Adoptimi i të rriturve – Fenomen i ri në Korenë Jugore

    AFP

    Shkrimtarja jugkoreane, Eun Seo-ran ka qenë e lumtur si beqare, derisa një emergjencë mjekësore ia ka nxitur dëshirën që ta ketë familjen afër.

    Më vonë ajo e ka marrë një hap jokonvencional: e ka adoptuar ligjërisht miken e saj më të mirë.

    Kjo 44-vjeçare jeton larg prej familjes së saj biologjike, dhe pjesëtarët e saj nuk janë të përfshirë në jetën e shkrimtares.

    Ajo nuk është e martuar, sikurse shumë njerëz në Korenë Jugore, me shkallë të ulët nataliteti, dhe nuk ka fëmijë.

    Mirëpo Eun e ka një mike shumë të mirë: Lee Eo-rie.

    Të dyja gratë, që nuk janë të përfshira në lidhje romantike, e kanë një pronë të përbashkët, jetojnë bashkë, i ndajnë faturat dhe kujdesen për njëra-tjetrën kur sëmuren.

    Eun ka thënë se kur ka qenë në spital, e ka kuptuar se ka nevojë për dikë që t’i qëndrojë afër, dhe jo vetëm që ta mbështesë emocionalisht.

    Ajo ka dashur që Lee të ketë qasje në spital si pjesëtare e familjes, dhe në skenarin më të keq të mundshëm, t’ia organizojë funeralin, pa u marrë me shumë procedura burokratike.

    Eun nuk ka pasur asnjë mënyrë për ta formalizuar lidhjen me miken e ngushtë, derisa e ka gjetur një vakum ligjor: adoptimin e të rriturve.

    “Familja përcaktohet me ligjin aktual si e bazuar në lidhje seksuale të dy personave dhe në fëmijë që janë rezultat i asaj lidhjeje”, ka thënë Eun për AFP-në.

    Mirëpo, “mendoj se lidhjet emocionale janë më të rëndësishmet”, ka thënë ajo.

    Shkrimtarja jugkoreane, Eun Seo-ran.
    Shkrimtarja jugkoreane, Eun Seo-ran.

    “Në momentin kur jam me dikë dhe ndihem mirë emocionalisht dhe në paqe, ose kur mendoj për të, mendoj se ai person është familja ime”.

    Familje e zgjedhur

    Me një prej normave më të ulëta të natalitetit dhe rënie të normës së martesave, secilën herë e më shumë njerëz në Korenë Jugore lindin – dhe vdesin – vetëm.

    Mbi 41 për qind e shtëpive tani banohen prej vetëm një personi në Korenë Jugore, tregojnë të dhënat zyrtare – dhe numri pritet të rritet.

    “Definicioni i ngushtë në ligj për familjen është pjesërisht përgjegjës”, ka thënë Hyeyoung Woo, profesoreshë e sociologjisë, e cila bën kërkime për familjen në Universitetin Portland në Korenë Jugore.

    Në këtë ligj nuk lejohen martesat mes personave të gjinisë së njëjtë dhe familja tradicionale vazhdon të jetë normë.

    Sistemi ende e përkrah “një familje tradicionale – një çift heteroseksual, ku burri e sjell bukën në tavolinë dhe gruaja rri në shtëpi – por ky realitet nuk përkon me demografinë aktuale në Kore”, ka shtuar Woo.

    Edhe pse në këtë vend regjistrohen secilën herë e më pak martesa – vetëm 3.7 për 1.000 banorë vitin e kaluar – njerëzit prapëseprapë kanë nevojë për lidhje, dhe ato duhet të njihen ligjërisht, ka thënë ligjvënësja, Yong Hye-in.

    “Kjo rritje e numrit të njerëzve që jetojnë vetëm në një shtëpi nënkupton se po rritet numri i njerëzve që jetojnë me dikë, pa qenë të lidhur me martesë, apo pa pasur lidhje gjaku”, ka thënë Yong për AFP-në.

    “Duhet ta zgjidhim këtë problem për njerëzit e izoluar, duke u ofruar më shumë mundësi, dhe jo vetëm ‘të jenë vetëm’ ose ‘të jenë të martuar’”.

    Yong e ka propozuar një projektligj me qëllim të zgjerimit të definicionit të familjes përtej normave tradicionale.

    Mirëpo ky hap është pritur me kritika të ashpra nga grupet konservatore dhe blloku i krishterë, të cilat argumentojnë që nëse miratohet, legjislacioni do të përbënte legalizim të martesave të gjinisë së njëjtë.

    Nëse miratohet, legjislacioni “do ta shkatërronte sistemin familjar të Koresë Jugore dhe do të shkaktonte dëm të madh te fëmijët”, ka thënë Asociacioni për Komunikime me Kishën, përmes një deklarate.

    Eun ka thënë se ka lindur në atë që në Korenë Jugore konsiderohet familje “normale”, mirëpo nuk ka qenë e lumtur si fëmijë.

    “Duke qenë dëshmitare e martesës së palumtur të nënës sime, më është rritur frika se mund ta kem fatin e njëjtë, nëse martohem”, ka thënë ajo për AFP-në.

    “Kam vendosur dhe e kam krijuar një familje të re me atë që po jetoj”, ka thënë ajo, duke treguar se ndihet “rehat”.

    Proces shumë i lehtë

    Eun ka thënë se procesi i adoptimit të mikes së saj ka qenë jashtëzakonisht i lehtë.

    Adoptimi i një fëmije nga një individ i pamartuar në Korenë Jugore përcillet me një proces që përfshin disa faktorë sikurse moshën, stabilitetin financiar, dhe ambientin shtëpiak.

    Rastet kur miratohen kërkesat janë tepër të rralla.

    Mirëpo për Eun, adoptimi i një të rrituri nuk është përcjell me komplikime ligjore përveç që është dashur të jetë më e vjetër se Lee, të ketë miratimin e nënës së saj, dhe të mos jetë fëmija i saj biologjik.

    Kur e kam dorëzuar aplikacionin – një dokument të thjeshtë – miratimi më ka ardhur pas 24 orëve, ka thënë ajo.

    Procesi ka qenë aq i thjeshtë dhe e ka bërë shkrimtaren të mendojë për gjithë sfidat me të cilat po përballen aktivistët që shteti t’i njohë çiftet me gjini të njëjtë.

    Ajo ka thënë se korniza ligjore e Koresë Jugore është e vjetërsuar dhe duhet të lejojë që beqarët t’i zgjedhin vetë familjet e tyre ligjërisht.

    “Një familje përbëhet prej një lidhjeje ku njerëzit, pavarësisht moshës dhe gjinisë, kanë besim dhe varen në njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash ajo. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Persona të panjohur marrin para për parkim në Strugë, komuna hesht

    Lajmi i rradhës

    Shefja e BE-së: Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë