Adoleshentet në RMV vazhdojnë të lindin…njësoj!

    Shkup / Fotografia: Nistori

    Të paktën një mijë vajza 15-19 vjeç ose rreth 2 për qind e popullsisë së kësaj grupmoshe kanë lindur një ose më shumë fëmijë. Ose 20 vajza në një mijë. Këto shifra vazhdojnë ta rangojnë Maqedoninë si një nga vendet me shkallë të lartë të shtatzënive te të miturat në Evropë, gati tre herë më e lartë se mesatarja prej 6 për 1000 lindje në vendet e BE-së. Kjo situatë ka mbetur konstante viteve të fundit.

    Sipas publikimit “Profili i fëmijëve në Maqedoni”, nga Enti Shtetëror i Statistikave në bashkëpunim me UNICEF konstatohet se këto shifra, që i referohen cenzusit të fundit të popullsisë tregojnë një rënie thuajse të papërfillshme me ato të grumbulluara në 2018. Nga vajzat e kësaj moshe që kanë lindur fëmijë, 76.6% kanë lindur një fëmijë, 19.5% kanë lindur dy fëmijë dhe më pak se 3% kanë lindur tre e më shumë fëmijë. Sa i takon përkatësisë etnike nga gjithsej 15.447 shqiptare të grupmoshës 15-19 vjeç, 10 për qind kanë lindur një ose më shumë fëmijë (149 – një fëmijë, 20 – 2 fëmijë, 2 – tre fëmijë).

    “Shkalla e lindjeve tek adoleshentët është 20 lindje (19.7) për 1000 vajza të moshës 15-19 vjeç. Nëse i krahasojmë rezultatet me Anketa e grupeve me shumë tregues (MIKS)38, e cila është realizuar në vitin 2018 dhe 2019, në një kampion prej më shumë se 4000 amvisërish, vërehet një rënie e parëndësishme e shkallës së lindjeve në mesin e vajzave adoleshente, nga 21 në 20 lindje”, vërehet në publikim.

    Përqindje më të madhe të nënave të reja ( 15 deri 19 vjeç) ka tek romet, mes të cilave 13.1 % e vajzave në këtë grup moshë kanë lindur një apo më shumë fëmijë. Përqindje të madhe të lindjeve tek adoleshentet ka edhe mes vajzave të moshës 15-19 vjeç të regjistruara përmes burimeve administrative, por identiteti i tyre etnik mbetet i panjohur. Përmes kryqëzimit të të dhënave për lindjet e adoleshentëve me komunën e vendbanimit, analiza ka identifikuar se në cilat komuna kemi një incidencë më të lartë të lindjeve të adoleshentëve sipas përkatësive të ndryshme etnike.

    Tek adoleshentet shqiptare, përqindje më e lartë e lindjeve vërehet në komunat e Krushevës (7.9%), Sopishtës (5.9%), Çashkës (5.1%). Nëse merret parasysh vendbanimi (mjedis urban/rural), mund të konkludohet se 54% e vajzave adoleshente që kanë lindur një ose më shumë fëmijë jetojnë në zona urbane, ndërsa 46% jetojnë në zona rurale.

    Nga ana tjetër, numri i vajzave të moshës 15-19 vjeç që deklaruan gjatë regjistrimit se jetojnë në bashkëshortësi gati pesë herë më i madh se djemtë – 1355. Komunat ku janë regjistruar këto raste janë Strumica (104), Shuto Orizarit (78), Prilepit (73), Radovishit (54), Gostivarit (53), Tetovës.(48). “Pavarësisht shifrave absolute, nëse analizohet pjesëmarrja e adoleshenteve në martesë brenda grupmoshës së vajzave 15-19 vjeç, përfitohet një pasqyrë tjetër”, vërehet në publikim. Përkatësisht, në komuna të caktuara, 10 e më shumë për qind e vajzave adoleshente nga grupmosha përkatëse kanë deklaruar se janë të martuara – Dollneni (10%), Vasilevë (10%), Pllasnica (10%), Karbinci (12%), Lozovo ( 10%)). Të gjitha komunat e përmendura janë komuna rurale me përbërje kryesisht të përzier etnike.

    Ligji për familjen nuk i parashikon bashkësitë jashtëmartesore mes apo me persona të mitur, që është një nga arsyet për mospasjen e evidencës për numrin e tyre në shoqëri. Sipas Kodit penal bashkësitë jashtëmartesore me fëmijë sanksionohen, përkatësisht i shqiptohet dënimi prej tre muaj deri në tre vjet të rriturit, prindit apo kujdestarit që merr pjesë ose e lejon. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjoba për hedhjen e mbeturinave në vende publike në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Hoxha: legjitimitetin e ka Fronti Europian

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë