“Ah ju romët, vetëm kërkoni ndonjë gjë” / Brenda rrëfimit të vajzës rome në Tetovë, e cila u ballafaqua me rrufe diskriminimesh nga ana e mësuesve

    Autor | Emir Hamzi

    Romët në Maqedoninë e Veriut janë komuniteti më i përjashtuar dhe më i margjinalizuar të cilët jetojnë në mesin e shumë komuniteteve tjera etnike. Përveç që jetojnë nën pragun e varfërisë, ata u ekspozohen edhe shumë diskriminimeve tjera si, gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore, sigurimi i dokumentacionit, asksesi në procesin arsimor, përfshirja e tyre në institucione. Edhe nëse këto peripeci mund t’i kishte tejkaluar ndokush prej romëve, sigurisht çdo rom në RMV e ka një histori bullizimi të theksuar apo që është përballur me shprehje stigmatizuese si: “mos u bëj xhip”; “dë to vjedhin xhipët”; “xhipka njëherë”, “je bërë i zi si xhip”; “dasmë xhipësh”, “shi me diell, martohen xhipët sot”; “je veshur si xhip Shutke”, e shumë shprehje tjera përçmuese që i dëgjojnë vazhdimisht nga shoqëria.

    Historia që sjell Nistori është më e dhimbshme se sa këto shprehje, sepse diskriminimi ka ndodhur te një vajzë rome e mitur, e cila ka lënë pasoja psikologjike – ankth e nervozë. Madje ajo nuk dëshiron ta kujtojë fare këtë histori, sepse fillon të dridhet.

    24 vjeçarja Melinda (emër i vënë nga Nistori që të ruajë identitetin e saj me gjithë kërkesën e saj paraprake), studente në një universitet privat në Tetovë, për Nistorin rrëfen për herë të parë diskriminimin që i është bërë nga mësuesit në shkollën fillore dhe të mesme. Si një nxënëse rome, ajo përballej me lloj-lloj veçimesh dhe stigma gjatë gjithë kohës sa ishte në shkollë. Melinda me plot emocion dhe lot i kujton momentet kur arsimtarët i thonin se, “ah…ju romët kërkoni shumë”, ndërsa ajo po këmbëngulte dhe ngrente dorën për t’u përgjigjur për një notë më të mirë.

    Melinda, është aktiviste në sektorin joqeveritar tashmë rreth tetë vjet. Ka ndjekur rregullisht trajnime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për procedura juridike. Ka marrë pjesë edhe në trajnimin nga OSBE dhe ODIHR dhe kam fituar certifikatë për të drejtat e njeriut. Të njëjtën dije e ka prezantuar para bashkësisë rome në disa raste, me qëllimin se si ta njohin diskriminimin, cilat janë të drejtat e tyre themelore dhe çfarë mund të ndërmarrin, nëse u është shkelur ndonjë e drejtë. Ajo pavarësisht se ishte e shkëlqyer në shkollën fillore, lexonte lektyrat, me përpikëri i kryente detyrat e shtëpisë, por ajo për mësuesit pothuajse nuk ekzistonte në klasë, injorohej dhe nënçmohej.

    “Që kur mësova të lexoja, rregullisht lexoja librat që na jepte mësuesja e klasës dhe të njëjtat i shpjegoja në një fletore të veçantë, që mësuesja na e jepte si detyrë. Mësuesja dinte të më anashkalonte që të përgjigjesha gojarisht, sikur të mos ekzistoja në klasë. Kjo ndodhte thuajse në çdo lëndë. Kur vinim te vlerësimi me nota në fletore, edhe pse isha 8-9 vjeç, mundja të kuptoj që mësuesja, nuk dëshironte të ma verifikonte mirë fletoren, e më tha në mënyrë agresive: mirë, mirë, ulu në vend. Pastaj, një nxënës tjetër pas meje, që i takonte një etnie tjetër, nuk e kishte plotësuar detyrën dhe mësuesja iu përgjigj: Si mundet që dikush si Melinda ta bëjë, e ti të mos e bësh? Ky është një nga shumë rastet”, thotë Melinda.

