte, për të njëjtin shërbim, për të njëjtën jetë.