Me fillimin e vitit shkollor dhe rikthimin e fëmijëve në banka shkollore, politikanët u përplasen rreth Abetares në gjuhën shqipe. Politikanët nga të dy taborët vrapuan për t’i marr meritat se kush ka dhënë kontribut më shumë në prurjen e Abetares së unifikuar. Përkundër faktit që politikanët po vrapojnë për t’i marr meritat e Abetares së unifikuar e vërteta qëndron se filloristët shqiptarë edhe këtë vit shkollor nuk kanë mundësi që alfabetin e gjuhës shqipe ta mësojnë nga Abetarja e unifikuar e cila tashmë gjen zbatim në Shqipëri, Kosovë dhe Luginë të Preshevës.
Eksperti i arsimit Avzi Mustafa, për gazetën Koha, ka deklaruar se Abetarja e cila u shpërnda në shkollat gjatë ditës së parë të vitit shkollor nuk është Abetarja e unifikuar dhe se politikanët nga të dy taborët politike po manipulojnë me opinionin dhe nxënësit.
“Ajo që u shpërnda në shkollat fillore gjatë ditës së parë është një material didaktik dhe shtesë për nxënësit dhe nuk është Abetarja e unifikuar. Për të qenë një Abetare e unifikuar së pari duhet të ketë një marrëveshje mes shteteve, të kaloj në komision recensues dhe pastaj të hedhet në përdorim. Pra kjo Abetare apo fletore pune e cila u shpërnda është e ngjashme si me revistat Xixëllonja, Fatosat dhe të tjerat që kanë natyrë të ngjashme veprimi. Këto materiale mund t’i blej çdokush pasi janë të qasshme në treg. Abetarja e unifikuar është e rëndësishme dhe nuk duhet të manipulohet me nxënësit, ajo luan rol të madh në mësimin e shkrim-leximit përmes metodave më të avancuara, por edhe njohjen e fëmijëve me të gjitha trevat etnike. Ajo gjithashtu kontribuon që fëmijët të mësojnë më mirë gjuhën standarde dhe atë letrare”, u shpreh Mustafa për gazetën Koha.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ka shkruar se ishte nder i madh që të dorëzoj Abetaren e Unifikuar për nxënësit e klasës së parë në Shkollën Fillore “Liria” në Shkup.
“Abetarja është abc-ja e hyrjes në gjuhën shqipe, ndërsa Abetarja e Unifikuar është shënjues i përpjekjeve tona për të mbrojtur dhe kultivuar gjuhën standarde shqipe. Nga sot, nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mësojnë shkronjat e arta të alfabetit shqip njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Është padyshim një hap thelbësor në mirëmbajtjen e indetitetit tonë kombëtar në një epokë të globalizimit. Ishte një moment i veçantë për të gjithë ne, të cilin do ta kujtojmë gjatë. I falënderoj arsimtarët dhe nxënësit për programin e mrekullueshëm të përgatitur për këtë ditë të shënuar dhe ITKSHSHM-së për donacionin e abetareve”, ka shkruar Mexhiti.
Derisa nga ana tjetër ish-ministri Jeton Shaqiri ka thënë se duhet ta themi gjithmonë të vërtetën dhe mos t’i përvetësojmë meritat e dikujt tjetër.
“Bilall, Izet, dhe ju tjerët në Vlen. Nuk jeni shembull i mirë për këtë fillimvit shkollor, sepse nxënësit dhe të rinjtë ndër breza i kemi edukuar dhe këshilluar se duhet ta themi gjithmonë të vërtetën dhe vlerat e tjetërkujt nuk duhet t’i përvetësojmë sepse e vërteta gjithmonë del në shesh. Zv.ministër Lulzim shpresoj që t’i sot se ke pasur për PR ditor. Drejtor Skender edhe ju e dini të vërtetën cilët Abetare po shpërndani, mos u brengosni për pozicionin ndoshta e keni afatgjatë”, ka shkruar Shaqiri. Ai postimit ia ka bashkangjitur edhe një dokument e cila përmban një kontratë për përdorimin e materialit didaktik në paralelet e gjuhës shqipe me një kompani private. Nga ana tjetër, edhe në Aktvendimin e sjellë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), thuhet qartë se bëhet fjalë për një material didaktik dhe jo Abetare.
MASH në bazë të nenit 55 paragrafi 1 të Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore dhe Ligjit për tekstet shkollore ka sjellë Aktvendim në të cilën thuhet: “Kërkesa e Shoqërisë për prodhim, marketing, dizajn, shitje dhe shërbime “Arberia Design” SHKPNJ eksport-import Tetovë, për pëlqimin dhe për përdorimin e materialeve didaktike “Abetare” dhe “Fletore pune Abetare” nga autorët Prof.Dr. Mimoza Gjokutaj, Mr.Sc. Saranda Kumnova, Prof.Assoc.Dr. Naser Zabeli dhe Mr.sc Tereza Babasuli për klasën e parë dhe klasën e dytë në shkolla fillore ku mësimi zhvillohet në Gjuhën shqipe PA 1 nr.12-2360 të datës 16.09.2022, MIRATOHET.