    MELINDA! SIKUR AJO TË PËRBËNTE PENGESËN MË TË MADHE NË KLASË

    Gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm, ajo ishte e diskriminuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Melinda e përmend edhe një rast gjatë shkollës së mesme kur arsimtari në fund të vitit e notoi njëjtë si nxënësja tjetë që nuk ishte e pranishme, shpeshherë, në orën mësimore. E njëjta gjë i ka ndodhur edhe gjatë testimit, notë të ulët, por me përgjigje të sakta.

    “Do të doja të përmend edhe një rast gjatë shkollës së mesme. Arsimtari thuajse asnjëherë nuk mbante mësim. Gjithnjë bënte biseda të tjera me ne. Kur erdhi fundi i gjysmëvjetorit dhe të viheshin notat, vinte notat si ta mendonte vetë, nuk na vinte notat sipas testimit me shkrim apo pyetjes me gojë. Edhe pse isha nxënëse e rregullt dhe i plotësoja gjithnjë detyrat e dhëna nga arsimtari, megjithatë i njëjti arsimtar më dha notën e njëjtë që ia dha një nxënëses që në shkollë vinte rrallë herë. Në pyetjen time drejtuar arsimtarit se përse kam notë të njëjtë me nxënësen që në orë vjen rrallë herë, ndërkaq unë isha e rregullt gjithnjë, mora përgjigje që asaj nxënëseje i duheshin notat për të kaluar vitin. Atëherë unë kërkova një notë më të lartë për mesatare, e arsimtari mu përgjigj: EH, JU ROMËT VETËM KËRKONI NDONJË GJË. Ka ndodhur që në teste të kisha përgjigje të sakta, si edhe nxënësit e tjerë, mirëpo gjithnjë ndodhte që unë të merrja notë më të ulët, ndonëse ndonjëherë testin e kisha më të mirë se të tjerët”, shton Melinda.

    TALENT PËR MUZIKË DHE PIKTURË, POR VIZATIMI NUK IU PËRZGJODH NË GARAT SHTETËRORE

    Melinda ka talent për pikturë dhe luan në kitare. Pavarësisht se vizatoi bukur, punimi i saj nuk u mor parasysh nga arsimtari i artit figurativ, ndërkaq i të tjerëve po.

    “Në shkollë fillore, në lëndën e artit figurativ kishim detyrë shtëpie që të vizatonim një instrument muzikor. Deri në ditët e shkollimit fillor, vizatimin kisha për hobi. Mund të thuhet që kam talent për pikturë. Gjatë kësaj kohe luaja në kitarë dhe vizatova një kitarë. Kur erdhi arsimtari, nuk dëshironte që të ma vlerësonte vizatimin, pasi nuk besonte që e kisha vizatuar unë dhe me një sjellje agresive, më detyroi që në tabelë ta vizatoj përsëri të njëjtin vizatim. Kuptohet që e vizatova ende më bukur. Gjithashtu, në artin figurativ përgatiteshim për gara shtetërore në vizatim, por tema ishte religjioni. Vizatova arabisht emrin Allah dhe një xhami. Arsimtari refuzoi të marrë vizatimin tim, duke u arsyetuar që nuk i pëlqeu që ishte vizatim i bukur. Të gjithë vizatimet e nxënësve të klasës u morën dhe u dërguan në garë, ndërkaq nuk u mor vetëm i imi”, shprehet ajo.

    “Në shkollë fillore, në lëndën e artit figurativ kishim detyrë shtëpie që të vizatonim një instrument muzikor. Deri në ditët e shkollimit fillor, vizatimin kisha për hobi. Mund të thuhet që kam talent për pikturë. Gjatë kësaj kohe luaja në kitarë dhe vizatova një kitarë. Kur erdhi arsimtari, nuk dëshironte që të ma vlerësonte vizatimin, pasi nuk besonte që e kisha vizatuar unë dhe me një sjellje agresive, më detyroi që në tabelë ta vizatoj përsëri të njëjtin vizatim. Kuptohet që e vizatova ende më bukur. Gjithashtu, në artin figurativ përgatiteshim për gara shtetërore në vizatim, por tema ishte religjioni. Vizatova arabisht emrin Allah dhe një xhami. Arsimtari refuzoi të marrë vizatimin tim, duke u arsyetuar që nuk i pëlqeu që ishte vizatim i bukur. Të gjithë vizatime te nxënësve të klasës u morën dhe u dërguan në garë, ndërkaq nuk u mor vetëm i imi”, vazhdon më tej Melinda.

    Melinda rrëfen edhe një rast tjetër gjatë orës në lëndën e kimisë. Sistemi periodik iu lejua të gjithë nxënësve gjatë testimit, por vetëm kësaj i tha arsimtarja nëse i vjente turp që po kopjonte, kështu duke e përjashtuar nga testimi.

    “Gjithashtu, kur isha në klasë të pestë, kisha test në lëndën e kimisë, arsimtarja i lejoi tërë klasës që të përdorë sistemin periodik në testim. Kur përfunduam testin, arsimtarja mu afrua dhe vetëm mua ma mori sistemin periodik. E pyeta se përse vetëm mua ma mori, ajo mu përgjigj duke më thënë që a s’më vjen turp të përshkruaj? U përgjigja që nuk përshkrova, por që e shfrytëzoja sistemin periodik ngjashëm si nxënësit e tjerë dhe që ju më lejuat. Ajo më tha dil nga testimi, do të kesh njësh. Vetëm mua më përjashtoi nga klasa dhe ma mori sistemin periodik. Dola nga klasa, e turpëruar dhe e mërzitur. Pas njëfarë kohe patëm përmirësim notash. Gjithnjë paraqitesha dhe ngrija dorën, por u injorova çdo herë dhe nuk më jepej mundësia e përmirësimit. Gjithnjë kur pyesja se kur kisha mundësi të përgjigjem gojarisht. Për këtë merrja përgjigjen: Nuk kemi kohë të mjaftueshme. Në fund të vitit më la 2, vetëm për të kaluar vitin”, tregon vajza rome.

    “…ROMËT NUK KANË NEVOJË PËR SHKOLLIM, MARTOHEN HERËT”

    Kjo qasje e ka ndjekur vazhdimisht Melindën, pothujase në çdo lëndë dhe me përgjegjësi e thotë se problemi ka qenë tek arsimtarët, pasi ata nuk e kuptonin që me atë sjellje bënin racizëm, diskriminim dhe bullizëm.

    “Problemi qëndronte tek arsimtari. Kjo më ka ndodhur çdo ditë, që nga shkollimi fillor deri në të mesëm. Mendoj se ndodhte për shkak të përkatësisë etnike, pasi më jepnin dhe komente gjoja nuk do të kishim nevojë ne romët për shkollim, do të martohesha herët dhe që do të kujdesesha për fëmijët”, deklaron ajo.

    FRIKËSOHEJ TË SHKONTE NË SHKOLLË, TË GJITHA KËTO KALONIN ME NJË VËREJTJE NDAJ SHKOLLËS, POR SJELLJA E ARSIMTARËVE NUK NDRYSHONTE EDHE MË TEJ

    “Si fëmijë kisha pasoja emocionale dhe psikologjike. Shpesh ndodhte që të frikësohesha të shkoja në shkollë ose të mos shkoja vetëm për shkak të mendimit dhe ndjenjës që nuk më trajtonin njëjtë dhe që më injoronin. Është e vështirë që si fëmijë të përballesh dhe të merresh me këtë. Jemi më të ndjeshëm dhe nuk dimë si ta zgjidhim këtë problem, mirëpo arrita ta përballoja vetë, kështu që edhe të mos e humbisja motivimin për arsim. Gjithnjë motivimi që të shkollohesha më jepte energji që të isha ende më e mirë nga sa isha”, rrëfen vajza rome, duke shtuar se këto janë vetëm disa nga rastet që ajo i kujton për momentin.

    “Prindi im gjithnjë më trimëronte dhe më përkrahte. Jo gjithnjë i tregoja se çfarë ndodhte në shkollë, përpos disa rasteve, kur babai im i kallëzoi rastet te përgjegjësit në shkollë dhe te Avokati i Popullit në Tetovë. Nga Avokati i Popullit morëm përgjigje që shkolla ka marrë vërejtje, por për fat të keq, diskriminimi dhe sjellja e arsimtarëve nuk ndryshoi, vazhdoi më tej”, kujton Melinda.

    Porosia e saj është që gjithnjë kur ka vullnet për t’u përforcuar me arsimim, mund ta arrish këtë pa pasur parasysh se sa pengesa ke në rrugë. Meqë mund të mendosh, mund edhe të arrish. Ajo, përskaj të gjitha atyre vështirësive emocionale dhe psikologjike që i kishte gjatë arsimimit fillor e deri në atë të mesëm, nuk e penguan që sot të mbarojë magjistraturën. Çdo betejë të vështirë, më në fund ajo e fiton.

    RRUFE DISKRIMINIMESH QË PËRBËJNË VEPËR PENALE

    LIGJ I PARANDALIMIT DHE I MBROJTJES NGA DISKRIMINIMI (2020)
    (Gazeta Zyrtare e R.M. nr :258/2020 me datë 30.10.2020)

    BAZAT E DISKRIMINIMIT TË NDALUARA ME KËTË LIGJ JANË PËRCAKTUAR NË NENIN 5:

    Baza diskriminuese: Ndalohet çdo diskriminim në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes, origjine kombëtare ose etnike, gjinia, orientimi seksual, identiteti gjinor, që i përkasin një grupi të margjinalizuar, gjuhë, shtetësi, origjinë sociale,arsimimi, feja ose besimi fetar, besimi politik, besimi tjetër,paaftësia, mosha, statusi martesor ose martesor, statusi pasuror, gjendja shëndetësore,pronësore personale dhe statusit shoqëror ose të ndonjë baze tjetër.

    LIGJI I DREJTËSISË PËR FËMIJËT (2013): (,,Gazeta Zyrtare e RM“ nr.148/13, dhe „G.Z. e RMV nr.152/19 dhe nr. 275/12) ndalon diskriminimine fëmijëve si Nenit 8-të, paragrafi 1 dhe 2.

    Mbrojtja e fëmijëve si i dëmtuar ose dëshmitar në procedurë penale Neni 145

      (1) Fëmija viktimë e veprës penale i ka të drejtat në vijim:

    – me të të veprohet me respektimin e dinjitetit e tij,
    – të mbrohet nga çfarëdo diskriminimi etj.

    KUSHTETUTA E RMV:

    Kushtetuta me nenet 54, 110 dhe amandamentin XI pika 2 ndalon diskriminimin në çfarëdo lloj baze. Vepra penale: Diskriminimе racore dhe të tjera  (Vepër penale në grupin e veprave penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare)

    Neni 417 i Kodit penal, paragrafi 1, 2, 3.

    Komuna e Tetovës me Njësi proektuese për implementimin e projekteve për romët dhe grupet e tjera të margjinalizuara

    Udhëheqësja e Njësisë projektuese e komunitetit rom në Komunën e Tetovës, Shefkete Hamza, për Nistori thotë se romët në Tetovë mësojnë në tre gjuhë mësimore edhe atë: shqip, maqedonisht dhe në gjuhën turke, gjegjësisht në grupe të ndryshme. Ajo thotë se bullizmi ndaj romëve në Tetovë ekziston edhe sot e kësaj dite. Një ndër problematikat e romëve në Tetovë është mosregjistrimi i tyre në librin e amzës.

    “Është fakt se bullizmi në Tetovë ekziston! Në komunën e Tetovës është hapur Njësi projektuese për implementimin e projekteve për romët dhe grupet e tjera të margjinalizuara, i cili ka program vjetor. Një ndër pikat që kemi kaluar në shkollat e mesme me organizatat joqeveritare ka qenë tema e bullizmit. Nxënësit tregojnë ngjarje të ndryshme rreth bullizmit. Një ndër problematikat më të theksuara është identifikimi i personave të cilët nuk janë të regjistruar në librin e amzës. Ata nuk posedojnë asnjë dokumentacion dhe nuk mund t’i plotësojnë të drejtat e tyre si të tjerët. Çështje tjetër problematike është punësimi i komunitetit rom në institucione. Kemi studentë të diplomuar të cilët janë të papunë”, deklaron Hamza.

    Çka me romët që kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e Tetovës! A po punon komuna në zgjidhjen e këtij problemi?

    “Numri më i madh i romëve në rrugët e Tetovës janë nga komunat tjera të cilat i sjellin çdo ditë me një grup të organizuar në qytet për të kërkuar lëmoshë. Ne si Njësi projektuese në Komunën e Tetovës jemi duke punuar në këtë pikë. Kemi zhvilluar takime me drejtoreshën e Qendrës për punë sociale, jemi konsultuar me policinë dhe jemi në rrjedha për ta tejkaluar këtë problem. Numri më i madh i personave të cilët kërkojnë lëmoshë nuk posedojnë asnjë dokumentacion për t’u drejtuar institucionalisht”, shton Hamza.

    EDHE ROMËT DREJT EUROPËS, PËR JETESË MË TË MIRË

    Sipas aktivistes rome Selva Mustafi, romët largohen në masë të madhe nga vendi dhe shumë shpesh migrojnë në një nga vendet europiane për të pasur kushte më të mira jetese dhe vende pune më të sigurta.

    “Nuk jam e sigurt për numrin e saktë, por nëse shikojmë rezultatet e regjistrimit të vitit 2021, do të vërejmë se formalisht numri i qytetarëve romë ka rënë dhe kjo flet për migrimin e një numri të madh të qytetarëve romë nga vendi (por migrimi nuk është faktori i vetëm për numrin e reduktuar). E gjithë kjo tregon se, si gjithë të tjerët, edhe romët kërkojnë dhe duan të jetojnë një jetë më të mirë dhe është e natyrshme të kërkojmë shpresë nëse nuk e kemi këtu”, përgjigjet Mustafi nëse edhe romët janë ndër komunitetet që e lëshojnë vendin.

    QASJE ME VËSHTIRËSI NË INSTITUCIONE

    “Në përgjithësi, ka ende një sfidë sa i përket komunikimit dhe aksesit në institucionet shtetërore. Komuniteti ynë po përparon dhe mëson me shpejtësi, ndryshe nga e kaluara, sot e dimë se ku të drejtohemi (ose OJQ të caktuara ndihmojnë), por shpesh hasim në rezistencë nga disa institucione, pengesa kur diçka duhet bërë në mënyrë administrative etj., dhe kjo nuk është vetëm në Maqedoni, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, në radhë të parë për shkak të paragjykimeve dhe stereotipeve që punonjësit kanë ndaj nesh. Natyrisht, ka edhe institucione në të cilat qasja është më e lehtë dhe më e hapur”, shton ndër të tjera aktivistja Mustafi.

    PARALELE NË GJUHËN ROME NË TETOVË

    Së fundmi, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, paralajmëroi paralele në gjuhën rome në Tetovë. Ai tha se komuna ka vullnet për këtë gjë dhe po analizohen mundësitë.

    “Ne kemi vullnet të plotë që në drejtim të avancimit të të drejtave të romëve, me qëllim që të ndjehen të barabartë në Tetovë, në bashkëpunim me komunitetin rom të diskutojmë edhe mundësinë e hapjes së paraleles në gjuhën rome. Është për të ardhur keq, situata me të cilën ballafaqohen në territorin e RMV, diskriminimi shkon deri aty sa që ata edhe në momente të caktuara, frikësohen të deklarohen se janë të këtij komuniteti, edhe në shkollat ku mësojnë. Ne si komunë jemi të gatshëm që të punojmë në drejtim të asaj – paralele në gjuhën rome”, deklaroi Kasami më 6 prill 2023.

    Stigma e veçime ndaj romëve nuk ndodhin vetëm në RMV. Shumë romë që jetojnë në të gjithë Europën diskriminohen vazhdimisht. Ata zakonisht i nënshtrohen dëbimit me forcë, u privohet aksesi në mallra dhe shërbime, të tilla si hyrja në restorante ose pishina publike, qasja në ujë të pijshëm të pastër dhe në disa rajone ka ndarje të fëmijëve romë në shkolla.

    Ndryshe, sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë, struktura etnike në Maqedoni është si vijon: 64.17% janë maqedonasë, 25.17% shqiptarë, 3.5% turq, 2.66% romë, 0.48% vllehë, 1.78% serbë, 0.84% ​​boshnjakë dhe 1.04% i përkasin grupeve të tjera etnike. /Nistori/

    Projekti financohet nga Unioni Europian

    “Programi “Komisioni i antidiskriminimit e realizon rolin e tij parandalues dhe promovues” ndërsa zbatohet nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN)”. Mendimet e shprehura në këtë publikim i takojnë autorit dhe nuk i shprehin qëndrimet e QMBN dhe Unionit Europian

    Lajmi Paraprak

    Breshëri kanos të mbjellat

    Lajmi i rradhës

    Shaqiri edhe këtë herë premton për tekstet shkollore se të dorëzohen në kohë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë